Ministria e Mbrojtjes ka reaguar për të sqaruar opinionin publik lidhur me pretendimet se përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë përfshirë në Këshillin Organizativ për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, duke i cilësuar këto pretendime si të pasakta dhe të pabazuara.
Sipas njoftimit zyrtar, me Vendimin Nr. 01/02, të datës 20.02.2026, Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Këshillin Shtetëror për shënimin e kësaj ngjarjeje historike. Ky këshill kryesohet nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa bashkëkryesohet nga Andin Hoti, ministër i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare. Në vendimin përkatës parashihet në mënyrë të qartë edhe përfaqësimi i organizatave të dala nga lufta si pjesë përbërëse e këshillit.
Ministria bëri të ditur se gjatë ditës së sotme është dërguar ftesë zyrtare për përfaqësuesin e OVL-UÇK për pjesëmarrje në Këshillin Shtetëror, ndërsa takimi inicues i këtij mekanizmi do të mbahet nesër në orën 13:00.
Institucionet shtetërore theksojnë se mbeten të përkushtuara për një bashkëpunim gjithëpërfshirës, transparent dhe institucional, me qëllim që organizimi dhe shënimi i kësaj date të rëndësishme të realizohet në mënyrë dinjitoze dhe përfaqësuese.
Shënimi i 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të zhvillohet në frymën e unitetit, respektit dhe mirënjohjes për sakrificën e dëshmorëve, si dhe për kontributin e të gjithë pjesëtarëve të luftës çlirimtare të Kosovës.
