Statistikat botërore: Çdo i katërti, me probleme të shëndetit mendor!

0

Edhe pse nuk ka statistika të sakta në Shqipëri e Kosovë, duke ju referuar statistikave botërore, një në katër persona janë me probleme të shëndetit mendor. Pra, 27 për qind e popullsisë ka të paktën një herë një problem të tillë.
Studimet dëshmojnë se respektimi i identitetit të individit ka një impakt të rëndësishëm në promovimin e shëndetit mendor. Për sa kohë veprimet dëmtojnë dinjitetin dhe nuk respektojnë individin dhe historinë e tij, ato mund të shkaktojnë probleme edhe më të mëdha.

Por, një rol të rëndësishëm ka edhe parandalimi i problemeve të shëndetit mendor, ndaj individët duhet që të edukohen që në moshë të hershme.

Dita Botërore e Shëndetit Mendor është në 10 tetor të çdo viti, me një objektiv të përgjithshëm rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me çështjet e shëndetit mendor në të gjithë botën, si dhe mobilizimin e përpjekjeve në mbështetje të shëndetit mendor.

Kjo ditë u shënua sot edhe nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) në bashkëpunim me Qendrën për Integrim dhe Rehabilitimin e të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë (QIRSKP) në Shtime dhe Organizatën e Punëtorëve Socialë në Kosovë (SWOK).

Njerëzit me çrregullime mendore nëpër botë, e po ashtu edhe në vendin tonë, përjetojnë stigmë, diskriminim dhe shkelje të të drejtave dhe të dinjitetit të tyre. Andaj, shënimi i kësaj dite ka për qëllim ndërgjegjësimin e publikut në lidhje me çështjet e shëndetit mendor, si dhe në promovimin e shërbimeve të shëndetit mendor.

Nisur nga parimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, se “të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta”, motoja për shënimin e kësaj dite në Kosovë ishte: “Unë kam dinjitet”.

Me moton këtë moto u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve dhe autoriteteve përkatëse vendore për shtimin e vëmendjes në trajtimin e merituar dhe pranimin e këtyre njerëzve si pjesë e barabartë e shoqërisë sonë. /Telegrafi/ 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com