Turqia ka shprehur mbështetje për vendimin e NATO-s që parashikon rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035. Një burim nga Ministria turke e Mbrojtjes tha të enjten se Turqia tashmë ka tejkaluar pragun e mëparshëm prej 2 për qind të PBB-së.

Aleatët e NATO-s u pajtuan të mërkurën për këtë synim të ri, duke përmendur si arsye kryesore kërcënimin afatgjatë nga Rusia dhe domosdoshmërinë për forcimin e qëndrueshmërisë civile dhe ushtarake, raportoi agjencia “Reuters”.

“Turqia e ka kaluar kufirin 2 për qind të përcaktuar në zotimin për shpenzimet e mbrojtjes,” tha burimi. “Si forca e dytë më e madhe ushtarake në NATO, ajo renditet ndër pesë kontribuesit kryesorë në operacionet dhe misionet e aleancës,” shtoi ai.

Sipas të njëjtit burim, Turqia i ka përmbushur të gjitha angazhimet e saj brenda NATO-s përsa i përket kapaciteteve ushtarake dhe vazhdon të investojë në kërkime dhe zhvillim në sektorin e mbrojtjes. Një nga prioritetet e saj është krijimi i një rrjeti të shtresuar të mbrojtjes ajrore në kuadër të projektit kombëtar “Kupola e Çeliktë”.

“Po investojmë në sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa hipersonike, balistike dhe të drejtuara, si dhe në platforma tokësore, detare dhe ajrore pa pilot. Gjithashtu, po punojmë në zhvillimin e gjeneratës së ardhshme të aeroplanmbajtëseve, fregatave dhe tankeve,” theksoi burimi nga Ministria e Mbrojtjes.

Plani i ri i NATO-s parashikon që të paktën 3.5 për qind e PBB-së të shpenzohet për mbrojtje bazë, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për zhvillimin e infrastrukturës kritike të sigurisë, me qëllim rritjen e përgatitjes dhe qëndrueshmërisë civile.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version