Hoxhaj në Jeddah, lobon tek vendet e OBI

0

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, po merr pjesë në Sesionin e 41- të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Jeddah të Arabisë Saudite.
Pos agjendës së përcaktuar të këtij sesioni dy ditor, ku ministri Hoxhaj pritet të mbajë një fjalim, ai ka lobuar për njohjen e pavarësisë tek disa vende që ende nuk e kanë marrë këtë vendim.

Hoxhaj ia ka ripërsëritur kërkesën për njohje ministrit të Jashtëm të Togos, Robert Dussey vetëm pak muaj pas vizitës që kishte në Togo, ndërsa të njëjtën gjë e ka bërë edhe me homologun e tij nga Kameruni dhe Mali.

Pas takimeve, Hoxhaj ka shprehur bindjen se procesi i njohjeve është i pandalshëm dhe se lajme të mira do të vijnë shumë shpejt.

“Sot, kam marrë pjesë në sesionin e Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, ku kam takuar shumë ministra të vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Mund të konfirmoj që procesi i njohjes do të jetë i pandalshëm dhe që do të ketë lajme të mira sa i takon njohjes së Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Enver Hoxhaj.

Në margjina të konferencës, kryediplomati kosovar ka zhvilluar një sërë takimesh edhe me ministra të jashtëm të vendeve që e kanë njohur Kosovën, me qëllim të lëvizjes së raporteve përtej marrëdhënieve diplomatike dhe forcim të bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, tregtisë, kulturës e arsimit.

Në takimet me ministrat e Pakistanit, Senegalit, Gambisë, Omanit e Jemenit, ministri Hoxhaj pos që i ka falënderuar për përkrahjen e Kosovës, u ka kërkuar që të lobojnë edhe më shumë tek vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

Po ashtu, është folur edhe për aplikimin dhe anëtarësimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare ku të gjitha këto vende kanë premtuar votat e tyre dhe lobim për Kosovën.

Ministri Enver Hoxhaj në këtë konferencë pritet të mbajë një fjalim për raportet e Kosovës me vendet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik, procesin e njohjeve dhe do të ketë takime me sekretarin e përgjithshëm, Madani dhe personalitet tjera të larta. /Telegrafi/

——————————————————————

Hoxhaj në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të OBI-t

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar një vizitë në Jeddah të Arabisë Saudite, ku do të marrë pjesë në punimet e Sesionit të 41-të të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI).

Gjatë pjesëmarrjes në këtë samit, ministri Hoxhaj do të zhvillojë takime të shumta me ministra të jashtëm të vendeve anëtare të kësaj organizate, me qëllim të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve të Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht, ministri Hoxhaj do të takojë edhe autoritetet më të larta të kësaj organizate, të cilët do t’i falënderojë për përkrahjen që po japin për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. /Telegrafi/ 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com