Ky artikull është shkëputur nga libri “Teoria e Artit Islam: Koncepti estetik dhe struktura epistemike”, me autor Idham Muhamed Hanash. Kapitulli: Aspekti komunikativ i artit islam: Teoria dhe zbatimi.

Ky kapitull shqyrton veçori që i mundësojnë artit islam të veprojë si një gjuhë e gjithanshme që bashkëpërdoret nga njerëzit, kulturat dhe qytetërimet në mbarë botën.

Shtjellimi nuk do të mbështetet në teorinë e tanishme mbizotëruese të ndërlidhjes, e cila duke qenë një epërsi perëndimore, ka të bëjë pothuajse tërësisht me mediume dhe të dhëna. Përkundrazi, ne do të flasim për një teori të përgjithshme dhe të përbotshme të dijeve njerëzore që përfshin gjithçka, që nga filozofia e deri tek arti.

Synimi ynë është që të shqyrtojmë anën komunikative të artit islam në marrëdhënie me atë që ne mund ta emërtojmë “kultura komunikative islame” dhe zbatimi i saj tek imazhet në përgjithësi, veçanërisht në ato që lidhen me artin e kaligrafisë arabe.

Rëndësia e kësaj teme bëhet edhe më e dukshme, nëse marrim parasysh nevojën për njohuri dhe mjeshtëri në jetën e përditshme. Kjo nevojë shpërfaqet në industrinë e komunikimit që është në zhvillim e sipër, qoftë me shkrim apo me gojë, duke përfshirë fushën e reklamave, mediumeve, llojet e vizatimit, etj. Arti islam, në përgjithësi, dhe kaligrafia arabe në veçanti, përbëjnë një mundësi shkrirjeje në programe të llojeve të ndryshme bashkëveprimi. Në të vërtetë, kaligrafia arabe është tashmë një nga përbërësit themelorë të dizajnove komunikative dhe arteve pamore, veçanërisht në artin e shtypshkrimit.

Në këtë kuptim, ka lindur një formë e re arti që mund të emërtohet “kaligrafia e shkronjave të shtypit”, si përgjigje kundrejt kërshërisë për studimin e veçorive gjeometrike dhe tipografike të dorëshkrimeve arabe.

Megjithatë, është për të ardhur keq, që ne kemi vetëm pak studime të thelluara dhe të vazhdueshme, sa i përket aspektit komunikativ të artit islam.

Mbi kulturën e komunikimit

1. Koncepti i komunikimit

Fjala arabe (teuāṣul), që do të thotë komunikim, e ka prejardhjen nga rrënja foljore uaṣale, që nënkupton t’i lidhësh ose të bashkosh në një, dy gjëra së bashku. Komunikimi është një ide e njohur dhe e përdorur gjerësisht, si në nivele kulturash, ashtu sikurse edhe në nivele qytetërimesh. Është mënyra që lidh anëtarë të një bashkësie apo shoqërie të tërë dhe njerëzit e ndryshëm të botës. Shprehja e ideve në mënyrë vetjake, apo përgjatë bashkësive të ndryshme, shoqërisë, kulturave apo qytetërimeve, bëhet nëpërmjet shkollave dhe lëvizjeve intelektuale, mbështetur në teoritë ndërvepruese, bashkëbiseduese, rigjallëruese, përparimtare dhe bashkëkohore, lindja dhe zhvillimi i të cilave është shtyrë nga rrethana dhe ngjarje historike. Ecuria e lindjes dhe zhvillimit u rrit nga një gjallëri e vazhdueshme e “ndarjes” (faṣl) dhe “bashkimit” (uaṣl), ku ndarja ka të bëjë me atë se çfarë ndodh kur qeniet dhe idetë ndryshojnë dhe dëmtohen, në çfarëdo pike në të shkuarën, ndërkohë që bashkimi ka të bëjë me vlerën dhe gjallërinë e qenieve, ideve, njerëzve dhe bashkësive, të cilat u kanë qëndruar kufijve kohorë dhe hapësinorë.

Marrëdhënia mes ndarjes dhe bashkimit në të dyja nivelet; teorik dhe zbatues, më së miri kuptohet nëse mbështetemi në idenë e ndërveprimit dhe plotësueshmërisë, meqë në kulturën arabe shpeshherë ato nuk kanë ndonjë dallim të madh midis tyre. Mund të thuhet se çdo fushë e jetës arabo-islame ka teorinë e vet të ndarjes dhe bashkimit me përcaktimet e veta të përdorimit në sferën e njohurive njerëzore. Duke pasur parasysh vështirësinë e shkëputjes së lidhjeve të kësaj dukurie të binjakëzuar – pra, ndarjes dhe bashkimit – qoftë në nivelin teorik, qoftë në atë praktik, kultura arabe, në të shumtën e rasteve, i ka parë këto si një dyzim të cilin ne e quajmë “komunikim” (teuāṣul).

Kështu që termi “komunikim” mund të kuptohet si një lloj mënyre e të shprehurit, shkëmbimi njohurish që mund të ndodhë te çdonjëra dhe në të gjitha kulturat dhe qytetërimet. Ideja e komunikimit është e mishëruar në marrëdhënien gjallëruese mes dy kaheve të kundërta të dyzimit, disa prej të cilave janë të ngjashme dhe të tjerat të ndryshme, siç është për shembull, thelbi dhe njëjtësia, forma dhe përmbajtja, modeli dhe stili, thelbi dhe rastësia, marrëdhënia dhe bashkëbisedimi, lidhjet gjinore sipas linjës së gjakut dhe sipas martesës, çiftimi dhe ndërveprimi, idetë dhe pikëpamjet, etj.

2. Horizontet teorike të komunikimit

Qeniet njerëzore zotërojnë një prirje që ua ka dhënë Zoti dhe që është e rrënjosur thellë, për të dhënë dhe për të marrë dije, gjë e cila prej kohësh ka qenë çështje hetimi, teorizimi dhe zbatimi në fushën e fesë, filozofisë dhe shkencës. Brenda përmbajtjes islame, dëshira për të ditur ka qenë e mbarsur me një lloj ndjesie të nderimit dhe qëllimit adhurues. Ajo përmendet tërthorazi në suren El-A‘Râf, 7:172, ku thotë: “Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë kundër vetes së tyre, u tha: ‘A nuk jam Unë Zoti juaj?’ Ata u përgjigjën: ‘Po, dëshmojmë se Ti je!’ Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Kiametit: ‘Këtë nuk e kishim ditur’”. E njëjta prirje shfaqet në rrafshin shoqëror, ku ne mund të vërejmë se, për të lulëzuar, njerëzve u nevojitet një rrjet marrëdhëniesh shoqërore i sunduar nga rregulla dhe tradita të përbashkëta, që shërbejnë si themelet e një mënyre kuptimplotë të komunikimit.

Megjithatë, ka ende paqartësi, nëse komunikimi duhet shpjeguar nga një pikëpamje eksperimentale e ndjesore, apo duhet parë si metodë, dukuri a ide e përcaktuar qartë. Paqartësisë, lidhur me idenë dhe aftësinë e komunikimit, iu drejtuan një numër teorish që e japin të shprehurit si një lloj veçorie të përgjithshme kulturore e cila nuk kufizon të folurit rreth mënyrës së të menduarit dhe shpërfaqjes së njerëzve, marrëdhënieve të tyre, si dhe anëve të tjera të jetës së tyre vetjake dhe shoqërore.

