NGA FATMIR BAÇI

Qytetërimet ndërtohen mbi mënyrën se si e kuptojnë, e kërkojnë dhe e mbrojnë të vërtetën. Pikërisht prej kësaj marrëdhënieje varen drejtimi i zhvillimit të tyre, cilësia e institucioneve, kultura e dialogut dhe mënyra se si njeriu e kupton vendin e vet në botë.

Sa herë që marrëdhënia me të vërtetën deformohet, deformimi kapërcen kufijtë e mendimit dhe përfshin etikën, politikën, kulturën dhe jetën e përditshme, duke prekur vetë themelet mbi të cilat mbështetet bashkëjetesa njerëzore. Në këtë kuptim, urtësia shfaqet si aftësia për ta ruajtur lidhjen ndërmjet së vërtetës dhe ekzistencës konkrete, duke mos lejuar që dija të shkëputet nga përgjegjësia morale.

Blasfemia, gënjeshtra dhe dhuna përfaqësojnë tri forma të këtij deformimi. Secila vepron në një mënyrë të veçantë, ndërsa së bashku ndërtojnë një sistem që cenon njëkohësisht mendimin, ndërgjegjen dhe lirinë e njeriut.

Blasfemia synon uzurpimin e autoritetit të së vërtetës, gënjeshtra shtrembërimin e përmbajtjes së saj, ndërsa dhuna imponimin e pranimit të saj. Brenda kësaj ndërthurjeje, secila fiton forcë nga prania e dy të tjerave, duke krijuar një mekanizëm që ndikon njëherësh mbi mënyrën e të menduarit, të gjykuarit dhe të vepruarit.

Është pikërisht kjo marrëdhënie e ndërsjellë, që shpjegon përse deformimi i së vërtetës rrallë paraqitet në një formë të vetme; ai zhvillohet si një proces ku autoriteti i rremë, shtrembërimi i realitetit dhe imponimi mbështesin e forcojnë vazhdimisht njëri-tjetrin.


***

 

Blasfemia lyp gjithmonë të ngjitet në fronin e gjykatësit në emër të së vërtetës, duke uzurpuar një autoritet që e tejkalon natyrën e saj.

Këtë e bën duke u mbështjellë me petkun e së shenjtës, në atë hapësirë ku mendjet e cekta, të rënduara nga padija dhe nga paaftësia për të depërtuar përtej sipërfaqes së dukjes, e pranojnë autoritetin si zëvendësim të së vërtetës. Po në të njëjtën hapësirë veprojnë edhe mendjet e djallëzuara, të ushqyera nga sipërfaqësia dhe nga llogaria e ftohtë e interesit, të cilat e njohin natyrën e këtij mashtrimi, sikundër se e pranojnë dhe e mbështesin për përfitimin empirik që u sjell.

Kësisojë, njëra palë i nënshtrohet iluzionit për shkak të paaftësisë për të dalluar, ndërsa tjetra për shkak të gatishmërisë për ta shfrytëzuar atë. Pretendimi fiton autoritetin e së vërtetës me një bindje të menjëhershme, pa hezitim dhe pa kërkesë për provë, derisa përsëritja e tij e shndërron në një normë që rrallë vihet në dyshim.

Dhuna rrallë ka nevojë për shfaqje të përhershme teatrale, mbasi ajo ushtrohet në fasha periodike. Ajo nuk e ndërton fuqinë mbi dritat e skenës dhe as mbi jehonën e duartrokitjeve, sepse mënyra e saj e veprimit depërton më thellë, atje ku formohen bindjet, zakonet dhe marrëdhëniet e përditshme të njeriut. Pikërisht për këtë arsye, veprimi i saj zhvillohet në heshtje dhe ndjek një ritëm të matur me kujdes, derisa të arrijë atë pikë ku ndërgjegjja fillon ta pranojë si të zakonshme atë që dikur do ta kishte refuzuar.

