Një valë e fuqishme të nxehti ka përfshirë juglindjen e Australisë, duke rritur ndjeshëm rrezikun e zjarreve në shkurre dhe duke vënë autoritetet në gjendje alarmi. Sipas parashikimeve, qyteti i Melburnit pritet të përjetojë ditën më të nxehtë në gati 17 vjet, me temperatura që mund të arrijnë deri në 45 gradë Celsius.
Byroja e Meteorologjisë e Australisë njoftoi se kushtet e valës së nxehtësisë do të jenë nga të rënda deri ekstreme, me kulmin e tyre të martën dhe të mërkurën, përpara se temperaturat të fillojnë gradualisht të bien më vonë gjatë javës.
Nxehtësia ekstreme ka rritur rrezikun e zjarreve në të gjithë shtetin e Victoria-s, i dyti më i populluar në vend. Një zjarr i madh në rajonin Otways ka djegur rreth 10 mijë hektarë tokë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se erërat e forta mund të përhapin më tej flakët dhe të kërcënojnë zonat e banuara.
Si pasojë, shërbimet e emergjencës kanë ndërmarrë masa të menjëhershme, duke trokitur në dyert e rreth 1,100 shtëpive dhe duke dërguar mesazhe paralajmëruese në rreth 10 mijë telefona, me thirrje të qarta për evakuim të menjëhershëm në zonat më të rrezikuara.
Ndërkohë, edhe qytete të tjera pritet të përballen me temperatura mbi 40 gradë Celsius. Qyteti rural Ouyen, rreth 440 kilometra në veriperëndim të Melburnit, mund të shënojë deri në 49 gradë Celsius, një nivel ekstrem që rrezikon seriozisht sigurinë e banorëve.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin udhëzimet zyrtare, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të jenë të përgatitur për përkeqësim të situatës, ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të ndikojë në rajon.
