Holanda vijon të mbështesë zinxhirin e furnizimit të versionit izraelit të avionëve luftarakë F-35, më shumë se një vit pasi një gjykatë ndaloi eksportet direkte të pjesëve të F-35 nga Holanda drejt Izraelit, thuhet në një raport.

Një hulumtim nga Lëvizja Rinore Palestineze (PYM), i ndarë me Al Jazeera, tregon se përmes analizës së të dhënave të importit dhe fletë-dërgesave nga Maersk dhe Lockheed Martin – prodhuesi amerikan i armëve që ka dizenjuar F-35 – u zbulua se më shumë se një duzinë dërgesash nga Izraeli kaluan nëpër portin e Roterdamit në rrugën e tyre për në SHBA nga prilli i vitit 2023 deri në fillim të vitit 2025.

Avioni luftarak F-35 është përdorur nga Izraeli për të bombarduar Gazën nga ajri me pasoja shkatërruese. Pjesa më e madhe e Rripit të Gazës, ku mbi 50,000 njerëz janë vrarë që nga tetori i vitit 2023, është kthyer në gërmadha.

“Maersk tani operon një cikël të përsëritur transporti detar mes objektit të Lockheed Martin në Fort Worth, Texas dhe Industrive Ajrore të Izraelit, duke kaluar përmes Roterdamit,” thuhet në raport. “Në këtë cikël, Maersk transporton konteinerë bosh për krahë F-35 nga Houston drejt Ashdodit në Izrael, ku ato mbushen me krahë të përfunduar F-35. Konteinerët e mbushur më pas dërgohen përsëri në SHBA për montim final ose riparim.”

Studiuesit theksuan se Roterdami është një “pikë ndalimi kyçe” në këtë proces, dhe se dërgesat në këtë cikël kanë ndodhur edhe pas shkurtit të vitit 2024.

Në atë kohë, një gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Holandë urdhëroi ndalimin e eksporteve dhe tranzitit të pjesëve të F-35 nga Holanda drejt Izraelit, duke thënë se ekzistonte një “rrezik i qartë” që ato po përdoreshin në “shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare”.

Shteti holandez apeloi menjëherë vendimin në Gjykatën e Lartë, por deri në një vendim të mëtejshëm, ai mbetet i detyruar të zbatojë vendimin e gjykatës më të ulët.

“Gjetjet e raportit tregojnë se porti i Roterdamit luan një rol të rëndësishëm në mbajtjen operacionale të avionëve luftarakë F-35 të Izraelit. Në këtë mënyrë, porti i Roterdamit bëhet bashkëfajtor në shkeljet e ligjit ndërkombëtar në Gaza,” tha për Al Jazeera Gerard Jonkman, drejtor i organizatës holandeze për të drejtat e njeriut, The Rights Forum.

Ministria e Jashtme e Holandës tha për Al Jazeera se gjykata kishte konfirmuar se vendimi i shkurtit 2024 zbatohej vetëm për eksportin apo tranzitin e pjesëve të F-35 nga Holanda në Izrael, dhe se shteti holandez e kishte zbatuar vendimin në përputhje me këtë interpretim. Ndërkohë, porti i Roterdamit përdoret rregullisht nga anijet që transportojnë pjesë të F-35 për mirëmbajtje dhe montim. Anijet i përkasin gjigandit danez të transportit Maersk.

Një zëdhënës i portit të Roterdamit tha për Al Jazeera se Ministria e Jashtme holandeze është përgjegjëse për lëshimin e lejeve për tranzitin e mallrave ushtarake. Autoritetet portuale verifikojnë pajtueshmërinë e anijeve me rregullat mjedisore dhe të sigurisë për transportin detar në emër të qeverisë dhe bashkisë së Roterdamit.

“Kapiteni i portit merr vetëm informacion të kufizuar në lidhje me ngarkesën e anijeve. Informacioni që merret lidhet kryesisht me faktin nëse anija transporton substanca të rrezikshme. Aspektet e tjera të ngarkesës kontrollohen nga autoritete të tjera publike, si doganat.”

