Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka zhvilluar sot një takim me përfaqësuesin e Posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Næss Mathisen.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi bëri të ditur se gjatë takimit është biseduar për gjendjen aktuale politike në Kosovë, si dhe për zhvillimet në të gjithë rajonin. Ai theksoi rëndësinë e një rajoni të qëndrueshëm dhe në paqe si kusht thelbësor për përparimin e qëndrueshëm dhe për përmbushjen e aspiratave të përbashkëta drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
“Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe rajon. I shpreha qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës në lidhje me shumë çështje, përfshirë bllokadën aktuale politike dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke”, shkroi ai.
Kreu i PDK-së theksoi gjithashtu përkushtimin e partisë që ai udhëheq për të qenë një aktor konstruktiv dhe partner i besueshëm në procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.