Hutbe: Porositë e Lukmanit për birin e tij (1/2)

0

Porositë e Lukmanit për birin e tij (1/2)

 

Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Të nderuar vëllezër, xhematlinjë!

Pamje të habitshme, veshje shumë interesante, modele flokësh të importuara, trupa me tatuazhe dhe fjalor rruge kanë sot bijtë dhe bijat tona. Përdorimi i drogës, i alkoolit dhe i duhanit janë problemet kryesore me të cilat ballafaqohen bijtë dhe bijat tona. Nuk ka prind e as mësues që nuk ngre shqetësimin mbi atë se nga po shkojnë të rinjtë tanë. Lajmet dhe raportet janë shqetësuese, pasi fëmijët e sotshëm po futen në burgje, po u hapen dosje në gjykata dhe po mbushin shtëpitë korrektuese dhe rehabilituese.

Shtrohet pyetja: Pse ndodh kjo në një shoqëri që mburret me lashtësinë e saj, me kulturën dhe traditën familjare dhe që është më shumë se 98% e besimit islam? Për çfarë tjetër pos për shkak të mungesës së një edukate të mirëfilltë?

Ndoshta dikush do të thotë se i kemi edukuar fëmijët tanë, jemi munduar, kushtet ua kemi plotësuar me të gjitha të mirat, por prapë rezultate nuk ka.

A thua vallë jemi të sinqertë në atë që pretendojmë apo faji është i yni sepse nuk e kemi pyetur veten se si duhet të edukohen fëmijët me një edukim të mirëfilltë? Apo këto pasoja vijnë si rezultat i një edukimi të gabuar ose fals, apo ka qenë rruga ajo që na i ka edukuar fëmijët, siç po ndodh sot kur familja dhe shkolla nuk kanë ndikim edukativ e arsimor më shumë sesa rruga dhe ata që rrinë nëpër rrugë.

Ndoshta sot dukemi më ndryshe se çfarë e kemi zakon, por ky shqetësim kërkon seriozitet nga ju të dashur baballarë, gjyshër dhe edukatorë të gjeneratave të reja.

Të nderuar vëllezër muslimanë!

Tema e sotme është shumë serioze, kërkon vëmendje të madhe, kërkon sinqeritet dhe përkushtim, sidomos nga ata baballarë që ua duan të mirën fëmijëve të tyre dhe shpresojnë për një të ardhme më të mirë, të sigurt e të lumtur në jetën e kësaj bote dhe të botës tjetër .

Edukimi i fëmijëve është objektivi parësor në jetën tonë ngase ka një lidhshmëri të madhe me interesin tonë, që kthehet tek prindi, fëmija dhe e tërë shoqëria, ngase e ardhmja e një shoqërie shikohet nga prizmi se si janë duke u edukuar gjeneratat e reja.

Islami në agjendën e vet e ka vendosur këtë mekanizëm, edukimin e fëmijëve, si primar dhe i jep rëndësi shumë të madhe. Në krye të këtij projekti ishte edhe vetë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, edhe pse ishte me gradë Pejgamber i Allahut dhe burrë shteti. Atë nuk e pengoi kjo që të jetë një baba dhe edukator i gjeneratave për të cilat shkroi edhe historia.

Për këtë ne hasim në Kuran, ku ndodhet lumturia e kësaj bote dhe e botës tjetër, që Allahu përmend rrëfime edukative të dobishme sikurse porosia e të urtit Lukman për të birin e tij. Këto porosi Zoti ia zbriti Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që të mbeten mësime për njerëzimin se si dhe me çfarë duhet t’i edukojmë fëmijët.

Por ne të dashur vëllezër a jemi kujdesur të shikojmë se cila është metoda më e përshtatshme për edukimin e fëmijëve? Kurani është para duarve tona dhe nëse nuk marrim mësime e nesër dështojmë në rrugën e edukimit, mos t’ia lëmë fajin askujt përveç vetes.

