Policia e Kosovës ka nisur hetimet ndaj një portali të dyshimit, i krijuar nga një parti politike, e përmes shkrimit të të cilit deri më tash iu ka rrezikuar jeta disa personave.
Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media dëshiron të informojë opinionin publik se ka filluar hetime intensive ndaj një portali të dyshuar i cili publikon shkrime të ndryshme, e që ndikojnë negativisht në opinionin e gjerë.
Si pasojë e shkrimeve të ndryshme, të cilat kanë qëllime nga më të ndryshmet, kanë viktimizuar persona të ndryshëm, ku njëra ndër ta është edhe znj. Alma Lama, ish-deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës apelon tek të gjithë qytetarët që të mos bien pre e provokimeve dhe komentimeve të ndryshme në këtë portal, pasi që ndaj të njëjtit janë duke u kryer hetime nga njësitet relevante policore.
Njësitet policore janë duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet relevante, të cilat mund të ndihmojnë në realizimin e hetimeve konkrete ndaj këtij portali.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe zbatimit të ligjit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike si dhe jetës së qytetarëve, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /TG