Teoria gjuhësore, siç lë të kuptohet nga emri, e shpjegon komunikimin si diçka që ka lidhje me gjuhën dhe aftësinë e saj për të përcjellë ide dhe të dhëna. Sipas kësaj teorie, çdo veprim komunikimi duhet të jetë i lidhur me rregullat gjuhësore, qoftë të përcaktuara apo të papërcaktuara, që sundojnë marrëdhëniet ndërmjet prirjeve për shkëmbim gjuhësor, të vëna në dukje nga Roman Jakobson (1896-1982), si fjala vjen, marrësi, dhënësi, lajmëtari, përmbajtja, drejtuesi dhe rregulli.

Megjithatë, teoria gjuhësore e sheh gjuhën njerëzore vetëm si njërën nga larmitë e shumta të sistemeve simbolike të komunikimit, disa prej të cilëve gojarisht, të tjerët ndryshe. Zhvillimet filozofike në këtë teori, e cila e tjetërsoi pikëpamjen nga një vegël me veprim të drejtpërdrejt në një shenjë e cila tregon – drejtpërdrejt ose tërthor, me ose pa fjalë – qëllimet dhe kuptimet e qëllimshme, çuan në mundësinë e ndarjes së komunikimit në dy lloje kryesore: gjuhësor (foljor) dhe jogjuhësor (pa përdorur fjalë).

Ndarja i hapi rrugë përpunimit, përmes të cilit gjuhësia u degëzua në disa shkenca të ndryshme gjuhësore dhe lëndë të rëndësishme, si për shembull: gjuha e shenjave dhe estetika e letërsisë dhe artit, të cilat merren me dukuri kulturore, si në nivele vetjake, ashtu edhe në ato shoqërore. Si pasojë, pikëpamja e komunikimit u zhvendos nga ajo që nënkuptonte një vijimësi, në fushën epistemologjike që më së miri mund të përshkruhet brenda një ngrehine kulturore, sesa thjesht në kuptimin gjuhësor. Tashmë, pikëpamja mbi komunikimin shkoi përtej një shkëmbimi asnjanës midis palëve, ku përfshinte një marrëdhënie frytdhënëse e gjallëruese, të mbështetur njëkohësisht në përbërës kulturorë e gjuhësorë, përfshirë një varg idesh dhe veglash komunikuese, duke përfshirë edhe leximin, shkrimin, përmbajtjen, dëshminë dhe ligjërimin, ku të gjitha këto përbëjnë thelbin epistemologjik të komunikimit.

Në të njëjtën kohë, koncepti i komunikimit u shoqërua me pasqyrimin metaforik dhe kulturor, si veshjet, sjelljet, shenjat pa përdorur fjalë, terminologji të përshtatura, apo fjalori i rrugës, që u zhvilluan ndërmjet anëtarëve të një zanati apo mjeshtërie të veçantë, të tillë si kompjuter, televizor, ose lloje të tjera të teknologjisë dhe elektronikës, gjuha e shenjave për ata që vuajnë nga mungesa e dëgjimit, si dhe rrugë të tjera të komunikimit. Përparimi në fusha të tilla si këto, siguroi një mjedis i cili ushqeu zhvillimin e teorisë së komunikimit dhe zbatimin e saj audioviziv. Në këtë mënyrë, u mundësua tejkalimi i çdo largësie, duke iu përmbajtur teorisë së parashtruar nga Marshall McLuhan (1911-1980) dhe shndërrimit të botës në një fshat të vetëm komunikimi, ku gjithsecili ka një pjesë të vogël në gjithçka. Ky shndërrim mundësohet falë zhvillimeve të jashtëzakonshme teknologjike dhe digjitale, tashmë të dëshmuara në fushën e komunikimit përmes mediave gjithnjë e më të larmishme, që nga botimet tradicionale në letër, me shkrim dore dhe shtypi, deri te media elektronike dhe mënyrat e ndryshme të përdorura për prodhimin e lajmeve, mes të cilave mund të përmendim: montazhin, dizajnon, prodhimin, shpërndarjen etj.

3. Një qasje e re në zgjidhjen e çështjeve komunikuese

Ndryshimet epistemike lidhur me komunikimin, çuan në shfaqjen e teorive gjuhësore të paparashikueshme, teorive në lidhje me mediat dhe teoritë filozofike, të cilat pohuan lidhjen thelbësore midis komunikimit, në njërën anë, dhe në anën tjetër, aftësitë shprehëse dhe përparimi kulturor në nivele vetjake e shoqërore. Nga sa u tha më lart, del se zhvillimet rreth idesë së komunikimit ishin teori teknike dhe të zbatueshme që përqendroheshin në pajisje, mënyra, synime dhe qëllime komunikimi, siç edhe shpërfaqen në strukturë, thelb, njëshmëri, veçori, sjellje, etj. Ndryshime të mëtejshme, gjithashtu, çuan në përpjekje për të rindërtuar të gjithë idenë e komunikimit dhe për ta renditur atë nga ana epistemologjike, nga pikëpamja e shkencës së komunikimit, ose komunikologjia.

Fusha e kësaj shkence i ka trashëguar të dhënat, teorike dhe praktike, nga teoritë e mëparshme të komunikimit. Lënda e kësaj fushe mund të përmblidhet në përgjigjen e disa pyetjeve thelbësore: Përse ndërlidhemi (teoria zbatuese)? Për çfarë ndërlidhemi (teoria epistemologjike)? Kur dhe ku ndërlidhemi (teoria sociale)? Si ndërlidhemi (teoria teknike)? Nga të gjitha këto, përftohet një rrjet teorish komunikuese, mbështetur në të dhënat e trashëguara nga shkëmbimet njerëzore, si në botën e ideve, të dhënave, kuptimeve dhe vlerave të pastra teorike, ashtu edhe në sende të prekshme, veprime, mënyra dhe tradita.

4. Teoritë e përgjithshme dhe të veçanta të komunikimit

Këta dhe përbërës të tjerë të cilët, në mënyrë shoqërore apo vetjake, përbëjnë themelin epistemologjik të shkencës së komunikimit, ose komunikologjisë, ka të ngjarë të na mundësojnë ndërtimin e një ideje mbi komunikimin nga një apo dy pikëpamje të ndryshme:

(a) Teoria e përgjithshme e komunikimit – parasheh të gjitha llojet e komunikimit, sikur të ishin në thelb një përzierje e vetvetishme njerëzore e veçorive, nevojave shoqërore dhe sjelljes, të cilat zhvillohen si përgjigje ndaj përplasjeve, bashkëveprimit, shkëmbimit dhe shkrirjes së kulturave, përmes një ligjërate të përbashkët.

(b) Teoria e veçantë e komunikimit – e sheh komunikimin sipas fushës së vet dhe ka të bëjë me hulumtime shkencore të lidhjeve mes komunikimit dhe shkencës, njerëzisë, arteve dhe nëndegëve të ndryshme.

Në veprimtarinë e përgjithshme, komunikimi është lidhëza kulturore që bashkon dhe përputh anët shoqërore dhe ekonomike të njohurive, në njërën anë, dhe nga ana tjetër, bashkon anët estetike të njohurive, domethënë, njohuritë që kanë të bëjnë me rendimentin, pasqyrimin dhe tjetërsimin e dobishëm të ideve dhe ndjenjave, përmes rrugëve krijuese artistike. Pra, e thënë ndryshe, mënyrat e të shprehurit.

5. Modeli i komunikimit

E parë nga këndvështrimi tekniko-artistik, komunikologjia duket sikur është e ngjashme me kulturën, ku termi “kulturë” përfshin njëherësh mesoren, porosinë, marrëdhënien, teknikën dhe llojin. Në këtë mënyrë, komunikologjia është e mbështetur jo vetëm në sistemin gjuhësor (në kuptimin e fjalëve të folura dhe të shkruara) për të arritur komunikimin, por, përveç kësaj, shkrihet brenda një sistemi epistemologjik apo një rrjeti simbolesh të cilat janë të larmishme për nga lloji, kuptimi dhe lidhjet kulturore.