Porosia e parë

وَإِذْ قَالَ لُقْمَانُ لِابْنِهِ وَهُوَ يَعِظُهُ يَا بُنَيَّ لا تُشْرِكْ بِاللَّهِ إِنَّ الشِّرْكَ لَظُلْمٌ عَظِيمٌ

“(Kujtoje) Kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe.”

Kjo është edukata dhe gjuha e njerëzve të urtë dhe shembull se si duhet të jetë një baba i mirë. Nëse do që të kesh fëmijë të mirë, të edukuar e të suksesshëm në këtë botë dhe botën tjetër, përdorimi i shprehjeve të buta që dalin nga zemra nuk ka dyshim se lënë gjurmë në zemrën e atij që i drejtohet, sidomos kur është fjala për të ardhmen e fëmijës tënd.

Çdo herë në jetë duhet të fillohet nga ato që janë bazë, nga themeli, rreziku i të cilave është aq i madh, si në këtë rast kur e këshillon për mëkatin më të madh që krijesa njeri mund t’i bëjë Allahut: ky është shirku, t’i bësh ortak Allahut.

Këshilla duhet të jetë në formën më të mirë të mundshme, duke u nisur nga themelet e besimit në Allahun një, Zotin e gjithësisë. E kundërta është shirku, mëkati që Zoti nuk e fal, nëse njeriu e takon Zotin e tij me të.

Porosia e dytë

وَوَصَّيْنَا الإِنسَانَ بِوَالِدَيْهِ حَمَلَتْهُ أُمُّهُ وَهْنًا عَلَى وَهْنٍ وَفِصَالُهُ فِي عَامَيْنِ أَنِ اشْكُرْ لِي وَلِوَالِدَيْكَ إِلَيَّ الْمَصِيرُ

وَإِن جَاهَدَاكَ عَلَى أَن تُشْرِكَ بِي مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ فَلا تُطِعْهُمَا وَصَاحِبْهُمَا فِي الدُّنْيَا مَعْرُوفًا وَاتَّبِعْ سَبِيلَ مَنْ أَنَابَ إِلَيَّ ثُمَّ إِلَيَّ مَرْجِعُكُمْ فَأُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ

“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”

“Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.”

Lukmani i tregon të birit se detyra që ke në këtë botë menjëherë pas adhurimit të Allahut Fuqiplotë është respektimi i prindërve. Kjo është porosia e Allahut për njerëzinë, duke i treguar edhe arsyen pse e bën këtë dhe etikën e sjelljes me prindërit. Dhe në fund këtë e lidh prapë me besimin në botën tjetër, duke u munduar që edukata të jetë e bazuar tek imani në Allahun dhe botën tjetër. “Tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë.”

Porosia e tretë

يَا بُنَيَّ إِنَّهَا إِن تَكُ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِّنْ خَرْدَلٍ فَتَكُن فِي صَخْرَةٍ أَوْ فِي السَّمَاوَاتِ أَوْ فِي الأَرْضِ يَأْتِ بِهَا اللَّهُ إِنَّ اللَّهَ لَطِيفٌ خَبِيرٌ

 

“O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë.”

 

Këshilla e tretë fillon sërish me  “O djali im”,duke tërhequr vërejtjen që t’i frikësohen Krijuesit të gjithësisë dhe se çdoherë janë nën vëzhgimin e Tij për çdo vepër që bëjnë dhe nuk mund t’i ikin sepse Ai, Allahu, i di fshehtësitë.

 Mësimet e porosisë së Lukmanit

–  Këshilla duhet të jetë e butë, nga thellësia e zemrës, të jetë çdoherë e gjallë për bijtë dhe bijat tona dhe ne nuk duhet të lodhemi në rrugën e edukimit dhe mbikëqyrjes ndaj tyre derisa të jemi gjallë.

– Fillimi i edukimit niset nga imani në Allahun dhe botën tjetër.

– Obligueshmëria e respektimit të prindërve.

– Frikërespekti nga Allahu dhe  bindja e plotë se Allahu i di të gjitha fshehtësitë të bën të ndihesh më afër Tij dhe më larg mëkateve.

Hoxhë Rashid Zylfijaj

Dijaonline.net 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com