Nga: FATMIR BAÇI
GABOJ SHPESH
Ca aroma trishtimi pashë në sytë e tu,
Gjurmët e një shkëlqimi të vagullt,
Më treguan shtegun e ikjes,
E ca ngjyra vetmie u derdhën,
Nëpër tinguj kristali të thërmuar,
Si notat e ngatërruara të bilibilave,
Në një pranverë të gjelbërt e të vonë,
Me vetëm ca lule të tepruara,
Atje larg diku,
Në cepine harruar buzë mërzisë.
Ca vezullitje të mekura u fshehën,
Në një qosh të ndriçuar,
Përplot me sedefë e brilante me ngjyra,
Rrjedhë në shushuritjet e mozaikëve,
Të të gjithë atyre rrugëve,
Që me ngulm rrjedhin drejt deltës,
Vezullitje që u fshehën pa zhurmë,
Edhenë ca hapa të rënduar,
Përplot me njolla ankthi të ndezura,
Që rrëshqasin shrregullt dhe ëmbël,
Si nxitimi ftohtë i mëngjeseve,
Si era me gjethet e vjeshtës.
Të pata thënë dikur
Vërtetë shkarazi të pata thënë,
Por jo për t’u lënë në sirtaret e harresës,
As për përkëdheljen e pavëmendjes,
Të thashë se unë gaboj shpesh,
Më shpesh nga sa të tjerët e pikasin,
Andaj edhe nuk dua të jem aty pranë,
Kur të tjerët rrëshqasin,
E as kur bëjnë sikur rrëshqasin,
Për të mos qenë edhe një herë atje,
Diku dikur në një të ardhme.
Se që kur mësova të mas gabimin tim,
Dita nga mëngjesi deri në mëngjes,
Më duket e shkurtër,
Andaj s’di për të tjerët të them asgjë,
Apo nuk di atë që meriton vëmëndje,
E ndoshta për këtë,
Mësova fjalët t’i rrethoj me mirësi,
Si çelës i artë për në harrim,
E tashmë di vetëm të kujdesem,
Të mos rrëshqas e të mos bie,
Të mos bëj sikur rrëshqas e bie,
E të mos gjendem dy herë në gabim.
FATMIR BAÇI
