TUNELI I NGUSHTË ende mbante erë kufomash të dekompozuara. Një pjesë ishte bllokuar nga rrënoja të krijuara nga dy sulme ajrore izraelite më 13 maj. Tuneli u hap nga trupat izraelite vetëm kur arritën në vend, në hyrje të Spitalit Evropian në Khan Younis, në Gazën jugore, gati katër javë më vonë. Pesë trupa u gjetën në një dhomë të vogël nëntokësore poshtë repartit të urgjencës të spitalit kryesor në qytetin e dytë më të madh të Gazës.
Më 8 qershor, njëri u identifikua si ai i Muhammad Sinwar, shefi ushtarak i Hamasit.
Konfirmimi i vdekjes së Sinwar ndryshon pak në vetvete. Hamasi ka caktuar tashmë një zëvendësues dhe ka përballuar vrasjet e shumë prej udhëheqësve të tij. Por kjo mund të ndryshojë balancën brenda udhëheqjes së lëvizjes, e dominuar më parë nga Gazanët, pikërisht kur Izraeli sërish rrit presionin mbi Rripin bregdetar.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) e hapën tunelin për gazetarët po atë ditë. Ishte hera e parë që anëtarëve të organizatave ndërkombëtare të lajmeve u ishte lejuar të hynin në Gaza për pesë muaj. Kjo vizitë e kufizuar dhe e kontrolluar e medias (asnjë gazetar i huaj nuk është lejuar të hyjë në Gaza në mënyrë të pavarur që nga fillimi i luftës në tetor 2023) kishte dy qëllime. E para ishte propaganda. IDF kishte merak të tregonte se e kishte lënë ndërtesën e spitalit të paprekur (megjithëse të gjithë pacientët dhe stafi ishin evakuuar), pra Spitalin nuk e kemi prekur pavarësisht se Hamasi e përdorte nëntokën e tij për të ofruar strehimin për anëtarë të tij. Kjo infrastrukturë u dëmtua mjaft nga shkatërrimi në dhe rreth Khan Younis, një qytet me mbi 200,000 banorë, të cilët janë detyruar të evakuohen në një “zonë humanitare” të mjerueshme pranë bregdetit mesdhetar.
E dyta ishte lufta psikologjike. Izraeli shpreson t’u dëshmojë udhëheqësve të mbijetuar të Hamasit dhe popullsisë civile se ata ende e kontrollojnë Gazën, se Hamasit u kanë mbaruar vendet për t’u fshehur. Një zyrtar ushtarak sugjeroi se konfirmimi i vdekjes së Sinwar mund të ishte “një moment kyç” i cili mund të çonte në pranimin e kushteve të Izraelit për një armëpushim nga Hamasi.
Ky armëpushim, i ndërmjetësuar nga Amerika dhe Katari së bashku me Egjiptin, ka qenë në tryezë në forma të ndryshme për muaj të tërë. Ai do të fillonte me një armëpushim 60-ditor gjatë të cilit rreth gjysma e pengjeve izraelite të mbetura do të liroheshin në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë. Gjatë kësaj periudhe, forcat izraelite do të tërhiqeshin nga disa pjesë të Gazës dhe do të lejonin më shumë ndihma, ndërsa do të zhvilloheshin bisedime drejt një armëpushimi afatgjatë.
Kjo pikë e fundit mbetet pengesa kryesore për një marrëveshje. Hamasi vazhdon të kërkojë garanci për një paqe të përhershme të cilën Izraeli ka refuzuar ta japë. Por ditët e fundit, Hamasi ka treguar se është i hapur për të diskutuar kushte të reja. Hyrja në Rrip e sasive të kufizuara të ndihmës përmes rrjeteve të shpërndarjes mbi të cilat ka pak kontroll mund të shqetësojë grupin. Shkatërrimi i pamëshirshëm i Gazës nga ushtria izraelite, e cila kërcënon edhe me më shumë shkatërrim, gjithashtu mund të ndikojë. Dhe vdekja e Sinwar, vëllai i vogël i Yahya Sinwar, orkestratorit të sulmeve të 7 tetorit, mund t’i ketë ndikuar, pjesërisht sepse ka ndryshuar dinamikën e udhëheqjes së Hamasit.
