Burime brenda policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se kandidati për deputet i PDK-së, Elvis Pista, është qëlluar në shpinë dhe ka marrë katër plumba nga një largësi pesë metërshe.
Sipas policisë, Pista është vrarë posa ai ka dalë nga restoranti bashkë me bashkëshorten dhe shokun e tij, i cili ishte po ashtu i shoqëruar nga bashkëshortja.
“Kjo është një vrasje e planifikuar shumë mirë. Vrasësi është fshehur pas një muri të restorantit dhe posa ka kryer vrasjen ka ikur nëpër arën që ishte e mbjellur. Kurse, ne si polici ende nuk i dimë motivet e vrasjes”, ka thënë një burim brenda policisë, transmeton Kosovapress.
Pronari i lokalit në të cilin u vra deputeti i PDK’së Elvis Pista ka rrëfyer momentet tragjike që ndodhën para lokalit të tij.
Gani Jaha ka treguar se i ndjeri është qëlluar me katër plumba dhe se fillimisht është menduar se i ka rënë të fikët.
Ai ka thënë se me Pistën kanë qenë edhe dy shokë të tij me gra, për të kremtuar ditëlindjen e gruas së Pistës.
“Fillimisht kane menduar se i ka rene te fikte Pistës për shkak se nuk ka pasur krisma te armeve. Pastaj ia kanë pare gjakun dhe kanë konstatuar se ka pasur të shtëna me armë. Menjëherë ka ardhur policia dhe tash ata janë duke u marre me këtë rast”, ka thënë Gani Jaha për Express.