Në këtë proces, gënjeshtra përmbush funksionin e saj më të rëndësishëm. Ajo nuk kërkon të bindë menjëherë, por të zhvendosë gradualisht kufijtë e gjykimit, derisa pranimi i saj të fitojë pamjen e një të vërtete të vetëkuptueshme. Ky pranim mund të lindë nga bindja e ngadalshme që rrëshqet në ndërgjegje, ose nga nënshtrimi që e detyron vullnetin të pajtohet me atë që nuk e pranon lirisht.

Kur ky proces përfundon, dhuna humbet nevojën për praninë e saj të dukshme, sepse struktura që ka ngritur vazhdon të qëndrojë dhe të riprodhojë vetveten, e për pasojë, njerëzit fillojnë ta mbrojnë si rend atë që dikur ishte imponuar me forcë. Pikërisht në këtë çast shfaqet forma e saj më e fuqishme; dhuna nuk sundon më vetëm mbi trupin, por edhe mbi mënyrën e të menduarit, duke e bërë njeriun bashkëpunëtor në ruajtjen e mekanizmave që kufizojnë lirinë e tij.

Gënjeshtra e ndërton fuqinë e saj mbi një marrëdhënie të ndërlikuar me realitetin. Ajo rrallë synon ta mohojë atë tërësisht; mjafton ta shtrembërojë në pikat vendimtare, derisa orientimi i njeriut të devijojë drejt synimeve të gabuara.

Mjafton që busulla e gjykimit të zhvendoset vetëm pak, aq sa duhet për ta humbur drejtimin pa e vënë re menjëherë.

Pikërisht në këtë devijim të vogël fillojnë të grumbullohen pasojat më të mëdha, sepse largimi nga e vërteta zhvillohet si proces gradual dhe fiton forcë sa herë që paraqitet si një korrigjim i arsyeshëm i realitetit.

Në këtë proces, gënjeshtra ndërton me mjeshtëri formën e saj të jashtme dhe arsyetimin që e mbështet, ndërsa me po aq mjeshtëri fsheh qëllimin dhe manipulon pasojat. Ajo kujdeset që shtrembërimi të paraqitet si qartësi, interesi si domosdoshmëri, ndërsa mashtrimi si interpretim i ligjshëm i fakteve. Kështu, ushtrimi i dhunës fiton një mbulesë arsyetimi që e bën më të pranueshëm për ndërgjegjen kolektive, derisa imponimi të perceptohet si rend, ndërsa nënshtrimi si zgjedhje e arsyeshme. Në këtë mënyrë, gënjeshtra nuk mbron vetëm dhunën; ajo përgatit kushtet që dhuna të pranohet, të justifikohet dhe, me kalimin e kohës, të harrohet si akt imponimi.

Kësisojë, blasfemia, gënjeshtra dhe dhuna formojnë një ndërthurje të pandashme, ku secila ushqen, forcon dhe legjitimon praninë e dy të tjerave. Marrëdhënia midis tyre merr trajtën e një varësie të ndërsjellë dhe të vazhdueshme, duke krijuar një mekanizëm që vepron njëkohësisht mbi mendimin, ndërgjegjen dhe sjelljen njerëzore. Pikërisht kjo ndërvarësi shpjegon përse deformimi i së vërtetës rrallë shfaqet në një formë të vetme, apo edhe kur shfaqet, ai mbetet në nivele të paqëndrueshme. Si i tillë, ai zhvillohet në kuadrin e një sistemi ku uzurpimi i autoritetit, shtrembërimi i realitetit dhe imponimi mbështesin vazhdimisht njëri-tjetrin.

Dhuna, e shkëputur nga gënjeshtra, mbetet një forcë e ekspozuar që e zbulon veten si imponim i drejtpërdrejtë dhe e humbet mbështetjen e arsyetimit. Gënjeshtra, e shkëputur nga dhuna, humbet mekanizmin që e bën detyruese dhe që i jep fuqinë të materializohet lehtësisht në jetën shoqërore. Ndërsa blasfemia, e shkëputur nga të dyja, e humbet aftësinë për ta uzurpuar autoritetin e së vërtetës, sepse pretendimi i saj mbetet pa mjetet që e mbrojnë strukturën e kërkuar, që e imponojnë dhe pa rrëfimin që e bën të besueshëm. Vetëm ndërthurja e tyre krijon një rend ku pushteti fiton legjitimitet të rremë, gënjeshtra merr pamjen e së vërtetës, ndërsa dhuna arrin të ushtrohet pa u pikasur dhe pranuar menjëherë si e tillë.