Kultura e përcaktuar në fjalë – veçanërisht provat e saj krijuese në letërsi dhe art, si dy fushat që i kushtojnë vëmendjen më të madhe estetike mënyrave të të shprehurit – përbën në këtë mënyrë, armën epistemologjike për komunikologjinë, sot e njohur gjithashtu si modeli i komunikimit.

Kultura islame e komunikimit

1. Koncepti islam i komunikimit

Kurani, si burimi kryesor i njohurive dhe vlerave islame, paraqet atë që mund të emërtohet një “kulturë islame komunikimi”, mbështetur në parimin e njohjes së ndërsjellë (el-ta‘āruf). Në suren El-Huxhurât, 49:13, Zoti thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu, është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë”.

Termi në arabisht el-ta‘āruf i nënkupton të dyja: njohuritë e fituara përmes përpjekjeve dhe mësimnxënies (el-ma‘rifeh), si dhe ato që fitohen përmes përvojave vetjake (el-‘irfān), pra, kuptimi apo ndërgjegjësimi rreth diçkaje përmes të menduarit mbi ndikimet e saj. Në botëkuptimin islam mendohet që njerëzit të komunikojnë midis tyre duke u mbështetur qoftë në parimet morale, qoftë në ato estetike. Parimet morale pasqyrohen në përgjegjësinë e komunikimit, sipas porosisë së Kuranit: “Mos shko pas diçkaje për të cilën nuk ke dijeni! Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, të gjitha këto do të merren në përgjegjësi”. (Surja El-Isrâ’, 17:36). Ndërsa parimet estetike mund të shihen në përshkrimin e llojit ideal të komunikimit që gjendet në suren En-Nahl, 16:125, ku Zoti thotë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij dhe i di më së miri ata që janë në rrugë të drejtë”.

2. Shkenca e komunikimit islam

Dega që më së miri përmbush strukturën teorike dhe metodike të kulturës islame të komunikimit, është shkenca e gojëtarisë (‘ilm el-bejān), e cila merret me çdo lloj shenje që mbart kuptim dhe, në këtë mënyrë, ua mundëson njerëzve të kuptojnë njëri-tjetrin. Përkufizimi i fjalës bejān rrjedh nga folja bāna/ jabīnu, që do të thotë të jesh ose të bëhesh i qartë.

Sigurisht, veprimi i të sqaruarit që u përmend më lart si bejān, shkon përtej gjuhës, në kuptimin e zakonshëm të fjalës, dhe përfshin një sistem që përmban gjuhën dhe mjetet e komunikimit të cilat kujdesen për qartësi dhe kuptim, qoftë përmes fjalimit, shkrimit, shenjave, apo mënyrës me të cilën shfaqet një qenie. Lidhur me këtë, El-Xhāhidh (v. 255 p.h./868 e.r.) vuri në dukje se “pjesa e gojëtarisë përfshin të gjitha qeniet që shkëmbejnë kuptime, qofshin ato me gojë apo me shkrim. Këto entitete ndahen në pesë njësi: (a) gjuha e folur (el-lafẓ), (2) shenja (ishārah), (3) shenjat numerike me dorë (el-‘akd), (4) shkrimi (khaṭṭ) dhe (5) gjuha e trupit (el-niṣbah)”.

“Pjesa e gojëtarisë” për të cilën flet El-Xhāhidh, u shndërrua në shkencë që mbështetet në krahasimin dhe dallimin e theksuar, duke përfshirë kritikën artistike e cila merret me bukurinë e të shprehurit, saktësinë e domethënies dhe komunikimin e vazhdueshëm e të dobishëm, përmes përdorimit të stileve artistike – gjuhësore dhe jogjuhësore – të cilat shpjegojnë dhe sqarojnë kuptimin. Këto pesë njësi mundësojnë ndarjen e fushave të ndryshme të komunikimit brenda kulturës islame në: (a) komunikim gjuhësor përmes së folurit (el-lafẓ), (b) komunikimi kulturor përmes shenjave (ishārāt), shenjat numerike me dorë (el-‘akd), shkrimi (khaṭṭ) dhe gjuha e trupit (el-niṣbah). Megjithatë, mjeti me të cilin njerëzit shkëmbejnë kuptime, gjendet në përfytyrimet mendore.

3. Koncepti komunikues i “imazhit” (Ṣūrah)

Koncepti i “imazhit” (ṣūrah) në kulturën islame të komunikimit përfshin thelbin dhe rastësinë, formën dhe përmbajtjen. Si i tillë, përfshin “çdo formë shpërfaqjeje që do të ishte në përputhje me thelbin”. Duke i qëndruar këtij koncepti, “përfytyrimi i një gjëje është pasqyrimi i natyrës abstrakte dhe hijeve të saj në mendjen tonë”. Çdonjëri zotëron një përfytyrim që e kthen në simbol, e tregon, e shënjon, ose e shpreh në vijimësi gjatë sqarimit dhe komunikimit në nivele të ndryshme, të dijes, sjelljes, etj.

Imazhi është një matje dhe përfaqësim i asaj që dimë në mendjen tonë, përmes asaj që shohim me sytë tanë. Kur shohim dallimin midis anëtarëve të një qenieje apo shtrese të caktuar, këto dallime gjenden në nivel përfytyrimi dhe jo në nivele thelbësore, apo të anës së brendshme.

Siç bëhet e ditur nga këndvështrimi islam, mesa duket, imazhi është porosia dhe mesorja njëkohësisht, sa i përket njehsimit të qenieve dhe gjërave, shprehjes së ndjenjave dhe ideve, rendimentit të veprimit dhe lëvizjeve, përshkrimit të formës dhe përpunime të tjera, të cilat tregojnë se imazhi është në zemër të kulturës islame të komunikimit, zemër e cila rreh me kuptim dhe qëllim, si dhe aftësi për të përcjellë kuptueshmëri,ndërgjegjësim, qartësi, lidhje dhe komunikim, ngaqë qeniet ekzistuese për nga natyra janë të ndjeshme, kur përfaqësohen apo shfaqen si simbole përmes përfytyrimit. Kuptimet në vetvete, mesa duket, nuk kanë ndonjë vlerë estetike ose artistike. Përkundrazi, vlera e tyre estetike ose artistike gjendet në tjetërsimin e tyre në imazhe, përmes përdorimit të mendjes e cila i zhvendos ato nga mbretëria e arsyes dhe e logjikës, drejt një ndjesie trupore, në mënyra të qarta komunikimi.

4. Teoria islame e ilustrimit

Në kulturën islame të komunikimit imazhi mund të krahasohet me lëndën parësore që përbën qenësinë, dijen dhe bashkëveprimin. Vetë gjithësia është një përfytyrim që na drejton për nga qëllimi, natyra e vërtetë dhe burimi i saj, që është: “Ai është Allahu, Krijuesi, Zanafillësi, Ai që çdo gjëje i jep trajtë. Atij i përkasin emrat më të bukur; Atë e përlëvdon gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë, Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Surja El-Hashr, 59:24). Prandaj, vegimet mund të jenë burim gjuhësor, filozofik dhe ndërgjegjësim fetar ndaj çdo gjëje që ekziston, ngaqë çdo gjë e qenësishme ka një mënyrë përfytyrimi, përmes së cilës mund të bëhet e ditur natyra e saj.

