Vizita e ndihmëssekretarit të Shtetit në detyrë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Brendan Hanrahan, në Kosovë, po interpretohet si një rikthim i vëmendjes amerikane ndaj vendit dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.

Një nga mesazhet kryesore që pritet të përcjellë diplomati amerikan është nevoja për formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe daljen nga kriza politike që pasoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas ekzekutivit, Hanrahan do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, megjithatë agjenda e plotë e diskutimeve nuk është bërë publike.

Përveç Kurtit, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit pritet të takohet edhe me përfaqësues të partive parlamentare në Kosovë.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, deklaroi për KosovaPress se forcimi i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara është në interes të drejtpërdrejtë të Kosovës. Ai theksoi se bllokada politike ka tërhequr vëmendjen edhe të SHBA-së, e cila mund të ndihmojë në zgjidhjen e situatës përmes konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të qeverisë së re.

Zemaj gjithashtu nënvizoi si shqetësuese vonesën në emërimin e një ambasadori të ri amerikan në Kosovë.

“Është një lajm i mirë dhe një tregues se, përkundër agjendës së ngarkuar dhe zhvillimeve globale ku SHBA-ja është e përfshirë, interesi për Kosovën mbetet i gjallë. Kjo vizitë duhet të shërbejë si një tërheqje e vëmendjes për faktin që Kosova ende nuk ka formuar institucionet e dala nga zgjedhjet. Ka kohë që nuk kemi as ambasador të SHBA-së në vend, gjë që për mua dhe për LDK-në është shqetësuese, sepse mungesa e përfaqësimit në atë nivel mund të interpretohet si mesazh për qeverinë dhe klasën politike që interesi për partneritet duhet të jetë i yni dhe jo i njëanshëm,” deklaroi Zemaj.

Nga ana tjetër, analisti politik Dorajet Imeri theksoi se vizita e zyrtarit amerikan dëshmon përkushtimin strategjik të SHBA-së ndaj rajonit, me qëllim ruajtjen e objektivave afatgjata në Ballkanin Perëndimor.

“Pavarësisht vështirësive që ka Kosova në procesin e konstituimit të institucioneve, SHBA-ja nuk ndalet së vepruari në kuadër të strategjisë së saj në rajon. Ajo vazhdimisht dërgon diplomatë për të shtyrë përpara agjendat e saj. Është e qartë se SHBA-ja ka nevojë për një partner në Kosovë, dhe për këtë arsye kërkohet që qeveria e re të burojnë nga një shumicë funksionale në Kuvend. Një Kuvend i pakonstituuar dhe një qeveri në detyrë nuk mund të funksionojnë me kapacitete të plota,” theksoi Imeri.

Megjithatë, ai ngriti shqetësime të ngjashme me ato të Zemajt në lidhje me mungesën e emërimit të një ambasadori amerikan në Kosovë, si dhe në vende të tjera të rajonit.

“SHBA-ja ka kohë që nuk ka dërguar ambasadorë në shumë prej vendeve të rajonit. Kjo është një pasqyrë e politikës së administratës aktuale, e cila mund të interpretohet si një qasje më e tërhequr ndaj Ballkanit Perëndimor. Kjo vonesë në emërime është sinjal pesimizmi që SHBA-ja nuk e sheh më me prioritet rajonin tonë,” deklaroi ai.

Ndërkohë, zyrtari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, është takuar gjatë kësaj jave edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në SHBA.

Diplomati amerikan kishte paralajmëruar më herët se gjatë kësaj jave do të vizitonte Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën dhe Serbinë.

“Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon,” kishte shkruar Hanrahan më 9 korrik në platformën X.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version