***

Nga kjo perspektivë, blasfemia, gënjeshtra dhe dhuna shfaqen si tri forma të ndërlidhura të së njëjtës logjikë të deformimit të së vërtetës. Ato veprojnë në fusha të ndryshme të përvojës njerëzore, ndjekin rrugë të ndryshme veprimi dhe përdorin mjete të ndryshme ndikimi, megjithatë mbështeten mbi të njëjtin mekanizëm themelor; në shkëputjen e njeriut nga marrëdhënia e drejtë me të vërtetën. Brenda kësaj logjike, blasfemia synon uzurpimin e autoritetit të së vërtetës, gënjeshtra shtrembërimin e përmbajtjes së saj, ndërsa dhuna imponimin e pranimit të saj në jetën individuale dhe shoqërore.

Marrëdhënia ndërmjet tyre nuk ka karakter rastësor dhe as mund të kuptohet si bashkëjetesë e thjeshtë e tri dukurive të ndryshme. Ajo përfaqëson një strukturë të brendshme ku secila gjen te dy të tjerat kushtet e ekzistencës dhe të fuqizimit të vet. Blasfemia kërkon gënjeshtrën për ta mbështetur pretendimin e saj mbi autoritetin e së vërtetës dhe dhunën për ta mbrojtur atë nga kundërshtimi.

Gënjeshtra kërkon blasfeminë për të fituar pamjen e një autoriteti të besueshëm dhe dhunën për ta shndërruar shtrembërimin në rend të pranueshëm. Dhuna kërkon blasfeminë që t’i japë legjitimitet moral dhe gënjeshtrën që ta arsyetojë ushtrimin e saj përpara ndërgjegjes njerëzore.

Pikërisht kjo ndërvarësi krijon një mekanizëm vetëmbështetës, ku secila ushqehet nga prania e dy të tjerave dhe, njëkohësisht, krijon kushtet për forcimin e tyre. Për këtë arsye, deformimi i së vërtetës rrallë paraqitet në një trajtë të vetme; ai zhvillohet si një proces i ndërlikuar që prek mendimin, gjuhën, etikën, institucionet dhe vetë mënyrën se si njeriu e kupton realitetin. Vetëm shqyrtimi i kësaj tërësie lejon të kuptohet se blasfemia, gënjeshtra dhe dhuna lindin nga e njëjta prirje për ta zëvendësuar rendin e së vërtetës me rendin e vullnetit, të interesit ose të pushtetit, duke krijuar një marrëdhënie me realitetin ku imponimi fiton përparësi ndaj njohjes.

Secila mbart brenda vetes elemente të dy të tjerave dhe secila bëhet kusht për lindjen, forcimin dhe legjitimimin e tyre. Pikërisht kjo ndërthurje e bën të pamundur kuptimin e plotë të njërës pa shqyrtuar marrëdhënien që ajo ndërton me dy të tjerat.

***

Në këtë kuadër, shtrohen tri çështje themelore që kërkojnë një analizë të veçantë.


a) Blasfemia përmban brenda vetes gënjeshtrën dhe dhunën.

Uzurpimi i autoritetit të së vërtetës kërkon njëkohësisht shtrembërimin e saj dhe krijimin e mekanizmave që e bëjnë këtë shtrembërim të pranueshëm për ndërgjegjen njerëzore.

Çdo pretendim që e shpall veten burim absolut të së vërtetës e zhvendos qendrën e autoritetit nga vetë e vërteta drejt atij që pretendon ta zotërojë atë. Në këtë çast, marrëdhënia ndërmjet njeriut dhe së vërtetës pëson një transformim të thellë; kërkimi zëvendësohet nga shpallja, dialogu nga bindja e imponuar, ndërsa përgjegjësia për të gjykuar i lë vendin detyrimit për të pranuar.

Pikërisht këtu lind dimensioni i parë i gënjeshtrës, sepse pretendimi për zotërim absolut të së vërtetës e shtrembëron natyrën e saj, duke e paraqitur si pronë të një autoriteti dhe jo si horizont të hapur kërkimi.

