Deputetët e armatosur në Kuvend – Kadri Veseli të tregojë emrat dhe t’i denoncoj në polici

0

Për disa muaj resht pamjet që kanë ardhur nga Kuvendi i Kosovës kanë qenë të gazit lotsjellës dhe të kaosit.
Përplasje në mes deputetëve të opozitës dhe Policisë së Kosovës, e deri te kërcënimet verbale e shoqëruan Kuvendin për afro 7 muaj rresht.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli futi në Kuvend Policinë e Kosovës, gjë që mori kritika të ashpra nga shoqëria civile dhe opozita.
Veseli mbrëmë ka arsyetuar futjen e policisë në sallë, duke thënë se ka pasur informacione që aty brenda kishte deputetë si të pozitës ashtu edhe të opozitës që bartnin armë zjarri me vete.
E deputetët e partive që janë pjesë e Kuvendit, ndonëse mohojnë që ata apo kolegët e tyre të kenë qenë të pajisur me armë, thonë se kryeparlamentari Veseli duhet të tregojë emrat dhe t’i dërgojë në Prokurori.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë për Indeksonline se nëse vërtet ka ndodhur një gjë e tillë, e cila është vepër penale, atëherë duhet denoncuar rastet.
“Nuk kam informacion për këtë ngjarje, mirëpo nëse ka ndodhur vërtet, atëherë kjo është vepër e rëndë penale dhe nëse kryeparlamentari ka informacione, ai duhet t’i denoncoj në Prokurori”, ka thënë Gashi për Indeksonline.
Njëjtë mendon edhe bashkëpartiaku i tij, Nuredin Ibishi, i cili në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se në këtë rast Veseli ka vepruar drejt me futjen e policisë në sallë, pasi që sipas tij, është parandaluar ndonjë vepër e rëndë.
“Sa i përket rendit të Kuvendit dhe interpretimit të rregullores së punës, i mbetet kryepalamentarit të interpretoj si në aspektin e rendit shtëpiak, apo edhe të rregullores së punës duke ndërmarr masa siç e ka paraparë ai.

Nuk mund t’i referohem burimeve se nga ka mundur në këtë rast kryeparlamentari të ketë këto informata, mirëpo ai me siguri i ka ndërmarr dhe do t’i ndërmarr masat e duhura adekuate me qëllim të parandalimit të një situate e cila do të mund të ishte e rëndë”, ka thënë Ibishi.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj ka vlerësuar se deklaratat e Veselit është e pandershme.
“Kjo që ka thënë dhe si e ka thënë kryetari është shumë e pandershme. Mendimi im është se nëse kryetari ka pasur dhe ka këto informata duhet t’i thotë me emër dhe mbiemër”, ka thënë Brahimaj për Indeksonline, duke shtuar se nëse ka ndodhur një gjë e tillë, duhet kërkuar llogari edhe nga sigurimi i parlamentit se pse e kanë lejuar atë deputet, apo ata X persona që janë futur brenda me armë.
Deklaratën e Veselit e quan të pavërtetë edhe deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha. Ai ka thënë për Indeksoline se ka qenë e pamundur që deputetët të futen brenda me armë, kur dihet kontrolli i rreptë që u është bërë atyre në hyrje.
“Këto janë në mesin e pallavrave të rënda që mundet me bërë pushteti diktatorial i qeverisë aktuale. Nuk besoj që ka deputetë qoftë të opozitës apo pozitës që kanë mundur të kenë armë në sallë. Grushtet i kanë pasur me vete, sepse duart nuk kanë mundur ti lënë në shtëpi, mirëpo kontrolli që është bërë ka qenë aq ofendues për deputetët, saqë duhanxhinjtë as shkrepëset nuk kanë mundur ti fusin brenda e lërë më diçka tjetër”, ka thënë Berisha, duke shtuar se ajo që ka thënë Veseli është thjesht manipulim me opinioni e stërlodhur nga siç ka thënë ai, qeverisja antikushtetuese e Kosovës.
Edhe Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili ka monitoruar punën e Kuvendit, është i mendimit se futja e armëve në Kuvend nuk ka qenë e mundur dhe se Veseli e ka thënë një deklaratë të pakuptimtë si kjo, për të amnistuar vetën nga shkeljet që i ka bërë rregullores së Kuvendit.
Ai ka thënë për Indeksonline se obligim i Veselit ka qenë që në bazë të rregullores së punës, qysh në dytët e para kushdo që e ka penguar rrjedhën e seancës plenare, të përjashtohet nga seancat plenare.
“Nuk është e drejt e kryetarit të Kuvendit të vendos kur të largoj dikë e kur jo, por ai duhet të kujdeset për mbarëvajtjen e seancës plenare. Veseli nuk e ka bërë këtë, por madje ka dhënë deklarata sikurse ajo që më para del nga kuvendi pozita se sa opozita. Ai me sjelljet e tij kundër rregullores, ka investuar që situata brenda Kuvendi të Kosovës të radikalizohet, sepse nuk merrte masat që i parashihte rregullorja, ndërkohë që vinte duke u shtuar dhuna dhe forma e reagimit të opozitës brenda kuvendit”, ka thënë Selmanaj.
Ai ka theksuar se nuk i beson deklaratës për armë zjarri të deputetëve brenda Kuvendit të Kosovës, pasi që, sipas tij, ka pasur kontrolle aq të rrepta ndaj deputetëve, saqë ka qenë e pamundur futja e armëve në sallë.
“Këtë deklaratë ai e ka dhënë për ta amnistuar vetën nga përgjegjësia politike dhe nga përgjegjësia që ka pasur për ta respektuar rregulloren e punës që nga dita e parë që kur e ka marr pozitën. Me këtë deklaratë ai po ashtu ka dashur të arsyetoj vonesën e veprimeve të marra nga ana e tij, e që është dashur të merren qysh në fillim”, ka shtuar Selmanaj.


Source: Informacione 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com