Pra, është imazhi ai përmes së cilit mishërohet komunikimi. Kështu që, një imazh është i krahasueshëm me një kuptim, ide, çështje, ose një mënyrë e të shpërfaqurit të domethënies dhe natyrës së vërtetë të gjërave. Teoria islame e ilustrimit është e mbështetur në natyrën disa shtresore të komunikimit të vlerave të diturisë te të dyja nivelet – mendimit ideor dhe kuptimit ndjesor – në lidhje me gjithçka të qenësishme, që nga anët e brendshme të shpirtit njerëzor, deri tek anët e jashtme përtej hapësirës. Ky komunikim mundësohet përmes imazheve të shumëfishta dhe të larmishme, të cilat për nga natyra i përkasin niveleve shtresuese të krijimit: sfera e dukshme e qenieve, qenësia mendore, idetë dhe format. Gjenden katër nivele të ekzistencës: të shkruarit, të folurit, mendësia dhe thelbi i gjërave. Ndër këto katër nivele, më i hershmi shërben si mjet për të treguar më të vonshmin. Fjalët e shkruara, fjala vjen, të çojnë te fjalët e folura të cilat të çojnë te mendësia e cila të çon te thelbi i gjërave. Nuk duhet harruar, sigurisht, që thelbi përfaqëson nivelin më të vërtetë dhe më të mirëfilltë të qenësisë.

Përpunimi i domethënies së këtyre gjërave, komunikimi me ‘to dhe përmes tyre, në përputhje me larminë e niveleve të ekzistencës, mishërohet përmes përfytyrimeve. Çdo gjë në botën shpirtërore zotëron qenësinë e vet jashtë mendjes. Kur ndjehet një gjë e tillë, formohet një përfytyrim mendor përkatës. Nëse përfytyrimi mendor që shkaktoi ndjesinë shpërfaqet me gojë, fjalët që përdoren në këtë veprim të të shprehurit, e bëjnë dëgjuesin të formojë një përfytyrim të ngjashëm në mendjen e vet. Si rrjedhojë, kuptimi do të ketë një tjetër lloj ekzistence, në lidhje me domethënien e fjalëve në mendjen e atij që i dëgjon (bota e ideve, kuptimet dhe shprehjet përmes fjalëve). Shkronjat e shkruara në një fletë formojnë fjalë, kuptimi i të cilave mandej merr trajtën e përfytyrimit në mendjen e lexuesit. Si pasojë, shkronjat e shkruara gjithashtu kanë njëfarë ekzistence në lidhje me mënyrën se si ato u japin fjalëve kuptim, pastaj fjalët i japin kuptim diçkaje që nuhasin (botës së formave: të shkruarit, shkrimit).

Mesa duket, kultura islame e komunikimit i ka dhënë shkrimit të dorës (el-khaṭṭ) rëndësi të veçantë, për shkak të aftësisë së tij të veçantë për ta përcjellë kuptimin. Ashtu si fjalët e folura, edhe fjalët e shkruara mund të përcjellin kuptim në një mënyrë të drejtpërdrejtë dhe aty për aty. Ndryshe nga fjalët e folura, fjalimet e shkruara, gjithashtu, mund të përçojnë kuptime, në mungesë dhe në mënyrë të tërthortë. Me fjalë të tjera, mund të përçojnë kuptime tek ata që nuk kanë qenë të pranishëm, kur fjalët janë shqiptuar. Prandaj, shkrimet janë më të dobishme sesa fjalët e folura.

Arsyeja themelore për të gjitha këto është se gjërat e shkruara me dorë janë një trup me një imazh, ku trupi përbëhet nga forma gjeometrike, disa të rrumbullakëta, disa këndore. Kultura islame e komunikimit ka zhvilluar teorinë e përgjithshme filozofike të imazhit, mbështetur në përbashkim dhe larmi, sa i përket natyrës, si dhe në punë e plan, sa i përket fushave të shumta epistemologjike. Kjo e bën imazhin një temë të rëndësishme hulumtimi në shkencën pamore, e cila merret me përpunimet fizike që përfshijnë shikimin dhe punët që kryen vetë syri. Një gjë e ngjashme mund të thuhet edhe për rëndësinë e hulumtimit në “shkencën e vizatimit” (‘ilm el-resm), e cila merret me krijimin e formave dhe prodhimin e pamjeve. Nga pikëpamja epistemologjike, ‘ilm el-resm mbështetet në përdorimin e formave gjeometrike për të vizatuar. Kjo gjeometri shërben si zanafillë dhe si përcaktore e modelit. Sa për vizatimin, ai përfshin formimin e shkronjave sa më bukur që të jetë e mundur, duke vërejtur me kujdes përmasat e duhura mes shkronjave.

Deri më tani, një fushë tjetër e rëndësishme e përfytyrimit është estetika (‘ilm el-xhemāl), e cila vlerëson në mënyrë vendimtare punën krijuese dhe shprehëse të një imazhi artistik. Parimi i vizatimit të një imazhi të përsosur që njihet si “trajtë e bukur” (ḥusn el-takuīm) dhe që është frymëzuar nga shpallja e Zotit: “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer (Surja Et-Tîn, 95:4), është fuqia teorike e “shkencës së vizatimit” e cila, gjithashtu, mund të emërtohet si “shkenca islame e modelit të shprehjes” (‘ilm el-taṣmīm el-teuāṣulī el-islāmī) dhe teoria e ilustrimit të saj.

5. Përbashkimi dhe larmia e imazhit

“Shkenca e vizatimit” që krahasimisht është më shumë se “shkenca islame e modelit të komunikimit”, punon për prodhimin e imazheve të përshtatshme për një larmi fushash epistemologjike. Në fushën e letërsisë, fjala vjen, poezia gjithnjë është përshkruar si një lloj ilustrimi; në fushën e astronomisë, gjithashtu, kemi libra që përmbajnë ilustrime të planetëve dhe trupave të tjerë qiellorë përmes vizatimeve, ndërkohë që gjeografia ka prodhuar harta të llojeve të ndryshme.

Mbështetur në ato që thamë më sipër, mund të vërehet se përfytyrime të tilla, ashtu siç janë të larmishme për nga forma, trajta, kuptimi dhe zbatimi në aspektin epistemologjik, janë pjesë të disa shkencave, fushave të hulumtimit dhe arteve. Prandaj një imazh mund të jetë:

(a) Një vegël apo mjet qartësimi dhe komunikimi, siç është për shembull, në gjuhë, letërsi, poezi, arsyetim dhe fusha të tjera.

(b) Një ide, një temë, apo një porosi, që lidhet me qartësime epistemologjike ose komunikuese, siç ndodh në fushat e fizikës, optikës dhe inxhinierisë.

(c) Njëkohësisht, një mesazh dhe ndërmjetësim krijues, siç ndodh në arkitekturë dhe arte.

Në kulturën islame të komunikimit imazhet dhe llojet e tyre teorike – shkencë, letërsi, art – mund të ndahen në disa kategori, lloje dhe nivele. Në këtë kuptim, vlen të theksohet që Ebū Ḥajān El-Teuḥīdī (v. 413 p.h./1023 e.r.) ka përmendur më shumë se pesëdhjetë lloje imazhesh, duke përfshirë, fjala vjen, “imazhin hyjnor” i cili është shpërfaqur në përbashkim, themeluar në zotërim të përhershëm dhe gjithmonë i pranishëm. Renditja më e ulët e përfytyrimit, sa i përket dijes dhe qenësisë, është ai i kaligrafisë (el-ṣūrah el-khaṭṭijeh).

