Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka deklaruar se vendimi për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike nuk është pezulluar nga Gjykata Komerciale, duke hedhur poshtë raportimet se ky proces është ndalur.

Kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu, në një prononcim, tha se vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me pezullimin e përgjithshëm të daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë, por lidhet me një rast të veçantë dhe individual. “Vendimi ka të bëjë vetëm me një rast individual,” u shpreh shkurtimisht Fejzullahu, duke shtuar se shumë shpejt do të ofrohet një sqarim më i detajuar nga ana e institucionit që ai përfaqëson.

Nga ana tjetër, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se Gjykata Komerciale në Prishtinë ka marrë vendim për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji në lidhje me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga OEK, ky vendim i gjykatës i jep të drejtë kërkesës së tyre që ZRRE të pezullojë njoftimin dhe të ndalë çdo veprim që mund të ketë ndikim negativ në funksionimin e bizneseve. Ata kërkojnë që procesi i liberalizimit të tregut të energjisë të zhvillohet me kujdes dhe me mbështetje të plotë për subjektet ekonomike.

“Oda Ekonomike e Kosovës fton Zyrën e Rregullatorit për Energji për një bashkëpunim të ngushtë, me qëllim të hartimit të një faze tranzitore të drejtë dhe të zbatueshme. OEK rithekson se nuk është kundër konceptit të daljes në tregun e lirë, mirëpo ka kërkuar në vazhdimësi që ky proces të realizohet përmes një plani të qartë të tranzicionit, që siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version