Fermerë nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar u mblodhën të martën në Londër për të protestuar kundër reformave të reja fiskale të qeverisë, veçanërisht heqjes së përjashtimit nga taksa e trashëgimisë për tokat bujqësore. Demonstrata u zhvillua në Ditën e Buxhetit, ndërsa qindra fermerë mbërritën me traktorë në kryeqytet për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj politikave të reja që pritet të prekin drejtpërdrejt fermat familjare.
Sipas raportimeve , fermerët po kundërshtojnë planin e qeverisë për vendosjen e një takse prej 20 për qind mbi tokën bujqësore dhe bizneset që kapin vlerën mbi 1 milion paund. Ndryshimet, të prezantuara në buxhetin e vitit të kaluar, pritet të hyjnë në fuqi në prill të vitit 2026 dhe nënkuptojnë fundin e përjashtimit që mbronte fermat familjare nga taksimi i trashëgimisë.
Pavarësisht se Policia Metropolitane kishte vendosur kufizime për hyrjen e mjeteve bujqësore në zonën e protestës, dhjetëra traktorë arritën të depërtonin në Londrën qendrore. Disa prej tyre madje u pozicionuan jashtë ndërtesës së parlamentit, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe mediave. Të tjerë bllokuan përkohësisht rrugët kryesore përreth Westminster-it, ndërsa protestuesit i binin borive dhe mbanin pankarta që kërkonin ruajtjen e fermave tradicionale britanike.
Protestuesit argumentojnë se ndryshimet fiskale do të rrisin presionin ekonomik mbi fermerët, duke vënë në rrezik qëndrueshmërinë e fermave familjare — të cilat luajnë një rol kyç në prodhimin ushqimor të vendit. Ata theksojnë se taksimi i tokës së trashëguar do t’i detyrojë shumë familje të shesin pjesë të pronave për të paguar detyrimet tatimore, duke cenuar kështu kontinuitetin e fermave ndërbrezore.
Ndërsa qeveria argumenton se reformat synojnë balancimin e sistemit tatimor dhe rritjen e të ardhurave, fermerët kërkojnë rishikim të menjëhershëm të politikave dhe rikthimin e përjashtimit për fermat familjare. Protesta e ndërmarrë në Londër pritet të pasohet nga tubime të tjera në ditët në vijim, pasi grupet bujqësore paralajmërojnë përshkallëzim të veprimeve nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
