Kupa e Xhematit 2025 ka përfunduar me një finale emocionuese, ku ekipi Lushi Term u kurorëzua kampion pas një paraqitjeje të shkëlqyer dhe plot meritë. Në një atmosferë të mbushur me energji, tifozëri korrekte dhe frymë vëllazërore, skuadra drenase tregoi disiplinë, lojë kolektive dhe përkushtim deri në minutën e fundit të ndeshjes.

Përballë tyre qëndroi ekipi i respektuar i Xhamisë “Haxhi Xhemë Zariqi”, i cili zhvilloi një ndeshje të fortë, të balancuar dhe plot karakter. Pavarësisht rezultatit final, paraqitja e tyre u duartrokit gjerësisht, duke dëshmuar se sportiviteti dhe uniteti mbeten në qendër të këtij turneu.

Turneu, i cili zgjati tri ditë në Prishtinë, mblodhi qindra pjesëmarrës nga xhami e komunitete të ndryshme në trojet shqiptare dhe diasporë. “Kupa e Xhematit”, një iniciativë e platformës Hajde Sivjet, u vlerësua si një nga aktivitetet më të mëdha sportive dhe bashkësore të vitit, duke sjellë së bashku imamë, të rinj, komunitete lokale dhe dashamirë të sportit.

Fituesit e këtij edicioni u shpërblyen me Umre, ndërsa u ndanë çmime edhe për kategoritë individuale si “Lojtari më i mirë”, “Golashënuesi më i mirë”, “Portieri më i mirë” dhe “Ekipi fair-play”.

Organizimi u zhvillua nën mbikëqyrjen e referëve profesionistë të FFK-së, me staf mjekësor të pranishëm dhe me mbështetjen e sponsorëve, sipas dispozitave të lejuara fetare.

Edicioni i 2025-ës la prapa momente të paharrueshme, duke e konsoliduar Kupën e Xhematit si një ngjarje që jo vetëm promovon sportin, por edhe forcon lidhjet e vëllazërisë dhe solidaritetit në komunitet.

Urime edhe një herë kampionëve Lushi Term , si dhe çdo ekipi që mori pjesë me zemër e karakter!

Sport, vlera dhe vëllazëri  ky është qëllimi i Kupës së Xhematit.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version