6. Teoria e përgjithshme dhe e përveçme e ilustrimit

Konceptet shpjeguese dhe komunikuese të imazhit si dhe larmia epistemologjike e tyre përbëjnë “lëndën” e një teorie të përgjithshme që zbatohet në të gjitha fushat e diturisë arabo-islame dhe në njohuritë njerëzore në përgjithësi. Parakushti për një teori të tillë është fakti që përfytyrimi, si në kulturën islame, ashtu edhe në atë të mbarë njerëzimit, është jo vetëm një mjet sqarimi, por është njëkohësisht mesore dhe mesazh.

Duke u mbështetur në teorinë e përgjithshme të ilustrimit, ne mund të identifikojmë një numër teorish të veçanta në fushat epistemologjike (shkencë, art dhe ato humane) ku vepron imazhi. Në këto fusha ne gjejmë një gamë të gjerë imazhesh të llojeve, formave dhe funksioneve të panumërta: disa trunore, ideore, përrallore, të tjera të vërteta dhe të prekshme, por që të gjitha i nënshtrohen një renditjeje sipas detyrave që kryejnë në lidhje me sqarimin dhe shprehjen.

Përfytyrimet themelore në mendësinë tradicionale islame mund të renditen në ato të gjuhës, kaligrafisë dinamike ose figurative dhe ilustrative. Imazhi gjuhësor, fjala vjen, përfaqësohet nga format e të shkruarit që përdorin fjalë dhe kuptime, të tilla si vargje, rreshta dhe gjini të tjera letrare. Në këtë rast, imazhi kaligrafik përfaqësohet nga figurat artistike të krijuara përmes bukurshkrimit. Imazhi dinamik ose figurativ përfaqësohet nga vizatimi i sendeve, dukurive, veprimeve, ngjarjeve, rrëfenjave dhe llojeve të tjera të vizatimit, si për shembull, ilustrimi i El Uāsiṭī’ i Makāmāt të El-Ḥarīrīt. Sa i përket imazheve ilustruese, ato përfaqësohen nga vizatime abstrakte që përçojnë të dhëna apo fakte shkencore në fushën e inxhinierisë, mjekësisë, bimësisë, botës shtazore, gjeologjisë, yjësisë, etj.

Nga pikëpamja epistemologjike, megjithatë, të gjitha këto lloj përfytyrimesh mund të ndahen në dy grupe: (1) trunor, ideor, përrallor, ose (2) të vërtetë, të prekshëm dhe të kapshëm nga syri i njeriut. Në cilësinë e tyre si vegla që emërtojnë dhe përshkruajnë gjëra, për njëjtësimin e secilës qenie të aftë për t’u ndjerë, përfytyruar, parë apo dëgjuar, këto përfytyrime sigurojnë themelet për rregullimin e njohurive komunikuese në një numër më të saktë renditjesh, lënda e të cilave, aftësitë njohëse zakonore, apo tiparet e veçanta kulturore janë të përcaktuara nga përfytyrime të rëndësishme pamore, mendore, ose gjallëruese/figurative.

Nga këto fusha ose specializime, më të dukshmet janë komunikimi letrar dhe artistik.

Imazhi kaligrafik si shembull i aspektit komunikativ të artit islam

Koncepti i “imazhit kaligrafik”

I parë nga këndvështrimi arabo-islam, ka një dallim mes të shkruarit (kitābeh) dhe shkrimit (khaṭṭ), ku kitābeh është një ide gjithëpërfshirëse që përmbledh gjithçka që bie brenda kuadrit të gjuhës, letërsisë dhe artit. Kitābeh mund të jetë i natyrës krijuese dhe, në këtë rast, do të merrte trajtën e veprave prozaike në fusha të tilla si letërsia, historia, filozofia dhe të ngjashme me to. Përndryshe, mund të marrë trajtën e shkrimit të shkruar me dorë (khaṭṭ) që, në këtë rast, do të shpërfaqej si shëmbëlltyra dhe përvijime.

I parë nga këndvështrimi epistemologjik arabo-islam, kitābeh është zanafilla gjuhësore e khaṭṭ. Si i tillë, kitābeh është më i gjerë dhe më përfshirës sesa khaṭṭ.

Khaṭṭ “mund të shërbejë si një ilustrim ose mbishkrim” për të shkruar (kitābeh). Rrjedhimisht, gjuhëtarët, njohësit e vargjeve dhe kritikët e shohin khaṭṭ si “shëmbëlltyrën e shkrimit” (ṣūrat el-kitābeh), “shëmbëlltyrën e fjalës së folur’ (ṣūrat el-lafẓ)”, dhe ‘shëmbëlltyrën e kuptimit’ (ṣūrat el-ma‘nā).

Njëkohësisht, mund të bëhet një dallim midis dy niveleve të khaṭṭ. Niveli i parë, që ka të bëjë me atë artistik, gjuhësor dhe anën kuptimore, mbështetet te khaṭṭ si një mënyrë e të shkruarit që përfshin “formimin e shkronjave, veshjen e tyre me petkun e hollësive dhe vendosjen e tyre në mjediset më të bukura”. Sa i përket nivelit të dytë, ai mbështetet në idenë se khaṭṭ nuk është asgjë tjetër, veçse një shëmbëlltyrë, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se gjuhëtarët, kritikët dhe të tjerë priren t’i renditin shkronjat arabe mbështetur në marrëdhëniet e tyre sipas hierarkisë kuptimore me njësitë ekzistuese në tri renditje: (1) shkronjat e kuptimit (ḥurūf ma‘neuijeh), (2) shkronjat zanore (ḥurūf lafẓijeh) dhe (3) shkronjat nënrenditëse (ḥurūf khaṭṭijeh).

El-Teuḥīdī shtjellon zhvillimin e përsiatjes dhe komunikimit të shkrimit arab dhe rolin e tij si shëmbëlltyrë që mbështetet në atë që ai e quan ‘lëvizje’ (ḥarakah). Ai shprehet: “Kur shkronjat formohen nëpërmjet lëvizjes së dorës së kaligrafistit, ato prodhojnë një shëmbëlltyrë kaligrafike të përbërë nga shkronja me një ‘përputhje’ të dukshme dhe të qëndrueshme, falë njëjtësimit të tyre me një stil të veçantë (naskh, kufik, etj.)”.

Duke pasur parasysh ato që thamë më lart, ‘imazhi kaligrafik’ është një vizatim, formë ose përmbyllje e nënkuptimit të një njësie thelbësore të kapshme nga syri, ose atë që disa filozofë myslimanë arabë e përshkruajnë si ana ‘trupore’ e të shkruarit (kitābeh). Kjo shëmbëlltyrë është ajo që disa historianë të artit të kaligrafisë arabe e quajnë “lloji ose shpirti i vërtetë i shkrimit arab”.

Teoria komunikative e artit të kaligrafisë arabe

Qasja e aftësive njohëse që kultura islame e komunikimit ka miratuar ndaj kaligrafisë, sqarohet në thëniet e mëposhtme:

(a) “Shkrimi më i mirë është shkrimi që mund të lexohet për t’ia nxjerrë kuptimin dhe pjesa tjetër është naksh.” Fjala naksh nënkupton pjesën e shkrimit që është zbukuruar, stolisur, artistikisht i larmishëm, i ngjyrosur, i përvijuar dhe të ngjashme me to. Teknika të tilla përbëjnë atë që njihet si ‘dizajno kaligrafike’ (el-taṣmīm el-khaṭṭī), e cila mund të mbushë shëmbëlltyrën kaligrafike me kuptime shtesë, ose me domethënie që lindin nga të kuptuarit e shkrimit si “një shëmbëlltyrë shpirtërore”. Shkrimi është një shëmbëlltyrë dhe shpirti është aftësia e tij për të komunikuar dhe qartësuar.