Ata thanë se ishin të “vetëdijshëm” për vendimin gjyqësor të shkurtit 2024.

“Të gjitha aktivitetet në port duhet të përputhen me ligjet dhe rregulloret ndërkombëtare dhe me lejet e lëshuara nga qeveria. Nëse shohim ndonjë tregues që kjo nuk ndodh, Autoriteti i Portit të Roterdamit njofton autoritetin përkatës.”


“Holanda është ende pjesë e zinxhirit të furnizimit”

The Rights Forum ishte një nga tre organizatat që paditën shtetin holandez për eksportin e pjesëve të F-35 drejt Izraelit, së bashku me degën holandeze të Oxfam dhe PAX për Paqen – organizata më e madhe e paqes në Holandë.

“Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me eksport direkt nga Holanda në Izrael, por Holanda mbetet pjesë e zinxhirit të furnizimit për programin izraelit F-35,” tha Gerard Jonkman, drejtues i The Rights Forum, në lidhje me gjetjet e Lëvizjes Rinore Palestinezë. “Në këtë mënyrë, Holanda lehtëson programin izraelit F-35 dhe mund të jetë duke shkelur detyrimet e saj sipas të drejtës ndërkombëtare.”

Frank Slijper, drejtues projekti në PAX për Paqen, tha për Al Jazeera: “Kjo vërtet tregon se Holanda është pjesë e zinxhirit të furnizimit të F-35.”

Lëvizja Rinore Palestinezë, një organizatë bazë, beson se duke goditur drejtpërdrejt Maersk mund të ndërpritet rrjedha e armëve në “zinxhirin e vdekjes që po përdoret për të kryer gjenocid ndaj palestinezëve.”

Sipas grupit, Maersk ka transportuar krahët për çdo F-35 izraelit që nga marsi i vitit 2022.

Në nëntor 2024, pas një vendimi nga Spanja për të refuzuar ankorimin e dy anijeve që mbanin armë për Izraelin, Maersk ndryshoi rrugët e saj. Flota e kompanisë tani shmang Spanjën dhe përdor në vend të saj Roterdamin dhe portin e Tangierit në Marok.

“Maersk prej vitesh ka furnizuar me vetëdije ushtrinë izraelite me komponentë kyç armësh që janë përdorur për të kryer gjenocid në Gaza,” tha për Al Jazeera Aisha Nizar nga Lëvizja Rinore Palestinezë. “Kompania e ka bërë këtë pa hezitim, duke mundur të ketë shkelur disa politika evropiane për embargo të armëve.”

F-35 konsiderohet si një nga avionët më të avancuar luftarakë në botë. Ky avion, dizajnuar nga Lockheed Martin, kushton të paktën 80 milionë dollarë në konfigurimin e tij më bazik.

Aktualisht, 12 shtete operojnë me këtë avion. Pjesët e F-35 prodhohen në SHBA dhe në disa vende partnere, çka i ka dhënë projektit nofkën “Luftëtari i Goditjes së Përbashkët” (Joint Strike Fighter).

“Është jashtëzakonisht tronditëse të shohësh që Maersk nuk po distancohet nga krimet e Izraelit ndaj njerëzimit në Gaza dhe përkundrazi po vazhdon të kontribuojë në furnizimin e forcave të armatosura izraelite,” tha Slijper. “Transporti i furnizimeve ushtarake për industrinë e armëve të Izraelit dhe për [ushtrinë izraelite] e vendos Maersk në rrezik që të bëhet bashkëfajtore në krimet e Izraelit.”

Përdorimi i avionëve F-35 nga Izraeli – i vetmi shtet me një version unik të këtij avioni – është vënë në qendër të kritikave që nga fillimi i ofensivës në Gaza.

Së fundmi, grupe aktivistësh kanë çuar në gjykatë qeverinë britanike në përpjekje për të ndalur eksportin e pjesëve britanike të F-35 drejt Izraelit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version