Ambasadori i Jordanisë në Libi, Fawaz Al-Itan u rrëmbye sot në mëngjes në Tripoli, theksoi një zëdhënës i Ministrisë libiane të Punëve të Jashtme.
“Ambasadori jordanez u rrëmbye sot në mëngjes. Autokolona e tij u sulmua nga një grup personash të maskuar që qarkullonin në bordin e dy veturave”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë libiane të Punëve të Jashtme, Saïd Lassoued, i cili nuk dha më shumë detaje.
Një burim i sigurisë libiane konfirmoi rrëmbimin duke shtuar se shoferi i amabasadorit ishte plagosur pas këtij sulmi.
Sipas Lassoued, qeveria libiane po bën përpjekje për të zbardhur rrethanat e rrëmbimit dhe fatin e ambasadorit.
Që prej rrëzimit të regjimit të Muammar Kadafit në vitin 2011, përfaqësuesit diplomatikë në Libi kanë qenë shpesh shënjestra të sulmeve dhe rrëmbimeve.