Demarkacioni, rrezikohet koalicioni PDK-LDK

0

Qeveria e Republikës ende nuk e ka dërguar në Kuvend çështjen e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Ndonëse subjektet opozitare (Vetëvendosje, AAK dhe Nisma) janë duke kundërshtuar fuqishëm këtë marrëveshje, tani janë edhe disa deputetë të LDK-së të cilët po shprehin mospajtime.

Kësisoj, koalicioni qeverisës matematikisht nuk i ka votat për ta ratifikuar demarkacionit me Malin e Zi.
Ekspertët e çështjeve politike thonë se demarkacioni mund të jetë “mollë sherri” për prishje të koalicionit në mes të partisë së Isa Mustafës dhe Kadri Veselit. Sipas tyre, hapin për dalje nga Qeveria mund ta bëjë vetëm Partia Demokratike e Kosovës.
Analisti, Halil Matoshi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se ekziston mundësi të bëhen numrat për miratim të demarkacionit, mirëpo është LDK-ja e cila mund ta marrë goditje fatale.
“Qeveria e Kosovës më në fund është ngatërruar nga vetvetja. Ajo edhe mund t’i bëjë numrat me presione siç i bëri për ta votuar Hashim Thaçin për kryetar shteti, porse po e thyen kështu kohezionin e brendshëm të shoqërisë”, është shprehur ai.
Matoshit, më tej, thotë se çështja e demarkacionit po rrezikon seriozisht koalicionin, i cili, sipas tij, duket se do të prishet nga PDK-ja e Kadri Veselit. “Pra LDK-ja është në momentin kur mund ta marr goditjen fatale”, ka potencuar ai.

Kurse Shpejtim Bulliqi, nga partia e kryeministrit Isa Mustafa, ishte i pari deputet nga pozita që ngriti shqetësimin për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Ai publikisht doli mbi partinë e tij me argumetim profesional se nga marrëveshja që nënshkroi ish-kryeministri Hashim Thaçi, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.
Bulliqi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se demarkacioni nuk mund ta prish koalicionin qeverisës. Ai apeloi për një rishikim të kësaj çështje, e cila është mjaftë e rëndësishëm për vendin.
“Nuk besoj se kjo është ndonjë arsye e madhe për të ardhur deri te prishja e koalicionit. E mira së mirës ka qenë mu ulë mu diskutu paraprakisht se me ardh në Kuvend kjo çështje, të sqarohen të gjitha problemet. Por, sigurisht se edhe Komisioni të jap arsyet e veta për demarkacionin, të diskutohen, të njihen faktet dhe argumentet.

Nuk besoj se duhet të dërgohet në Kuvend pa përgatitë çështjen e demarkacionit”, ka thënë ai. /


Source: Informacione 

Share.

About Author

Leave A Reply

Visit Us On TwitterVisit Us On FacebookVisit Us On YoutubeCheck Our Feed
themekiller.com