Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës (VV), Jusuf Thaçi, ka paralajmëruar se do të largohet nga pozita e drejtorit nëse vërtetohet se dikush është regjistruar pa meritë në shkollat e mesme të Prishtinës. Pohimet e tilla ai i konsideron shpifje. Ndërsa citon Kuranin duke thënë se shpifja është më e rëndë se vrasja.
Me këtë rast, ai ka paralajmëruar se do të largohet edhe drejtori i shkollës ku është bërë manipulimi e më pas edhe ai vet.
Mirëpo, para se të ndodh kjo, Thaçi ka kërkuar nga prindërit të paraqiten në zyrën e tij në Komunën e Prishtinës dhe të lajmërojnë parregullsitë me rastin e regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme të Kryeqytetit.
“Atëherë le të paraqiten javën e ardhshme personalisht tek unë në zyre dhe ju garantoj që me procedurë ligjore drejtori i shkollës shkarkohet, ndërsa unë si drejtor i arsimit largohem nga kjo pozitë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Dje, mediat kanë raportuar se prindërit janë ankuar se ka pasur regjistrime me të njohshëm dhe me ryshfet në shkollat e Prishtinës.
Por, sipas Drejtorit të Arsimit, rastet kur ka pasur regjistrime jashtë kritereve duhet të paraqiten me fakte e jo vetëm me deklarata.
Lexojeni të plotë reagimin e Jusuf Thaçit:
Sinqerisht është e turpshme se si postohen artikuj në disa media pa asnjë bazë. Është parim i gazetarisë që para se të publikosh lajmin duhet të merren përgjigjet e të gjitha palëve dhe për ta publikuar lajmin duhet të kesh dëshmi e jo opinione.
.
U tha sa në Prishtinë ka pasur raste të regjistrimit pa kritere, me të njofshëm e madje edhe me pare.
.
I bëj thirrje secilit qytetar që ka informatë dhe dëshmi se:
– dikush është regjistruar jashtë kritereve të konkursit,
– dikush nga drejtoria e shkollës ka kërkuar para për regjistrim,
– dikush familjar apo i afërm i imi është regjistruar jashtë kritereve,
– dikush familjar apo i afërm i cilitdo anëtar të kabinetit të Prishtinës është regjistruar jashtë kritereve,
– dikush familjar apo i afërm i drejtorit të shkollës është regjitruar jashtë kritereve,
.
Atëherë le të paraqiten javën e ardhshme personalisht tek unë në zyre dhe ju garantoj që me procedurë ligjore drejtori i shkollës shkarkohet, ndërsa unë si drejtor i arsimit largohem nga kjo pozitë!
.
Të gjitha rezultatet janë të publikuara në shkolla dhe mund të konfirmohen edhe në Ministrinë e Arsimit.
.
Ndërsa, nëse dikush ka vërejtje në kriteret e regjistrimit, atëherë kjo është kompetencë e ministrisë dhe ne nuk kemi çfarë bëjmë.
.
P.S.: Për shpifësit e nxitësit po e përcjellë një porosi Kur’anore, me shpresë se do t’i trokasin ndërgjegjes së vet: “Shpifja/nxitja është më e rëndë se vrasja!” – El Bakare, 191