Shpërbërja e Kuvendit e shpëton Smakajn nga shkarkimi

0

Ky veprim dhe probleme të tjera brenda AKI-së, kanë nxitur reagimet e deputetëve kosovarë të cilët kërkonin hetim për drejtuesit e këtij institucionit, madje edhe ndryshime në menaxhim, duke mos përjashtuar edhe shkarkimin e drejtorit Smakaj.

Ky i fundit nuk ka dhënë zyrtarisht asnjë arsye pse nuk ka marrë pjesë në raportim, por gazeta Tribuna merr vesh se Smakaj i është shmangur me qëllim një ballafaqimi të tillë duke u munduar që të mbajë larg vëmendjes së mediave zhvillimet në AKI.

“Smakaj qysh kur i është bërë ftesa, ka planifikuar që të mos shkojë në raportim. Ai po synon që të mbajë larg vëmendjes së publikut zhvillimet brenda këtij institucioni, veçmas arrestimi i fundit”, ka thënë burimi. Sipas të njëjti burim, Smakaj shpreson që Kuvendi i Kosovës të shpërbëhet javën e ardhshme dhe kështu t`i ikë përgjegjësisë në raportim në Komisionin Parlamentar.

Anëtarët e komisionit janë shprehur tejet të nervozuar me këtë veprim të kryespiunit kosovar. Nënkryetari i komisionit, Fadil Demaku, ka thënë se Smakaj ka bërë lëvizje jo të zgjuar dhe të papërgjegjshme që nuk është paraqitur në raportim.

“Veprimi i drejtorit mendoj se është jo i duhur, një veprim infantil, i papërgjegjshëm, joinstitucional dhe joligjor. Ndoshta s’ka qenë i gatshëm, ndoshta është ndier fajtor, ndoshta s’ka pasur mundësi t’u përgjigjet pyetjeve të komisionit, por kjo është shpërfillje e tij për ne”, ka thënë Fadil Demaku.

Deputeti Haxhi Shala, ka thënë se nuk arrin ta kuptojë injorimi e Smakajt ndaj komisionit. “Kjo për mua nuk do koment, kështu që për mua është e pajustifikuar mosardhja e tij para komisionit që të raportojë për gjendjen”, ka thënë Shala.

Veprimi i Smakajt ka përplasur edhe vetë anëtarët e komisionit. Deputeti Burim Ramadani është kundërpërgjigjur në kritikat e kolegut të tij nga PDK, Fadil Demaku ndaj drejtorit të AKI-së, kur ka përmendur sërish shkarkimin e tij.

Sipas Ramadanit, deputeti Demaku po e kthen çështjen e AKI-së në fushatë zgjedhore. “Mos harroni se janë ministrat e partisë në pushtet që nuk shkojnë nëpër mbledhjet e komisioneve përkatëse dhe asnjëherë ata deputetë të partisë në pushtet nuk kanë kërkuar shkarkimin e ministrit, pse nuk ka ardhur në mbledhje të komisionit. Nuk besoj që çështja e AKI-së duhet të kthehet në agjendë zgjedhore në asnjëfarë thirrje, e sidomos jo prej partisë në pushtet”, ka thënë ai.

Polemikën më pas e ka vazhduar edhe Demaku.

“Nga ajo që dëgjova nga zoti Ramadani njëherë m’u mbush mendja që është zëdhënës i zotit Smakaj këtu përpara medieve dhe nuk është mirë që të luhet loja e dyfishtë brenda komisionit të ketë një qëndrim krejt të kundërt kur jemi me dyer të mbyllura, ndërsa para publikut të mbajë një qëndrim tjetër”, ka thënë Demaku.

Ndryshe, pavarësisht mospranisë të premten, Smakaj është ftuar sërish për raportim ditën e martë, atëherë kur aty do të jetë edhe Inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, Agron Selimaj. /Tribuna/ 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com