Ky shtrembërim nuk mbetet në nivelin e ideve, përkundrazi, ai kërkon të ndërtojë një rend simbolik ku autoriteti i vetëshpallur fiton pamjen e padiskutueshmërisë. Për këtë arsye, blasfemia mbështetet mbi gjuhën, mbi simbolet, mbi ritualet dhe mbi institucionet, duke krijuar një univers ku pretendimi paraqitet si dëshmi, ndërsa bindja si njohje. Sa më i qëndrueshëm të bëhet ky rend simbolik, aq më pak ndjehet nevoja për ta provuar të vërtetën; mjafton ta shpallësh atë në emër të autoritetit që e ka uzurpuar.

Në këtë pikë shfaqet edhe dimensioni i dhunës, sepse çdo uzurpim i autoritetit të së vërtetës synon të ruajë veten dhe, për këtë arsye, kërkon me domosdo mjete që garantojnë vazhdimësinë e tij. Fillimisht vepron përmes presionit mbi ndërgjegjen, përmes disiplinimit të mendimit dhe kufizimit të hapësirës së dyshimit. Më pas, kur këto mekanizma nuk mjaftojnë, imponimi shtrihet edhe mbi sjelljen, institucionet dhe jetën shoqërore. Dhuna shfaqet kështu si vazhdimësi logjike e blasfemisë, sepse autoriteti i uzurpuar kërkon domosdoshmërisht mjete që ta mbrojnë nga ballafaqimi me të vërtetën.

Një vetëdije e pjekur dhe e formuar e dallon këtë proces duke pranuar se asnjë njeri, institucion apo sistem mendimi nuk mund ta zotërojë plotësisht të vërtetën, mbasi e gjithë krijesa, gjithë universi është brenda të vërtetës. Ajo e kupton të vërtetën si horizont që kërkon përulësi intelektuale, dialog dhe gatishmëri për t’u korrigjuar. Pikërisht për këtë arsye, blasfemia përbën mohimin e urtësisë; ajo e zëvendëson kërkimin me pretendimin, përulësinë me vetëshpalljen dhe lirinë e gjykimit me bindjen e detyruar. Brenda këtij shndërrimi, gënjeshtra dhe dhuna përbëjnë dy mënyra plotësuese të veprimit të së njëjtës logjikë të uzurpimit të së vërtetës. Gënjeshtra ndërton rrëfimin që e bën uzurpimin të besueshëm, ndërsa dhuna krijon kushtet që ai të pranohet dhe të qëndrojë në kohë.

***

b) Gënjeshtra bart në vetvete blasfeminë dhe dhunën.

Çdo deformim i qëllimshëm i realitetit përdhos dinjitetin e së vërtetës dhe krijon kushtet që shtrembërimi të fitojë fuqi detyruese në jetën individuale dhe shoqërore.

Gënjeshtra përfaqëson një ndërhyrje të vetëdijshme në marrëdhënien ndërmjet mendimit dhe realitetit, me synimin për ta orientuar gjykimin drejt një përfundimi të paracaktuar. Ajo vepron duke deformuar kriteret e njohjes, rendin e argumentimit dhe mënyrën e interpretimit të fakteve, derisa përfundimi i dëshiruar të fitojë pamjen e një të vërtete të vetëkuptueshme. Për këtë arsye, forca e saj nuk qëndron te mohimi i plotë i fakteve, por te aftësia për t’i riorganizuar ato sipas një logjike që fsheh qëllimin dhe ndryshon kuptimin. Sa më i vogël të jetë shtrembërimi fillestar, aq më pak bie në sy ai; megjithatë, pasojat e tij zgjerohen vazhdimisht, sepse çdo devijim i gjykimit bëhet pikënisje për devijime të reja.

Në këtë proces shfaqet dimensioni i blasfemisë, sepse gënjeshtra nuk mashtron vetëm njeriun; ajo cenon vetë dinjitetin e së vërtetës, duke zënë vendin që i takon asaj dhe duke pretenduar të njëjtin autoritet. Pikërisht këtu qëndron karakteri i saj blasfemik; një konstrukt i krijuar nga vullneti njerëzor fiton pamjen e një të vërtete që kërkon besim, ndërsa dallimi ndërmjet reales dhe trillimit fillon të zbehet.

