Ekrem Avdiu
Ndoshta është e vështirë të paramendohet se njeriu që me lejen e Allahut e ndryshoi botën kishte lindur jetim ngase para se të lindte i kishte vdekur babai. Ai edhe ishte rritur jetim me plotë kuptimin e fjalës ngase në moshën gjashtë vjeçare i vdes edhe e ëma. Ky është jetimi për të cilin u përkujdes Krijuesi i tij, i cili u rrit nën mbikëqyrjen e kujdesit hyjnor. Ajo që për njerëzit e rëndomtë është humbje, vuajtje, mungesë, për Muhammedin, të birin e Abdullahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ishte përparësi. Në vend se të lihej në kujdesin e krijesës, qoftë ai edhe shumë i dashur, sikur është prindi, atë e mori në përkujdesje Krijuesi. Për këtë arsye, ai, edhe para se të bëhej pejgamber, ishte shëmbëlltyrë në sjellje, qëndrime dhe fjalë. Biografia e tij, edhe para shpalljes është e pastër dhe pa njolla. I lartësuar qoftë Allahu që Muhammedin e zgjodhi dhe përgatiti për të dërguar të Vetin!
E tërë jeta e tij ishte mrekulli në vete, sepse jetoi në një rreth ku, sipas kritereve njerëzore, njeriu e kishte vështirë të mbijetojë qoftë edhe vetëm fizikisht, e lere më, të bëhej njeri i ndershëm, i moralshëm dhe me virtyte të larta. Por këtë rregull e theu Muhammedi, dhe u bë pishtar ndriçues dhe shembull, virtytet e të cilit i admirojnë të largëtit para të afërmve. Ai, përfundimisht dëshmoi se Allahu, as edhe për një moment të vetmin nuk ka hjekur dorë nga njerëzimi, duke u kujdesur për ta dhe duke e lëshuar Mëshirën e Vet të pakufishme, përvec tjerash edhe nëpërmjet të dërguarve të Tij. Muhammedin, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, Allahu e bëri pishtarin ndriçues dhe shembëlltyrën e ndritshme për mbarë njerëzimin. Prej tij patën dobi të gjitha krijesat dhe të gjithë njerëzit pa përjashtim.
Është e pamundur të tregohet në mënyrë gjithëpërfshirëse pse duhet ta duam Muhammedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, por secili prej neve poqëse mendon sado pak, do të vijë në përfundim se ai ishte manifestim i mëshirës së Allahut për njerëzimin, andaj i jemi borxhli, duhet ta duam, respektojmë dhe përfillim mësimet dhe udhëzimet e tij. Para se të flaasim për disa nga të mirat e shumta me të cilat Allahu e privilegjoi njerëzimin nëpërmjet të Dërguarit Muhammed, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, e shoh të udhës të përmend disa fakte që dëshmojnë se Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, kishte autoritet dhe pozitë shumë të lartë tek Allahu i Madhëruar, gjë që edhe neve na obligon në mënyrë të drejtpërdrejtë që ta respektojmë atë. Allahu i Madhëruar e ka vecuar Muhammedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, me disa vecori specifike, prej të cilave:
- Prej të gjithë të dërguarve të mëhershëm, allahu ka marrë zotimin se, në rast se Muhammedi paraqitet në kohën e tyre dhe derisa ata janë gjallë, ata e kanë obligim të konfirmojnë besimin e tyre në misionin e tij dhe ta pasojnë. Këtë zotim Allahu e ka marrë prej secilit të dërguar. Kjo dëshmon vlerën dhe autoritetin e tij tek Allahu dhe te të dërguarit tjerë.
- Misioni i Muhammedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, kishte karakter univerzal, si në kohë ashtu edhe në hapësirë. Këtë e vërteton fjala e Allahut në Kur’an: “Dhe Ne nuk të dërguam ty tjetër, përvecse mëshirë për botët.” (Enbija, 107)
- Allahu i Madhëruar me të e përfundoi procesin e shpalljes dhe vulosi pejgamberinë. Pas tij nuk do të ketë më të dërguar të tjerë. Si plotësim të kësaj mirësia, Allahu ka marrë përsipër ruajtjen dhe garancën e mësimeve të shpalljes që i erdhi Muhammedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, që të mbetet origjinale për të gjitha kohët.
- Ekziston edhe një privilegj shumë i madh dhe i rëndësishëm me të cilin Allahu e ka graduar të Dërguarin e Tij e ai qëndron në mundësinë e ndërmjetësimit që ka Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, për njerëzit në Ditën e Gjykimit. Kjo madje, jo vetëm që është nder për Muhammedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, por është mirësi e madhe edhe për njerëzit.
Arsyet që na obligojnë ta duam Muhammedin, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, janë të shumta. Si të mos e duam njeriun që Allahu e zgjodhi për t’ia besuar pjesën më të rëndësishme të misionit të komunikimit të Fjalës së Tij njerëzimit? A nuk meriton të duhet njeriu, nëpërmjet të cilit, Allahu derdhi mirësitë dhe mëshirën e Tij mbi ne? Njeriu, në jetën e të cilit u betua Allahu i Madhëruar, a nuk është i madh dhe meritor për cdo respekt?
Çdo njeri që është pjesëtar i ummetit të tij duhet të ndijë se është i nderuar me të qenit i këtillë. Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ishte ai, ummetin e të cilit, Allahu e ngriti mbi të gjitha ummetet, e bëri më të numërtin dhe më të mirin. Këtij ummeti Allahu ua largoi të gjitha barrët dhe rëndimet që nëpërmjet shpalljes ua ngarkonte ummeteve tjera për shkak të rebelimit dhe ngritjes krye kundër mësimeve hyjnore. Këtë ummet, Allahu në këtë botë e kurseu, e ruajti prej të gjitha obligimeve të kësaj natyre, duke shpallur për ta vetëm atë që është e lehtë, e natyrshme dhe e dobishme. Ndërsa në botën tjetër, ata do të jenë më të numërtit, më të shpërblyerit dhe të parët që do të hyjnë në xhennet. Sikur të mos kishte kurrfarë përfitimi përvec nderit të të qenit pjesëtar i ummetit dhe pasues i të Dërguarit më të madh dhe njeriut më të famshëm që ka ecur në fytyrën e tokës, do të mjaftonte. Prej tij, në botën tjetër do të përfitojnë edhe banorë të xhehenemit. Ebu Talibi do të ketë dënim më të lehtë se të tjerët për shkak të përkjahjes që i ka bërë Muhammedit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, edhe pse ka vdekur si jomusliman dhe nuk e ka besuar Allahun si duhet.