Gjykata Kushtetuese e ka thënë fjalën e vet se kujt i takon e drejta për t’u mandatuar për kryeministër të Kosovës. Por, kjo gjykatë nuk ia ka lehtësuar aspak punën parashtrueses së kërkesës për interpretim të dispozitave kushtetuese, presidentes Atifete Jahjaga.
Kushtetuesja ia ka qartësuar se propozimi për mandatar duhet të vijë nga partia që ka fituar më së shumti vende në Kuvendin e Kosovës, që i bie nga Partia Demokratike e Kosovës. Por çka nëse i propozuari i PDK-së, nuk arrin t’i marr 61 votat e nevojshme.
Atëherë, presidentes Atifete Jahjaga i është lënë në vullnetin e saj që të vendosë nëse shansin ne dytë t’ia japë koalicionit paszgjedhor apo t’ia japë të njëjtës parti.
“Nuk përjashtohet që presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë ta propozojë kandidatin tjetër për kryeministër”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. /Tribuna/