Përfaqësues të 11 shoqatave të viktimave të luftës në Bosnjë e Hercegovinë kanë shprehur ditën e sotme zemërimin e tyre për shkak të lirimit të përkohshëm të të akuzuarit për krime lufte, Vojisllav Sheshel, nga Tribunali Ndërkombëtar në Hagë.
“Viktimat janë të indinjuara. Nuk ka drejtësisë, keqbërësit janë të lirë. Askush nuk kujdeset për viktima, vetëm për kriminelët”, u ka thënë sot gazetarëve në Sarajevë, Munira Subashiq, presidente e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës.
Gjykata për Krime të Luftës në Hagë e liroi Sheshelin për të kërkuar trajtim mjekësor në Serbi.
Ai e ka të ndaluar të komunikojë me viktima apo dëshmitarë dhe duhet të kthehet në tribunal kurdo që i kërkohet. Ai vuan nga kanceri në zorrë të trashë.
Në Hagë gjendet që nga viti 2003, dhe është duke pritur verdiktin për gjykimin e gjatë. (REL)