Ky është testamenti dhe mesazhi im i fundit.
Nëse këto fjalë të mia arrijnë tek ju, dije se Izraeli ka arritur të më vrasë dhe të më heshtë zërin.
Paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju.
Allahu e di se kam dhënë çdo përpjekje dhe forcë që kisha për të qenë mbështetje dhe zë i popullit tim, që nga çasti kur hapa sytë në jetë, nëpër rrugicat e ngushta të kampit të refugjatëve në Jabalia.
Shpresa ime ishte që Allahu të më zgjaste jetën deri në ditën kur do të mund të kthehesha me familjen dhe të dashurit e mi në vendlindjen tonë të vërtetë, në Askalonin e pushtuar “Mexhdal”.
Por vullneti i Allahut mbizotëroi, dhe caktimi i Tij u plotësua.
E kam jetuar dhimbjen në të gjitha format e saj dhe e kam shijuar humbjen e pikëllimin herë pas here. Megjithatë, asnjë ditë nuk hezitova ta përcillja të vërtetën ashtu siç është – pa shtrembërim e pa falsifikim – me shpresën që Allahu të dëshmonte kundër atyre që heshtën, që pranuan vrasjen tonë dhe që na rrethuan frymëmarrjen, pa u tronditur nga trupat e fëmijëve dhe grave tona, dhe që nuk ndalën masakrën që populli ynë po përjeton prej më shumë se një viti e gjysmë.
Jua lë amanet Palestinën – xhevahirin e kurorës së muslimanëve, zemrën që rreh në çdo njeri të lirë të kësaj bote.
Jua lë amanet popullin e saj, fëmijët e saj të shtypur e të pafajshëm, të cilëve nuk iu dha mundësia të ëndërrojnë apo të jetojnë në siguri e paqe; trupat e tyre të pastër u shtypën nga mijëra tonë bombash e raketash izraelite, u copëtuan, mbetjet e tyre u shpërndanë mbi mure.
Ju bëj thirrje të mos lejoni që prangat t’ju heshtin apo kufijtë t’ju ndalojnë. Bëhuni ura drejt çlirimit të tokës dhe popullit të saj, derisa dielli i dinjitetit dhe lirisë të lindë mbi atdheun tonë të grabitur.
Jua lë amanet familjen time.
Jua lë amanet dritën e syve të mi, vajzën time të dashur Sham, të cilën koha nuk m’u dha ta shihja të rritej siç kisha ëndërruar.
Jua lë amanet djalin tim të dashur Salah, të cilin kisha shpresuar ta mbështes e ta shoqëroja derisa të bëhej i fortë, për të marrë barrën nga unë dhe për ta vazhduar misionin.
Jua lë amanet nënën time të dashur, lutjet e së cilës më bekonin në çdo hap. Lutjet e saj ishin fortesë për mua, dhe drita e saj ishte udha ime. Lutem që Allahu t’i dhurojë zemrës së saj durim dhe ta shpërblejë me shpërblimin më të mirë për mua.
Gjithashtu, jua lë amanet shoqen e jetës, bashkëshorten time të dashur, Umm Salah Bayan, të cilën lufta e ndau nga unë për ditë e muaj të gjatë. Por ajo mbeti e palëkundur, si trungu i ullirit që nuk thyhet, e durueshme dhe besimtare në Allahun, duke mbajtur barrën në mungesën time me gjithë forcën dhe besimin. Ju lutem që të jeni pranë tyre, t’i mbështesni e t’i ndihmoni pas Allahut, të Plotfuqishmit dhe të Lartësuarit.
Nëse vdes, vdes i palëkundur në parimet e mia, duke dëshmuar para Allahut se jam i kënaqur me Caktimin e Tij, i gatshëm për ta takuar Atë dhe i bindur se ajo që është tek Allahu është më e mirë dhe e përhershme.
O Allah, më prano ndër dëshmorët, m’i fal mëkatet e kaluara e të ardhshme, dhe bëje gjakun tim një dritë që ndriçon rrugën e lirisë për popullin dhe familjen tim. Më falni nëse nuk kam bërë sa duhet, dhe lutuni për mua për mëshirë, sepse unë e kam mbajtur besën dhe nuk kam ndryshuar e as nuk jam lëkundur.
Mos e harroni Gazën…
Dhe mos më harroni as mua në lutjet tuaja të sinqerta për falje dhe
pranim.
Anas Jamal al-Sharif
06.04.2025