(b) “Shkrimi është një shenjë. Prandaj, sa më i qartë të jetë, aq më i bukur është”, pasi në fushën e komunikimit “shkrimi më i bukur është shkrimi më i qartë dhe shkrimi më i qartë është më i bukuri”.

(c) Kur shkrimi largohet nga roli veprues që luan në duart e shkrimtarëve, redaktorëve, apo të ngjashëm me ta, dhe hyn në fushën e artit dhe estetikës, bukuria e tij rrjedh nga shëmbëlltyra dhe përvijimi. Shkrimi i shkruar me dorë më pas bëhet ‘njësi në lëvizje, edhe pse është në prehje’. Shkrimi i këtij lloji sjell kënaqësi, madje edhe për një të huaj që nuk është në gjendje ta lexojë.

‘Alāmeh Islame: Një aplikim

1. Koncepti dhe termi

Fjala ‘alāmeh, në këtë rast, nënkupton stemë, pullë dhe vulë zyrtare të shtetit islam. Përdorimi i fjalës ‘alāmeh është një traditë e kahershme e prijësve, sundimtarëve dhe shteteve myslimane. Parulla kryesore e Islamit gjithmonë ka qenë: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe Muhamedi është i dërguari i Tij” (Lā ilāhe ilā Allāh ue Muḥammadun rasūlu Allāh). Ky është caktimi themelor më besnik, përpara të cilit njerëzit kanë dëshmuar, e kanë pohuar me zemër, është shkruar lart në flamuj, është shfaqur edhe në monedha të qeverive të njëpasnjëshme islame. Megjithatë, stema e parë islame e pranuar gjerësisht – në kuptimin shprehës dhe artistik – ishte vula fisnike profetike.

Jetëshkruesit e Profetit dhe veprat që rrëfejnë cilësitë dhe punët e tij të lavdërueshme, i përshkruajnë imtësitë artistike të kësaj vule, ku më të rëndësishmet janë: (1) Ka qenë e bërë me argjend dhe mban mbishkrimin: “Muhamedi, i dërguari i Allahut”, ku “Muhamed” është shkruar në rreshtin e parë, “i dërguar” në rreshtin e dytë dhe “Allah” në rreshtin e tretë. Lexohej nga fundi në fillim (pra, me emrin e Allahut në krye). (2) Vula profetike u mbajt nga tre pasardhësit e parë, Ebū Bakri, ‘Omer Ibn El-Khaṭṭāb dhe ‘Othmān Ibn ‘Affān, të cilët e mbajtën me vete më shumë si një shenjë bekimi, sesa për arsye praktike lidhur me detyrat e tyre si sundimtarë, ngaqë secili prej tyre kishte një vulë të veten. Vula e Ebū Bakrit mbante mbishkrimin: Ni’me el-Kādir Allāh (I Gjithëfuqishmi, i Gjithafti), vula e ‘Omerit mbante mbishkrimin: Kefā bil-meuti uā‘iẓān ja ‘Omar (Vdekja është një paralajmëruese e mjaftueshme, o ‘Omar!) dhe vula e ‘Othmānit mbante mbishkrimin: La teṣburanne eu la tandumanna (Qëndro me durim, ose vare kokën në turp). Lidhur me pasardhësin e katërt, ‘Alī Ibn Ebī Ṭālib, vula e tij mbante mbishkrimin: El-mulku lillāh El-Uāḥid El-Kahhār (Pushteti i përket Zotit që është një, Sundues, Mbizotërues).

Gjatë sundimit të kalifit umajad Mu‘āuijeh Ibn Ebī Sufjān, vula e sundimtarit u kthye në një rregull zyrtar, i njohur si Dīuān El-Khātim, që do të thotë: Zyra e Unazës me Vulë. Ky mund të ketë qenë hapi fillestar për themelimin e traditës së stemës, vulës, pullës dhe nënshkrimit në kulturën islame të komunikimit. Kërshëria në tradita të tilla nuk ndaloi me sunduesit, mbretërit, sulltanët, prijësit, kryetarët, gjykatësit dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë, por u shtri në mbarë shoqërinë islame. Ndërsa dijetarët e fesë, shkencëtarët, mistikët, tregtarët dhe prodhuesit gjithashtu, filluan përdorimin e vulave në zanatet e tyre përkatëse. Unazat me vulë të përdorura nga disa njerëz kishin të gdhendura shprehje të veçanta, ndërsa të tjerat mbanin nënshkrimet e mësuesve, shkrimtarëve, letrarëve, sundimtarëve të rëndësishëm dhe të udhëheqësve të tjerë, si një lloj shenje dalluese.

2. Përcaktimi komunikues i stemës islame

Kërshëria e gjerë rreth stemës islame në nivele popullore dhe zyrtare ndikoi në zhvillimin që stema pësoi lidhur me përmbajtjen, formën, lëndën më të cilën ishte ndërtuar, emrat e gdhendur në ‘të, kuptimet që përcillte, etj. Ngrehina e saj ishte e mbështetur në dy përbërës: (1) elementi cilësor që merr trajtën e një shprehjeje foljore, kuptimin dhe domethënien; dhe (2) elementi pamor që e shfaq vetveten si formë, përfytyrim, shenjë dhe ligjërim.

Është e vështirë të ndash elementet cilësore dhe pamore të përpunimit artistik dhe ata të dizajnos në stemës islame, ngaqë, përgjithësisht, një stemë e tillë është një përfaqësim kaligrafik i një porosie të shkruar apo të folur. Teksti është themeli i përfytyrimit në të gjithë ligjëratën shprehëse.

Prandaj, ato gjenden në një përafri të natyrshme përbashkimi nga ana strukturore dhe të larmisë vepruese e kuptimore. Duke u mbështetur te këta dy përbërës – cilësor dhe pamor – stemat islame mund të ndahen në tre lloje: (1) në ato ku puna strukturore dhe shprehëse është e mbështetur barazisht në anën shkrimore dhe pamore, siç është rasti me vulën profetike, (2) në ato ku puna strukturore dhe shprehëse është e mbështetur më shumë tek elementet e shkruara sesa ata pamore, siç është rasti me vulat e prijësve pasardhës umajadë dhe abasidë, sulltanëve dhe të tjerë (burimet historike nuk kanë asnjë përshkrim të formës apo trajtës që merrnin vulat, ndërsa shkrimi i gdhendur në to sqaron pikëpamjen politike dhe fetare të pronarit), (3) në ato ku puna strukturore dhe shprehëse është e mbështetur më shumë tek elementet pamore sesa ato të shkruara.

Shembulli më i qartë dhe më i njohur i kësaj lloj steme është ajo që quhet tughra (El-ṭughrā’), që është vula zyrtare e përdorur nga sulltanët, veçanërisht ata të periudhave mamluke dhe selçuke, duke përfunduar me Perandorinë Osmane. osman, ose vulën domethënëse të mbretërisë dhe pavarësisë. Çdo sulltan osman kishte tughra-n e vet dhe disa prej tyre dihej se kishin më shumë se një.