Sa më gjatë të zgjasë ky proces, aq më shumë ndërgjegjja mësohet të jetojë me zëvendësimin e së vërtetës nga simulimi i saj.

Duhet theksuar se gënjeshtra bart njëkohësisht edhe dimensionin e dhunës, kjo mbasi çdo shtrembërim i qëllimshëm kërkon kushte që e mbrojnë nga kundërshtimi dhe që e bëjnë të qëndrueshëm në kohë. Fillimisht këto kushte ndërtohen përmes ndikimit mbi gjuhën, kujtesën dhe mënyrën e interpretimit të fakteve. Më pas ato shtrihen në institucionet, normat dhe marrëdhëniet shoqërore, derisa deformimi të fitojë statusin e një rendi të pranuar. Në këtë çast, dhuna nuk shfaqet domosdoshmërisht si forcë e dukshme; ajo vepron përmes kufizimit të hapësirës së mendimit, të dyshimit dhe të debatit, duke e bërë pranimin e gënjeshtrës gjithnjë e më të lehtë, ndërsa refuzimin e saj gjithnjë e më të vështirë.


Përvoja historike dëshmon se e dallon këtë mekanizëm, sepse e di se marrëdhënia me të vërtetën nuk mund të ndërtohet mbi deformimin e qëllimshëm të reales. Si e tillë, ajo kërkon përputhjen e mendimit me atë që është, gatishmërinë për ta korrigjuar gjykimin dhe përulësinë për ta pranuar kufirin e dijes. Pikërisht për këtë arsye, gënjeshtra nuk mbetet një gabim i zakonshëm i mendimit; ajo shndërrohet në një mekanizëm që përdhos të vërtetën, ushqen dhunën dhe dobëson aftësinë e njeriut për të dalluar realitetin nga konstruktet që synojnë ta zëvendësojnë atë.


***

c) Dhuna përmban në aktin e saj blasfeminë dhe gënjeshtrën.

Çdo imponim kërkon një autoritet që ta legjitimojë dhe një rrëfim që ta justifikojë, derisa forca të paraqitet si e drejtë, ndërsa nënshtrimi si rend i natyrshëm.

Dhuna nuk kufizohet në ushtrimin e forcës fizike. Ajo shtrihet në çdo veprim që cenon lirinë e njeriut për të gjykuar, për të zgjedhur dhe për të jetuar sipas së vërtetës që arrin të njohë. Për këtë arsye, çdo formë dhune synon ta ndryshojë marrëdhënien ndërmjet njeriut dhe realitetit, duke e zëvendësuar bindjen e lirë me pranimin e imponuar.

Sa më gjatë të zgjasë ky proces, aq më shumë nënshtrimi fiton pamjen e një gjendjeje të zakonshme, ndërsa liria fillon të perceptohet si burim pasigurie.

Në vetë këtë proces shfaqet dimensioni i blasfemisë dhe kjo për arsyen e thjeshtë se dhuna nuk kërkon vetëm bindje; ajo synon të uzurpojë autoritetin që i përket së drejtës dhe së vërtetës, duke ia atribuar vetes të drejtën për të përcaktuar kufijtë e lejueshmes, të drejtës dhe të gabuarës. Forca fiton kështu një status që tejkalon natyrën e saj, ndërsa pushteti fillon të paraqitet si burimi i fundit i legjitimitetit. Pikërisht në këtë çast dhuna e përdhos rendin moral, sepse zë vendin e së vërtetës dhe kërkon bindje ndaj vetes në emër të një autoriteti që e ka shpallur vetveten të pakontestueshëm.

