Policia e Kosovës ka pranuar një donacion nga Republika Federale e Gjermanisë, i cili përfshin pesë vetura dhe pajisje teknologjike në vlerë rreth 200 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar, ky donacion ka për qëllim mbështetjen e mëtejshme të kapaciteteve operative të Policisë së Kosovës, me theks të veçantë në forcimin e mbikëqyrjes së kufirit shtetëror dhe rritjen e efikasitetit në menaxhimin e sigurisë.
Në kuadër të pranimit të donacionit, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, së bashku me bashkëpunëtorë, priti në takim përfaqësuesin e Ambasadës Gjermane në Kosovë, zëvendësambasadorin Christian Böttcher, ku edhe u realizua pranim-dorëzimi i pajisjeve dhe automjeteve të dhuruara.
Policia e Kosovës e ka vlerësuar lart bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të institucioneve gjermane, duke theksuar se mbështetja e tillë ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe teknologjike, si dhe në avancimin e standardeve profesionale në fushën e sigurisë.
Ky donacion konsiderohet një tjetër dëshmi e bashkëpunimit të qëndrueshëm ndërinstitucional dhe e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin dhe modernizimin e strukturave të sigurisë në Kosovë.
