Në histori nuk njihet asnjë pikë apo kufi në të cilin padrejtësia ndjehet e ngopur. Kur gëlltit gjithçka përreth, atëherë fillon të hajë edhe vetveten. Pikërisht aty zbulohet logjika e saj e brendshme; padrejtësia nuk njeh masë, sepse masa i përket fushës së drejtësisë. Ajo rritet si një zjarr që ushqehet me gjithçka që gjen përpara, e bindur se çdo fitore e re është dëshmi e forcës së saj. Pikërisht në këtë pamaturi fshihet fundi i saj. Kur nuk mbetet më asgjë jashtë saj për ta gëlltitur, padrejtësia kthehet nga vetja dhe bëhet viktimë e vetes.

Historia është e mbushur me rrethana të tilla. Perandoritë që mbështeteshin mbi forcën filluan të rrënohen në çastin kur e kishin shteruar botën përreth tyre. Tirania, pasi largon të gjithë kundërshtarët, fillon të dyshojë te shërbëtorët e vet dhe te hija e vet. Kështu padrejtësia, e shtyrë nga natyra e saj, shndërrohet në një mekanizëm vetëshkatërrimi. Ajo që fillon si sundim mbi të tjerët përfundon në shpërbërje nga brenda.

***

Ky fenomen merr një kuptim edhe më të thellë kur shihet nga një rend më i gjerë, pothuajse kozmik. Ajo që në përvojën njerëzore duket si padrejtësi e pastër shpesh është pjesë e një harmonie, kuptimi i plotë i së cilës i zbulohet njeriut vetëm nga një perspektivë më e largët. Në një rend që tejkalon ngjarjet e veçanta vepron ligji i ekuilibrit: asgjë nuk mbetet përherë jashtë masës. Edhe ajo që duket si triumf i padrejtësisë bart në vetvete farën e korrigjimit të vet.

Kozmosi ofron shumë pamje të këtij ekuilibri. Kur një yll shuhet, universi nuk bëhet më i varfër dhe rendi i tij nuk prishet. Shuarja e tij shpesh shënon fillimin e një riorganizimi të forcave; nga shpërbërja e tij lindin elemente të reja, yje të rinj dhe botë të reja. Ajo që në një çast dukej si humbje, në një perspektivë më të thellë shfaqet si një shndërrim i domosdoshëm. Zhdukja e një drite bëhet shkak për shumë të tjera.

***

Në mënyrë të ngjashme, në caktimin hyjnor edhe padrejtësia përfshihet në rendin e drejtësisë. Ajo ruan kuptimin e saj moral dhe faji njerëzor mbetet real dhe përgjegjës. Megjithatë, në thurjen e përgjithshme të ekzistencës edhe veprimi i gabuar bëhet një fije që në fund përshtatet me ekuilibrin. Padrejtësia mund ta turbullojë për një çast shikimin e njerëzve, mirëpo nuk mund ta prishë harmoninë përfundimtare të krijimit. Fuqia e saj zgjat pak; ligji i ekuilibrit zgjat në kohë.

Prandaj historia, kur shihet në kohëzgjatjen e saj epistemiologjike, i ngjan një drejtimi të ngadalshëm të një pjerrësie. Ajo që dukej si padrejtësi e pathyeshme me kalimin e kohës shpërbëhet nën peshën e vet, ndërsa nga rrënimi i saj shfaqet një masë e re. Kështu rrethi mbyllet: padrejtësia, që kurrë nuk njeh ngopje, në fund sillet para drejtësisë; qoftë përmes vetëshkatërrimit të saj, qoftë përmes ekuilibrit të heshtur që mbart rendi hyjnor i botës.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version