Gjykata në Prishtinë sot ka shqiptuar nga 30 ditë paraburgim për Ilir Berishën, Jetmir Kyçykun dhe Sedat Topjanin. Ata dyshohet të jenë marrë me terrorizëm dhe të kenë qenë disa herë në Siri për të luftuar si pjesë e një organizate terroriste.
Ata janë kthyer në Kosovë para disa javësh. Të tre i përkasin një grupi të luftëtarëve nga rajoni i Kaçanikut. Tre të dyshimtit dje u arrestuan nga Policia e Kosovës.
Policia, sipas urdhëresës së gjyqtarit të EULEX-it të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore në Ferizaj, ka realizuar bastisje në dy lokalitete, në Kaçanik dhe në Han të Elezit, me ç’rast janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të tre personave të dyshuar, tanimë të ndaluar e të dënuar me nga një burg.
Përgjimet telefonike, intervista publike të të kthyerve dhe postimet në rrjetin social “Facebook”, janë provat kryesore të cilat Prokuroria është duke i shfrytëzuar për të argumentuar se tre të arrestuarit e djeshëm të dyshuar për vepra terroriste kanë qenë të përfshirë në një formë apo tjetër në luftë në Siri.
Prokurori Suad Kuraja ka drejtuar gjykatësit të procedurës paraprake kërkesën për paraburgim e me të cilën kërkon caktimin e paraburgimit për tre të arrestuarit Ilir Berishën, Sedat Topojanin dhe Jetmir Kyçykun. Kërkesa është dorëzuar edhe për të dyshuarin e katërt Burim Ballazhin i cili për momentin ndodhet në arrati.
Sipas kërkesës së prokurorit Ilir Berisha, Sedat Topojani dhe Burim Ballazhi kanë qenë në Siri dhe kanë luftuar në kuadër të organizatave terrorriste “Al-Nusra” dhe “ISIS”.
Prokurori pretendon se Ilir Berisha dhe Sedat Topojani janë marrë me rekrutimin e personave nga Kaçaniku për luftën në Siri. Ndërsa Jetmir Kyçyku dhe Burim Ballazhi kanë ndihmuar në këtë rekrutim.
Grupi dyshohet se ka pasur komunikim të qartë me Lavdim Muhaxherin, udhëheqësin e shqiptarëve të “ISIS-it” në Siri.
Sipas kërkesës së prokurorit Ilir Berisha udhëheqësi i OJQ-së “Rinia Islame” në Kaçanik ka komunikuar me Lavdim Muhaxherin udhëheqës i shqiptarëve të “ISIS-it” në Siri.
“Me 27 korrik Lavdim Muhaxheri me një SMS i kishte kërkuar Ilir Berishës që të binte në kontakt me Burim Ballazhin për t’ia kërkuar numrat e dy turqve të cilët ndihmojnë kalimin nga Turqia për në Siri”, thuhet në kërkesë.
Ndërsa disa ditë më vonë Ilir Berisha e kishte njoftuar me SMS Lavdimin se disa persona janë nisur dhe dikush duhet të dalë t`i presë.
“Nesër nisen vllaznia prej ktu në ora 11:45 biletat i kanë deri në Hatay me ardh me ballan, kallxom a i prit ai. A i prit në aeroport”, citohet mesazhi i dërguar nga numri të cilin Prokuroria pretendon se e përdorte Iliri në numrin të cilin besohet se e shfrytëzon Lavdim Muhaxheri.
Për të dyshuarin tjetër Sedat Topojanin, Prokuroria beson se në vitin 2012 ka shkuar nga Kosova në Turqi dhe më pas në Siri.
Sedat Topjani nga analizat e prokurorisë del se në Facebook përkrahë “ISIS-in”, e po ashtu në intervistë në emisionin “Jeta në Kosovë” ka pranuar se ka qenë në Siri.
Sipas prokurorit grupi është ndihmuar në Kosovë edhe nga Jetmir Kyçyku, i cili sipas prokurorit ka raporte shumë të ngushta miqësore me Lavdim Muhaxherin, Sedat Topojanin dhe Ilir Berishën.
Kërkesa e Prokurorisë është mohuar nga ana e mbrojtësve.
Gjykatësi i procedurës paraprake i EULEX-it në orët e pasdites ka konfirmuar se ndaj tre të pandehurve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /Gazeta Jeta në Kosovë/