Pripyati 3 dekada pas katastrofës së Çernobilit, një qytet fantazmë

0

Tre dekada pas njërës prej katastrofave më të mëdha bërthamore, shpërthimit në uzinën energjisë bërthamore Çernobil, në qytetin Pripyat ende shihen gjurmët të cilat kanë mbetur pas shpërthimit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Rreth aksidentit të 26 prillit 1986 edhe sot flitet shumë. Pritet që rreziku i përhapjes së materialeve radioaktive të ekzistojë të paktën edhe për tre dekada tjera.

Ekipi AA vizitoi zonën pranë centralit, si dhe qytetin e braktisur Pripyat. Për të hyrë në Çernobil nevojitet leje e posaçme.

Mosha mesatare e 158 njerëzve të cilët ende jetojnë aty është 80 vjet.

Përkundër faktit që kjo zonë është e izoluar dhe e braktisur, kur ti afroheni centralit, ju mund të shihni rreth tre mijë njerëz që punojnë për heqjen e rrezikut të përhapjes së materialeve radioaktive, për shkak se rreziku i përhapjes së rrezatimit në reaktorin e katërt ende ekziston. Punimet për shmangien e rrezikut vazhdojnë me intensitet të plotë dhe financohen nga 44 vende të botës.

Agjencia për Çernobilin dhe Ministria e Ekologjisë të Ukrainës më herët kishin deklaruar se janë hequr materialet radioaktive dhe se rreziku i rrezatimit është zvogëluar për 10.000 herë. Por kthimi i njerëzve në 60 përqind të zonave pranë Çernobilit do të kërkojë tre deri në gjashtë dekada.

Sipas vendimit të Parlamentit të Ukrainës, centrali bërthamor plotësisht do të hiqet deri në vitin 2065. Sipas programit, në fazën e parë e cila është realizuar në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2013 janë zhvendosur pjesët që kërkonin një emergjencë për largim nga centrali. Në fazën e dytë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2022, do të bëhen përpjekje për izolimin e reaktorit, në të cilën ka ndodhur shpërthimi, dhe kontrolli i reaktorëve të tjerë.

Në fazën e tretë, e cila do të zhvillohet nga 2022 deri më vitin 2045, ekspertët do të vëzhgojë situatën, apo nivelin e rrezatimit pas izolimit, kurse në fazën e fundit, të planifikuar për periudhën nga 2045 deri në 2065, është planifikuar të bëhet shembja e centralit dhe të realizohen punët për të hequr mbeturinat.

Qyteti në të cilin para aksidentit kanë jetuar, punëtorët e centralit dhe familjet e tyre, tani është shndërruar në një qytet fantazmë. Brenda pak orësh, një ditë pas shpërthimit, banorët janë evakuuar, dhe qyteti ende rrezikohet nga rrezatimi.

Ndërtesat e braktisura, të cilat janë mbuluar nga pemët në hyrje të qytetit mirëpresin vizitorët. Rrugët dhe bulevardet, sot nuk ekzistojnë. Shtëpi dhe ndërtesa publike të braktisura dhe hotelet nën ndikimin e natyrës janë duke u shkatërruar.

Turet turistike realizohen nën kontroll të lartë të sigurisë me masa të rrepta dhe nën mbikëqyrjen e ekspertëve. Hyrja në ndërtesa është e ndaluar për shkak të nivelit të lartë të rrezatimit në to. Në dalje të qytetit dhe zonës në përgjithësi secili vizitorë i nënshtrohet kontrollit për të përcaktuar nëse janë ekspozuar ndaj rrezatimit.

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com