Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka thënë se në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës, këtë të enjte, pritet të jetë në rend të ditës ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK).
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se për këtë çështje duhet të ekzistojë një marrëveshje me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në kuvend. “Kemi marrë nga Gjykata Kushtetuese amendamentet e kërkuara nga Qeveria dhe në këtë seancë mund të jenë dhe mund të mos jenë në rend dite, pasi që duhet të ekzistojë një marrëveshje me të gjithë përfaqësuesit e partive politike në Kuvend që të votohen këto amendamente me votim të dyfishtë”, ka thënë Krasniqi, pas mbledhjes se Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ministri i FSK-së, Agim Çeku, ka shprehur besimin tij se ky proces do të përkrahet nga të gjithë deputetë e Kuvendit të Kosovës, duke shtuar se tanimë nuk ka asnjë arsye të shtyhet kjo çështje. Sipas tij, një gjë të tillë janë duke e pritur edhe partnerët ndërkombëtarë. “Tanimë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë krijuar të gjitha kushtet dhe nuk ka asnjë arsye për çfarëdo vonese për ndryshimin e kushtetutës për themelimin e forcave të armatosura. Mendoj se edhe partnerët tanë ndërkombëtarë jo që e presin e pajtohen me një gjë të tillë, por edhe po e kërkojnë një gjë të tillë, pasi Qeveria ka marr vendim, atëherë ky vendim duhet të jetësohet dhe të fillojë plani i ndërtimit të Forcave të Armatosura”, ka theksuar Çeku për “Epokën e re”.
Ministri i FSK-së nuk pret që këtë proces ta pengojnë as minoritetet pasi, sipas tij, kjo është edhe në interesin e tyre. “Mendoj se arsyeja duhet të mbizotërojë edhe te minoritetet. Ky zhvillim pozitiv është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të gjitha komuniteteve. E di se minoritetet kanë disa kërkesa lidhur me vendet e rezervuara, por besoj se do të mbizotërojë arsyeja dhe do ta përkrahin edhe ata, sepse e di se edhe ata janë të bindur se ky është një zhvillim pozitiv dhe është në interes të tyre”, ka thënë Çeku.
Previous ArticlePlagosje në Fushë Kosovë, katër të arrestuar
Next Article Përkëdheljet, ilac për zemrën e bebeve
Related Posts
Add A Comment