Udhëheqësi i ri de facto i Hamasit në Gaza është Izz al-Din al-Haddad, komandanti në Gazën veriore. Ai është i fundit i krerëve veteranë të Hamasit në Gaza. Ai u ngarkua me fshehjen dhe sigurimin e shumë prej pengjeve izraelite të kapur më 7 tetor dhe ende besohet se kontrollon fatin e tyre. Roli i tij i ri, megjithatë — koordinimi me udhëheqësit e Hamasit jashtë Gazës — është kontakti i tij i parë me politikën më të gjerë të lëvizjes. “Al-Haddad do të duhet të vendosë tani nëse dëshiron të mbahet mend si njeriu nën udhëheqjen e të cilit Gaza u shkatërrua përfundimisht,” thotë një analist i inteligjencës izraelite. “Ai mund të preferojë të jetë njeriu i fundit në këmbë pas një armëpushimi.”
Nën vëllezërit Sinwar, dega e Hamasit në Gaza, ku grupi e ka origjinën, dominonte. Me vdekjen e tyre, udhëheqësit jashtë Rripit – në Doha, Beirut dhe Stamboll – e kanë sërish epërsinë. Lëvizja nuk e ka zëvendësuar Yahya Sinwar si udhëheqës të përgjithshëm. Në vend të kësaj, ajo drejtohet nga katër burra: Khaled Mashal, ish-kreu i Hamasit dhe avokat prej kohësh i lidhjeve më të ngushta me regjimet sunite të moderuara; Zaher Jabarin, i cili përfaqëson degën e Hamasit në Bregun Perëndimor dhe është përgjegjës për financat e lëvizjes; Muhammad Darwish, një palestinez i lindur në Liban, i cili ka sugjeruar se mund të pranonte heqjen dorë të Hamasit nga pushteti në Gaza, nëse do të zëvendësohej me diçka si një qeveri e unitetit kombëtar; dhe Khalil al-Hayaa.
Një ish-zëvendës i Yahya Sinwar, Hayya është i vetmi gazan në katërshe dhe madje edhe ai është tani në Katar. Ai është i shqetësuar të sigurojë garanci se Hamasi do të mund të mbetet në terren në Gaza pas çdo armëpushimi, por duket si mundësi gjithnjë e më e izoluar. Tre të tjerët pritet të mbështesin një marrëveshje që heq dorë nga roli i Hamasit pas luftës në Gaza, por ruan pozitën e tij në botën arabe. Kjo mund ta bëjë më të lehtë arritjen e një armëpushimi.
Ashtu mund të ndodhin edhe ndryshime politike. Partitë e ekstremit të djathtë në koalicionin e Benyamin Netanyahut, të cilat ushqejnë ambicie për okupim të përhershëm dhe rivendosje në Gaza, kanë kërcënuar se do të rrëzojnë qeverinë nëse ai i jep fund luftës. Por zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë kanë thënë kohët e fundit se besojnë se kushtet ekzistojnë tani për një armëpushim afatgjatë. Rritja e presionit nga Donald Trump dhe aleatët e tjerë perëndimorë të Izraelit shpjegon pjesërisht ndryshimin. Po ashtu edhe një pritshmëri në rritje se Hamasi do të pranojë kushtet që i japin fund zyrtarisht sundimit të tij në Gaza, duke përfshirë çarmatimin dhe internimin e disa prej udhëheqësve dhe luftëtarëve të tij të mbijetuar.
Shtohet edhe dobësimi i ndikimit të aleatëve të ekstremit të djathtë të Netanyahut ndërsa rritet perspektiva e zgjedhjeve. Zgjedhjet aktualisht janë caktuar për tetor 2026. Por tensionet brenda koalicionit mbi kërkesat e partive ultra-ortodokse për një ligj të papëlqyeshëm që përjashton studentët e seminareve fetare nga shërbimi ushtarak mund të çojnë në një votim shumë më herët. Netanyahu është i kujdesshëm ndaj një zgjedhjeje të cilën, sipas shumicës së sondazheve aktuale, ka të ngjarë ta humbasë. Por nëse nuk mund të parandalojë një të tillë, shumë në Jerusalem besojnë se ai do të preferonte ta mbante atë pasi të siguronte një armëpushim që do të çonte në lirimin e pengjeve të mbetura, të cilën ai mund ta paraqiste si një fitore. Një marrëveshje gjithashtu do të lehtësonte presionin amerikan; Netanyahu nuk ka dëshirë të shkojë në zgjedhje kur duket se nuk është në favor në Uashington. Steve Witkoff, i dërguari i Trump në Lindjen e Mesme, pritet të kthehet në rajon në ditët në vijim. Ai mund të mbërrijë me pak më shumë shpresë.