Shumë prej hulumtuesve, kritikëve, artistëve, kaligrafëve etj., janë përballur me pyetjen, se si ta renditin tughra-n. Mendimi i përgjithshëm i dijetarëve për tughra-n është zhvendosur nga theksi në qëllimin e saj të drejtpërdrejtë, te fushat e politikës, drejtësisë dhe shkresat, te veçoritë artistike dhe kaligrafisë së saj, të cilat mund të mos japin një përkufizim shkencor, akademik, apo teknik, thjesht nga pikëpamja historike. Nganjëherë, tughra renditej thjesht si një përshkrim i shkruar bukur, herët e tjera si një formë arti që përdor forma gjeometrike, porosia e të cilave jepej përmes marrëdhënies shkrimor-pamor. Megjithatë, dijetarët nuk janë pajtuar kurrë, se cila është pikërisht natyra shprehëse e tughra-s.

Një numër dijetarësh e shohin tughra-n si një lloj kaligrafie arabe e veçantë për osmanët, në të cilin ata përshtatën disa lloje shkrimi, duke shfrytëzuar rregullat të njohura të shkrimit, kur ndërtonin ato që njihen si “struktura kaligrafike”. Disa dijetarë e shohin tughra-n si një lloj zbukurimi të kaligrafisë arabe, i cili mund ta bëjë atë më shumë një “zbatim arti”, sesa një formë arti në vetvete. Sidoqoftë, të tjerët e kanë parë tughra-n si asgjë më shumë sesa një përfytyrim, ndërsa shkrimet e saj thjesht si një mënyrë e të vizatuarit. Ç’është e vërteta, dijetarë të tillë e shikojnë çdo mënyrë të shkruari që ka lidhje me shkronjat apo vizatimet, si një lloj tughra.

Përkundër pikëpamjeve të ndryshme të anës pamore të tughra-s, disa kritikë kanë parashtruar qëndrime më asnjanëse lidhur me faktin nëse tughra është një formë e veçantë e artit osman, e vendosur diku mes shkrimit dhe vizatimit. Sipas këtyre kritikëve të vonshëm, tughra mund të përshkruhet si vizatim i mbështetur në shkrim, që e merr firmën e vet nga përfytyrimet e zogjve të caktuar përrallorë apo simbolikë që gjenden në kulturat islame të popujve. Fjala vjen, për arabët grifoni është zogu grabitqar i gojëdhënave që përmendet te Njëmijë e Një Netët; zogu i lumturisë për turqit; apo zogu i gojëdhënave të persëve që simbolizon rojtarin e mbretërisë, derisa më në fund, kthehet në hyjni. Kjo pikëpamje bëhet e besueshme nga fakti që në këndvështrimin e disa studentëve të tughra-s, kjo stemë shkoi përtej të qenit thjesht një shenjë që simbolizon fuqinë mbretërore, duke hyrë në botën e formës abstrakte, aq e veçantë për artin islam.

3. Shprehja nga ana pamore dhe cilësore – vështirësitë

Qasjet akademike për tughra-n kanë qenë të prira të përqendrohen më tepër në përmasat politike dhe historike, sesa në anën shprehëse, të cila mund të studiohen përmes shenjave dhe simboleve. Një qasje e tillë i shikon stemat me syrin e shpjegimit të anëve gjuhësore, kulturore dhe artistike, brenda kulturës islame të komunikimit në nivelet e të shkruarit, folurit, pamor e cilësor. Burimet historike, gjuhësore dhe letrare përmbajnë një larmi stemash islame në të cilat elementi shkrimor është me rëndësi. Megjithatë, të njëjtat burime e vendosin mjaftueshëm theksin në anën pamore, për t’i dhënë vizatimit kaligrafik, si të thuash, njëjtësi të dyzuar (shkrim-pamje). Nga njëra anë, ne kemi format gjeometrike dhe ritmet poetike të shpërfaqura në artin e kaligrafisë arabe, nga ana tjetër, kemi vetë gjuhën arabe. Për shkak të dyzimit të tyre (shkrimor-pamor), përbërësit e kaligrafisë së stemave islame nuk janë përballur kurrë me pyetje të herëpashershme të njëjtësisë, e cila tradicionalisht është ngritur nga hulumtuesit, historianët, kritikët, artistët dhe kaligrafët që merren me tughra-n, fjala vjen. Pyetja është kjo: A është tughra thjesht një shkrim i pakuptueshëm, apo përcjell mençuri të përvuajtur? A është një shenjë e fuqisë dhe e ligjit? Mos vallë, ngrehina e saj pasqyron mungesën e lirisë për t’u përfshirë në krijimtari pamore, si pasojë e ndjeshmërisë islame lidhur me të ushtruarit e vizatimit dhe përfaqësimit pamor?! Apo është e hapur për një shkallë të gjerë sqarimesh, edhe nëse shikuesi nuk është në gjendje të zbërthejë shkrimin e tughra-s si dhe anën pamore të bukurshkrimit të saj?

Pyetje të tilla si këto, burojnë nga fakti që studiuesit kanë qenë më të përqendruar te format gjeometrike të gjendura në stemën islame, sesa në përmbajtjen e saj që përbëhet nga emra të sulltanëve osmanë. Ndonjëherë, është e vështirë t’i dallosh këta sulltanë nga njëri-tjetri, ngaqë ndryshimi i emrit të sulltanit çon në ndryshime të shkrimit nga njëra tughra te tjetra. Siç e kemi theksuar, fjala tughra lidhet me unazën me vulë të një sulltani osman, ose vulën domethënëse të mbretërisë dhe pavarësisë. Çdo sulltan osman kishte tughra-n e vet dhe disa prej tyre dihej se kishin më shumë se një.

Shumë prej hulumtuesve, kritikëve, artistëve, kaligrafëve etj., janë përballur me pyetjen, se si ta renditin tughra-n. Mendimi i përgjithshëm i dijetarëve për tughra-n është zhvendosur nga theksi në qëllimin e saj të drejtpërdrejtë, te fushat e politikës, drejtësisë dhe shkresat, te veçoritë artistike dhe kaligrafisë së saj, të cilat mund të mos japin një përkufizim shkencor, akademik, apo teknik, thjesht nga pikëpamja historike. Nganjëherë, tughra renditej thjesht si një përshkrim i shkruar bukur, herët e tjera si një formë arti që përdor forma gjeometrike, porosia e të cilave jepej përmes marrëdhënies shkrimor-pamor. Megjithatë, dijetarët nuk janë pajtuar kurrë, se cila është pikërisht natyra shprehëse e tughra-s.

Një numër dijetarësh e shohin tughra-n si një lloj kaligrafie arabe e veçantë për osmanët, në të cilin ata përshtatën disa lloje shkrimi, duke shfrytëzuar rregullat të njohura të shkrimit, kur ndërtonin ato që njihen si “struktura kaligrafike”. Disa dijetarë e shohin tughra-n si një lloj zbukurimi të kaligrafisë arabe, i cili mund ta bëjë atë më shumë një “zbatim arti”, sesa një formë arti në vetvete. Sidoqoftë, të tjerët e kanë parë tughra-n si asgjë më shumë sesa një përfytyrim, ndërsa shkrimet e saj thjesht si një mënyrë e të vizatuarit. Ç’është e vërteta, dijetarë të tillë e shikojnë çdo mënyrë të shkruari që ka lidhje me shkronjat apo vizatimet, si një lloj tughra.

