Franca mund të bëhet një nga vendet e para evropiane që ndalon rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, me presidentin Emmanuel Macron që ka kërkuar përshpejtimin e procesit ligjor në mënyrë që masa të hyjë në fuqi që në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, në shtator.

“Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë për t’u manipuluar – as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze”, deklaroi Macron, duke theksuar shqetësimin për ndikimin e rrjeteve sociale në zhvillimin mendor dhe emocional të të rinjve.

Projektligji, që pritet të paraqitet më 26 janar në Asamblenë Kombëtare nga deputetja Laure Miller, parashikon ndalimin e rrjeteve sociale për të gjithë fëmijët nën 15 vjeç, si dhe ndalimin e përdorimit të telefonave inteligjentë në shkollat e mesme franceze. Përjashtim do të bëhet për platforma informuese si Wikipedia.

Një nga pikat më të diskutuara mbetet mënyra e verifikimit të moshës. Autoritetet po shqyrtojnë modele të ngjashme me ato të përdorura për faqet pornografike, përfshirë verifikimin përmes dokumenteve të identitetit ose përdorimin e inteligjencës artificiale për vlerësimin e moshës nga fotografitë.

Nisma franceze vjen pas ndryshimeve në udhëzimet e Bashkimit Evropian, të cilat u japin shteteve anëtare më shumë fleksibilitet për të vendosur kufij moshe për aksesin në rrjete sociale, pa rënë ndesh me Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA).

Egjipti i bashkohet valës së kufizimeve

Paralelisht, edhe Egjipti po shqyrton masa të ngjashme. Parlamenti egjiptian ka nisur diskutimet për një ligj që synon rregullimin e përdorimit të mediave sociale nga fëmijët, në një përpjekje për të luftuar atë që ligjvënësit e quajnë “kaos dixhital”.

Presidenti Abdel Fattah al-Sisi i ka kërkuar qeverisë dhe parlamentit të analizojnë përvojat e vendeve të tjera, përfshirë Australinë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën, me synimin për të kufizuar ose ndaluar aksesin e fëmijëve në rrjete sociale derisa ata të arrijnë një moshë të përshtatshme.

Sipas një raporti të vitit 2024 nga Qendra Kombëtare për Kërkime Sociale dhe Kriminologjike, rreth 50 për qind e fëmijëve nën 18 vjeç në Egjipt përdorin rrjete sociale, ku janë të ekspozuar ndaj përmbajtjeve të dëmshme, ngacmimeve kibernetike dhe abuzimeve.

Një trend global në rritje

Këto nisma janë pjesë e një tendence globale. Australia u bë në dhjetor vendi i parë në botë që ndaloi rrjetet sociale për fëmijët nën 16 vjeç, duke nxitur debate të forta mbi privatësinë, sigurinë dhe shëndetin mendor. Edhe Mbretëria e Bashkuar po shqyrton masa më të rrepta për të kufizuar kohën e fëmijëve para ekranit dhe për t’i mbrojtur ata nga përmbajtjet e dëmshme.

Ndërsa gjithnjë e më shumë vende po lëvizin drejt kufizimeve, debati mbi balancën mes mbrojtjes së fëmijëve dhe lirisë digjitale pritet të intensifikohet, me prindërit që mbeten në qendër të kësaj sfide globale.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version