Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Ky ishte takimi i parë ndërmjet tyre pas formimit të qeverisë së re, me ç’rast ambasadori britanik e uroi Kurtin për mandatin e ri në krye të ekzekutivit, duke rikonfirmuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet dy vendeve.

Gjatë bisedës, u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në projekte të përbashkëta me interes të ndërsjellë. Vëmendje e veçantë iu kushtua forcimit të partneritetit institucional dhe zhvillimit të iniciativave që kontribuojnë në avancimin e sektorëve të ndryshëm.

Të dyja palët shprehën përkushtimin për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qeveritare të Kosovës dhe ambasadës britanike, me synim forcimin e mëtejmë të raporteve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të rëndësishme.

Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit theksohet se Republika e Kosovës mbetet gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme që ka marrë nga Mbretëria e Bashkuar ndër vite.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version