Përkundër pikëpamjeve të ndryshme të anës pamore të tughra-s, disa kritikë kanë parashtruar qëndrime më asnjanëse lidhur me faktin nëse tughra është një formë e veçantë e artit osman, e vendosur diku mes shkrimit dhe vizatimit. Sipas këtyre kritikëve të vonshëm, tughra mund të përshkruhet si vizatim i mbështetur në shkrim, që e merr firmën e vet nga përfytyrimet e zogjve të caktuar përrallorë apo simbolikë që gjenden në kulturat islame të popujve. Fjala vjen, për arabët grifoni është zogu grabitqar i gojëdhënave që përmendet te Njëmijë e Një Netët; zogu i lumturisë për turqit; apo zogu i gojëdhënave të persëve që simbolizon rojtarin e mbretërisë, derisa më në fund, kthehet në hyjni. Kjo pikëpamje bëhet e besueshme nga fakti që në këndvështrimin e disa studentëve të tughra-s, kjo stemë shkoi përtej të qenit thjesht një shenjë që simbolizon fuqinë mbretërore, duke hyrë në botën e formës abstrakte, aq e veçantë për artin islam.

4. Dizenjo komunikative e tughra-s

Të dhëna të caktuara historike dhe mbetje arkeologjike na tregojnë shprehjen përmes së cilës forma dhe përfytyrimi i tughra-s kaloi gjatë përpunimit kohor. Të dhënat tona përshkruajnë tughran-n e selçukëve si në formën e një harku, ku forma e harkut është një stemë e një fisi të vjetër turk. Me sa duket, në kulmin e një fushate shkrimi, qëllimi i së cilës ishte të siguronte nënshkrimin për sulltanin selçuk Tughril Beg (v. 455 p.h./1063 e.r.), shenja e një steme mund të ketë mbartur formën e thjeshtë të shkronjës arabe jā’, siç duket në fundin e një fjale (ي).

Sidoqoftë, të dhënat historike më të qarta dhe format lidhur me tughra-n vijnë nga ajo që njihet si “letërsia e shkrimtarëve” (edeb el-kuttāb), një gjini letrare që merret posaçërisht me lajmet e Zyrës së shkëmbimeve, urdhrave, nënshkrimeve dhe riprodhimeve të tyre në shtetet islame. Të dhëna të tilla shfaqin tughra-n e mamlukëve në formën e një katrori apo drejtkëndëshi të përbërë nga shkronja vertikale të tekstit të nënshkruar, i cili më vonë mori formën e tughra-s osmane.

Disa kritikë bashkëkohorë dhe studentë të artit islam e shohin tughra-n si “një figurë vezake” dhe asgjë më shumë. Në të vërtetë, ky imazh apo formë mund të ketë përbërë elementin e parë krijues të vizatimit shprehës të artit islam, qoftë shkrim apo vizatim. Si i tillë, ka qenë vatra e “lojës” artistike që po luhej nga një bashkësi piktorësh dhe kaligrafësh, të cilët mund t’i quajmë “artistët e tughra-s”. Një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të kësaj bashkësie ishte Muṣṭafā Rākim (v. 1234 p.h./1826 e.r.), i cili mendohet t’i ketë dhënë tughra-s osmane formën përfundimtare.

Siç është sqaruar në figurën e mësipërme, tughra përbëhet nga një varg elementesh të veçantë pamorë. Aty gjendet tuğs (që në gjuhën turke do të thotë shtizat e flamurit) dhe që përfaqësohet me tri vija vertikale që dalin nga maja e tughra-s dhe që nënkupton pavarësinë. Lakoret e brendshme dhe të jashtme (beyze) në anën e majtë të tughra-s thuhet se nënkuptojnë dy detet mbi të cilat sulltani osman besohet të ketë shtrirë pushtetin e vet. Lakorja e jashtme që është më e gjerë, përfaqëson detin Mesdhe, ndërsa lakorja e brendshme që është më e vogël, përfaqëson detin e Zi. Vijat në formë S-je që duken si vela të cilat ndërpriten nga shtizat e flamurit tuğs (të quajtura zylfe), nga vetë këndi i tyre nënkuptojnë erërat që fryjnë nga lindja (djathtas) drejt perëndimit (majtas), lëvizja tradicionale e osmanëve. Vijat që zgjaten për nga jashtë në drejtim të anës së djathtë të tughra-s, quhen hançer dhe nënkuptojnë shpatën, simbolin e pushtetit dhe fuqisë. Në qendër të tughra-s gjendet kaul (deklarata). Në fund të tughra-s është i shkruar emri i sulltanit dhe ky element quhet sere. Dhe në fund, majtas, është gjetur nënshkrimi i hartuesit që kishte vizatuar tughra-n.

Kur tughra hyri në sferën e formës abstrakte me zhvendosjet e lehta të sqarimit, këta artistë gjetën pikëpamje të gjera shprehëse të vizatimit dhe përpara tyre u hapën mundësi krijuese. Ngrehina e përgjithshme artistike e punës së tyre tashmë varej qartësisht nga forma e tughra-s, si dukuri e rëndësishme simbolike pamore. Duke marrë parasysh hapjen e këtyre fushëpamjeve të reja, disa dijetarë të artit islam e përshkruan artin e formave të tughra-s me aq mbiemra sa ç‘kishte fjalë të shkruara, veprime apo qëllime shprehëse.

5. Bashkëkohorja e imazhit kaligrafik

Qartësia e tughra-s ka nxitur kritikët e artit bashkëkohor që ta shohin elementin e saj pamor si një lloj krenarie të trazuar të gjeometrisë, bukurisë dhe krijimtarisë. Për rrjedhojë, elementi i shkruar nuk është parë të shfaqet drejtpërdrejt nga fjalë, emra apo tituj të veçantë që janë përdorur. Kështu që ligjërimi i përgjithshëm i tughra-s (që përbëhet nga ana shkrimore dhe pamore) është shndërruar në një lloj ligjërate në ndryshim, e cila zotëron mundësinë e gjallërimit të përhershëm të sqarimeve dhe leximeve krijuese. Përfytyrimet e vizatuara në tughra shpërthejnë në kuptime të reja, përmes asaj që kritiku i artit Shakir Hasan El Said e quan “përmasa e vetme”, përmes së cilës ai nënkupton vlerën artistike ose estetike që merr forma apo trajta e një shkronje në vetvete, pa qenë nevoja të shprehë një kuptim të caktuar.

Kjo ide shërbeu si themeli i “lëvizjes së shkronjave” në ditët e sotme të artit të bukur arab. Deklarata e kaligrafëve arabë, e lëshuar nga Kuvendi i Parë i Artistëve Arabë të Plastikës, mbajtur në Bagdad, në prill të vitit 1973, thotë: “Gjërat kanë përparuar në atë mënyrë, saqë kaligrafi arab tashmë punon për të gjetur një baraspeshë mes besnikërisë ndaj sundimtarëve, lidhur me vetë dorëshkrimin dhe artin e zbukurimit. Ne mund ta përdorim këtë të fundit si një zbukurim të çliruar nga përmbajtja. Në mënyrë të ngjashme, mund ta përdorim atë si mjetin e të shkruarit në fusha të shumta. Në këtë kuptim, bukurshkrimi është kthyer në një formë hulumtimi akademiko-artistik.”

Strema e tughra-s ka qenë përdorur në mënyra simbolike në vepra të shumta arti dhe letërsie, veçanërisht ato që lidhen me Sufizmin. Ndikimi i tughra-s në artin e kaligrafisë në ditët e sotme mund të shihet, për shembull, në zgjatimin dhe mbivendosjen e shkronjave, ose në hijezimin e hapësirave të caktuara të shkrimit. Prandaj, kur ne shohim një pikturë të bukur, të përbërë nga shkronja të alfabetit arab, na shërben për të na kujtuar atë që ka mbërritur nga kultura islame e të shprehurit, në bashkëveprim me popujt dhe kulturat e tjera në kohët e shkuara dhe në kohën e tashme, përmes ligjërimit të artit, përvojës vetjake dhe leximet pa zë, nga përfytyrimet e dorëshkrimeve arabe.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version