Ndonëse vizita e kryeministrit shqiptar për në Serbi është ende me pikëpyetje, agjenda është parapërgatitur.
Vetë kryeministri Rama është i vendosur për të mos e anuluar vizitën pavarësisht incidentit të ndodhur në Beogard, por duket se në dilemë është vetë kryeministri serb, i cili është shprehur në media se do të pres këtë fundjavë për të vendosur nëse do ta pres apo jo kryeministrin shqiptar.
Dita e parë – 22 tetor
Sipas agjendës që ka nisur të qarkullojë tashmë në media, kryeministri Rama do të qëndrojë dy ditë në Serbi.
Delegacioni shqiptar do jetë i përbërë nga 14 persona, ku krahas kryeministrit do të jenë edhe ministrat Ditmir Bushati dhe Arben Ahmetaj.
Vizita e Ramës në Beograd ditën e parë më 22 tetor është menduar të nis me një takim me homologun Vucic në orën 11:00 në Pallatin ‘Serbia’. Sipas protokollit gjatë momentit të pritjes do të këndohen të dy himnet kombëtare përkatëse.
Pas takimit kokë më kokë të dy kryeministrave, dhe delegacioneve përkatëse Rama e Vucic në orën 12: 15 minuta, do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku pritet të flitet edhe për incidentin e Beogradit.
Takimi me presidentin
Pas konferencës me Vucic, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim me Presidentin serb Nikolic dhe më pas do të pritet në të takim nga kryetari i Parlamentit të Serbisë.
Pasditen e 22 tetorit, delegacioni dhe kryeministri Rama do të marr pjesë në forumin me titull “Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Serbisë”, ku do të marrin pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik, biznesit dhe shoqërisë civile nga të dyja vendet.
Po kështu, kryeministri Rama do të marrë nga kryebashkiaku i Beogradit, çelësin e qytetit, dhe pas këtij vlerësimi është parashikuar një shëtitje me këmbë në qytet por nuk dihet nëse do të realizohet kjo shëtitje për shkak të tensionit që mbizotëron.
Dita e dytë – 23 tetor
Në fakt data 23 tetor që është edhe dita e dytë e qëndrimit të Ramës në Beograd, përkon edhe me vendimin e UEFA-s në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri dhe gjatë kësaj dite, Rama dhe delegacioni shoqërues do të udhëtojnë drejt Preshevës, fillimisht në sheshin “Liria”, para godinës së Këshillit Komunal, ku do të mbaj dhe një fjalim.
Më pas, kreu i qeverisë shqiptare do të ecë në këmbë deri në maternitetin e financuar pjesërisht nga qeveria shqiptare.
Bujanoc
Bujanoci do të jetë ndalesa e fundit e delegacionit shqiptar, pas të cilit, disa minuta përmbyllëse do të shpenzohen në fabrikën “Protex”. Largimi nga territori serb i delegacionit shqiptar do të bëhet në rrugë tokësore, përmes pikës kufitare të Konqul.
Vizita e kryeministri Edi Rama në Serbi, është vizita e parë e një kryeministri shqiptar në Beograd pas 70 vjetësh.