Ndërkohë që dhuna bart njëkohësisht edhe gënjeshtrën, sepse asnjë imponim nuk mund të qëndrojë gjatë vetëm mbi forcën; ai ka nevojë për një rrëfim që e shpjegon, e arsyeton dhe e paraqet si të domosdoshëm. Për këtë arsye, çdo rend i ndërtuar mbi dhunën prodhon një gjuhë të vetën, një kujtesë të vetën dhe një interpretim të vetin të historisë, me synimin që imponimi të perceptohet si drejtësi, ndërsa nënshtrimi si zgjedhje e arsyeshme. Kur ky rrëfim rrënjoset në ndërgjegjen kolektive, dhuna fillon të ushtrohet edhe pa praninë e vazhdueshme të forcës, sepse vetë njerëzit bëhen ruajtës të mekanizmave që i kufizojnë.

Një kulturë e ndërtuar mbi të vërtetën e dallon këtë proces si një nga deformimet më të thella të ekzistencës njerëzore, kjo ngaqë e kupton se legjitimiteti i një rendi buron vetëm nga pranimi i lirë i së vërtetës dhe nga aftësia e saj për të formësuar ndërgjegjen, sjelljen dhe marrëdhëniet njerëzore.

Vetëm një rend i mbështetur mbi këtë marrëdhënie arrin të ruajë njëkohësisht dinjitetin e njeriut, lirinë e gjykimit dhe besimin e ndërsjellë që e bën të mundur bashkëjetesën.

Pikërisht për këtë arsye, dhuna fiton një përmasë shumë më të thellë se imponimi i forcës. Ajo cenon lirinë, deformon marrëdhënien e njeriut me të vërtetën dhe dobëson dinjitetin që buron nga aftësia për të gjykuar dhe për të zgjedhur lirisht. Në kuadër të këtij procesi, imponimi shndërrohet në mënyrë organizimi të jetës, ndërsa nënshtrimi fiton pamjen e një rendi të pranueshëm. Brenda saj bashkohen blasfemia, që uzurpon autoritetin e së vërtetës, dhe gënjeshtra, që deformon përmbajtjen e saj. Kështu, akti i dhunës shfaqet si forma më e dukshme e një procesi që kishte filluar shumë më herët në mendim, në gjuhë dhe në ndërgjegje.

***


Secila prej këtyre marrëdhënieve zbulon dimensionin e veçantë të mënyrës se si njeriu ndërton, humbet ose mbron marrëdhënien e tij me të vërtetën. Vetëm shqyrtimi i tyre si pjesë e një tërësie lejon të kuptohet procesi përmes të cilit deformimi i së vërtetës depërton në mendim, formëson etikën, ndikon politikën dhe përthithet nga jeta e përditshme, derisa fiton pamjen e një rendi të natyrshëm.

Pikërisht në këtë pikë shfaqet rreziku më i madh qytetërues, sepse mekanizmat e ndërtuar mbi blasfeminë, gënjeshtrën dhe dhunën fitojnë aftësinë të riprodhojnë vetveten edhe kur burimi i tyre nuk është më i dukshëm, duke kaluar nga imponimi i jashtëm në vetëdijen e njeriut dhe në zakonet e bashkëjetesës.

Reflektimi i një mentaliteti të shëndoshë nxjerr në pah se e dallon këtë proces duke ruajtur aftësinë për ta vënë vazhdimisht në provë autoritetin, për ta ballafaquar gjykimin me realitetin dhe për ta mbrojtur lirinë e ndërgjegjes nga çdo pretendim absolut.

Andaj, mbrojtja e së vërtetës fiton përmasën e një akti themelor qytetërues.

Ajo mbron njëherazi dinjitetin e njeriut, lirinë e ndërgjegjes, besimin që mban të lidhur jetën e përbashkët dhe aftësinë e shoqërive për t’i bërë ballë çdo forme uzurpimi, shtrembërimi dhe imponimi. Pikërisht mbi këtë marrëdhënie ndërtohen qytetërimet që synojnë të zgjasin në kohë, sepse e vërteta nuk është vetëm objekt i njohjes; ajo është edhe kusht i lirisë, i drejtësisë dhe i vetë bashkëjetesës njerëzore.

(*) Më kërkuan disa miq të afërt të bëj një përshkrim të gjendjes në Shqipëri. U përpoqa të shkruaj diçka që, sipas bindjes sime, i qëndron sa më afër realitetit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version