Prej plot tre dekadash, ato jetojnë me një mision të vetëm: të vërtetën dhe drejtësinë. Ato janë zemra e Srebrenicës, një simbol i dhimbjes dhe tragjedisë që tronditi botën. Për Shuhra Sinanoviqin, gjenocidi i Srebrenicës mori 23 anëtarë të familjes.
Ajo tregon me dhimbje se si kjo plagë e ka përcjellë gjatë gjithë këtyre viteve, ndërsa pret me shpresë drejtësinë e shumëpritur. “E dini, tashmë 30 vjet po luftojmë për të vërtetën dhe për drejtësinë, që të gjithë kriminelët e luftës të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin që meritojnë,” rrëfen 60-vjeçarja. “Në gjenocidin e Srebrenicës kam humbur gjithsej 23 anëtarë të familjes, mes tyre edhe burrin tim të ndjerë. Ai kishte vetëm 32 vjeç, unë isha 29 vjeçare dhe mbeta nënë e vetme me dy fëmijë të vegjël. Ne duhet të flasim, pavarësisht se kanë kaluar 30 vjet nga fillimi i gjenocidit, dhe s’dihet sa do të durojmë ende. Por nuk do të ndalemi. Nuk jemi ndalur asnjëherë. Do të luftojmë deri në fund për të vërtetën dhe drejtësinë, që të zbulohen të gjitha varrezat masive, të ekshumohen të gjithë të zhdukurit tanë dhe të varrosen me dinjitet në Qendrën Përkujtimore në Srebrenicë – Potoçari.”
Lufta për drejtësi: Një betejë e pandërprerë
Shuhra, e cila është kryetare e Shoqatës së “Grave Podrinja”, shprehet se edhe pas kaq shumë vitesh, drejtësia e plotë nuk është vendosur.
“Për sa i përket familjes sime, familjes Sinanoviq, ende nuk kam marrë as minimumin e drejtësisë që dikush që i ka vrarë në mënyrën më të tmerrshme të jetë dënuar,” deklaroi ajo. “Por kemi marrë një minimum të drejtësisë sepse kemi aktgjykime për gjenocidin, kemi edhe dënime me burgim të përjetshëm. Por e dini edhe vetë, po të mos ishte Gjykata e Hagës që të sillte aktgjykime për gjenocid, nuk do t’i kishim as ato. Por falë Zotit dhe falë qëndresës dhe luftës sonë gjithë këto vite, i kemi marrë ato aktgjykime për gjenocid. Dhe falë Zotit, vitin e kaluar u miratua edhe rezoluta që ndalon mohimin e gjenocidit. Dhe javën e kaluar morëm edhe aktgjykimin e parë për një person që ka mohuar gjenocidin, nga qyteti im i lindjes, nga Vratunci, dhe ai u dënua për mohimin e gjenocidit.”
Dhimbja që nuk fiket kurrë: Rrëfimi i Zijada Efendiqit
Zijada Efendiq, anëtare e shoqatës “Nënat e Srebrenicës”, ishte vetëm 15 vjeç kur humbi vëllain në masakrën e Srebrenicës.
“Ne jetojmë me to (dhimbjen). Gjithmonë kemi kërkuar për të vërtetën,” shprehet ajo me zë të dridhur. “Në ditët, muajt dhe vitet e para pas gjenocidit, kemi jetuar me atë shpresë që të gjejmë mbetjet mortore të më të dashurve tanë, dhe kështu kalonin muajt dhe vitet. Thjesht, mësohesh me to dhe jeton me atë dhimbje, por kurrë nuk e kapërcen atë në të vërtetë. Ajo është diçka që është brenda nesh dhe do të mbetet derisa të jemi gjallë.”
Përvjetori i tragjedisë dhe njohja ndërkombëtare
Në Bosnje e Hercegovinë, 11 korriku shënon përvjetorin e kësaj masakre makabre, ku në vitin 1995 forcat serbe masakruan mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë. Kjo masakër u cilësua si më e rënda në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Fatmirësisht, Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur zyrtarisht këtë akt si gjenocid.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë medalje presidenciale për “Nënat e Srebrenicës” në edicionin e tretë të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, që u mbajt kohë më parë në Prishtinë, në shenjë respekti dhe solidaritetit.