Nga Hamid Dabashi

Nga kolumnistët e New York Times tek ateistët e famshëm, apologjetët e Izraelit janë bashkëfajtorë në mbështetjen e gjenocidit të tij në Gaza, por gënjeshtrat e tyre duhet të ushqejnë rezistencën – jo të dobësojnë vendosmërinë tonë.

Ju ndiqni lajmet ditë pas dite – dhe dëshpëroheni.

Së shpejti, do të bëhen dy vjet që kur Izraeli nisi valën e tij të fundit të egërsisë gjenocidale kundër palestinezëve të pambrojtur në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Çështja nuk është më se si një qenie njerëzore e denjë mund ta quajë veten “izraelit”, e lëre më sionist, por, më urgjentisht, si mundemi ne, njerëzimi në përgjithësi, të jetojmë me veten tonë ndërkohë që kjo vrasje masive e egër vazhdon nga duart e një regjimi pa zemër e pa pendesë.

Shifrat janë tronditëse – në dhjetëra mijëra, në mos më shumë. Krimi është dërrmues, dhe koalicioni i shteteve evropiane dhe amerikane që ndihmojnë dhe mbështesin – madje duke u bashkuar – në këtë akt barbar, nuk lë vend për shpresë.

Si të mbijetojmë me një ndjenjë morali, të së drejtës dhe të së gabuarës, përballë brutaliteteve të tilla sadiste: krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasjen masive, urinë masive, pushtimin total, vrasjet e shënjestruara, vrasjen e gazetarëve dhe profesionistëve mjekësorë dhe shënjestrimin e qëllimshëm të fëmijëve – të joshur për të dalë në vende të caktuara në kërkim të ushqimit dhe pastaj të vrarë – për të mos përmendur zhdukjen sistematike të të gjitha shenjave të jetës shoqërore dhe vetë infrastrukturës së ekzistencës qytetare?

Ky është Izraeli: një shtet gjenocidal. Si do të jetonte njerëzimi me këtë fakt?

Metaforat dhe krahasimet nuk mjaftojnë më. Është gabim t’i quash sionistët nazistë. Ata nuk janë më të këqij se nazistët, as më të mirë. Ata nuk janë nazistë. Ata janë sionistë. E keqja vjen në shumë forma: Nazistët,  Pol Poti, Kmerët e Kuq, Ratko Mlladiq, Adolf Hitler, Benjamin Netanyahu, Meir Kahane, Itamar Ben Gvir, Bezalel Smotrich, grupi i quajtur ISIS e kështu me radhë.

Këto janë forma të ndryshme të së keqes. Ne duhet t’i mbajmë ato të ndara, t’i mbyllim brenda kafazesh të ndryshëm dhe të lejojmë një analizë të saktë të veprave të tyre të liga.

Por ndërsa dëshmojmë tmerret e pandalshme që vijnë nga Gaza – duke konsumuar pa ndihmë dhe pa shpresë raportet e përditshme, duke numëruar të vdekurit, duke parë video pas videoje të mizorisë së shfrenuar – ne në mënyrë të pashmangshme i bëjmë vetes pyetjen se si të mos dorëzohemi para lodhjes së të kundërshtuarit të gënjeshtrave dhe shtrembërimeve për kaq gjatë, dhe në format e tyre më groteske dhe tinëzare.

Dhe prapëseprapë, ne përballemi me fjalët e turpshme të The New York Times, që katalogon mënyrat e pafundme në të cilat kolumnistët si Bret Stephens dhe Thomas Friedman ndjekin bishtin e tyre për të justifikuar masakrën masive të palestinezëve.

Sado e diskredituar qoftë, e ashtuquajtura gazetë prestigjioze dhe organ zyrtar i projektit kolonial-kolonizator izraelit vazhdon të formësojë narrativën e pushtetit.

Për qeniet njerëzore të denja – përfshirë hebrenj të panumërt anembanë botës që janë të tmerruar nga ajo që po bëhet në emrin e tyre – bota sot qëndron në një krizë të thellë morale.

Një shtet-garnizon që mishëron një kulturë gjenocidale po kryen një fushatë shfarosjeje, ndërsa shtetet e fuqishme perëndimore qëndrojnë pranë, ose më keq, ofrojnë mbështetjen e tyre, duke ndihmuar të vrasin më shumë, të lënë më shumë fëmijë të vdesin urie, madje duke e lavdëruar Izraelin që po bën “punën e tyre të ndyrë”.

Ndërkohë, deti i pafund i njerëzimit nuk mund të dërgojë as edhe një varkë të vetme të vogël për të ndihmuar njerëzit e bllokuar në atdheun e tyre të pushtuar dhe të brutalizuar.

Këtu është pika ku një ndjenjë e thellë anomie (aty ku rregullat shoqërore e njerëzore thehen, duke i lënë njerëzit pa udhëzime, vlera apo kuptim të qartë) dhe një ndjenjë e lodhjes morale, mund të depërtojë dhe të vendoset.

Bankrotimi Moral

Ju lexoni The New York Times dhe zieni nga zemërimi dhe neveria.

Që nga 8 tetori 2023, çdo ditë ka sjellë histori të zymta të palestinezëve të pambrojtur të vrarë dhe të gjymtuar – vetëm që kolumnat dhe lajmet e çmendura të Times të shtrembërojnë dhe masazhojnë, ose mohojnë hapur, faktet e mizorive që bota tashmë i ka parë në 4K, të gjitha për t’i bërë ato të pranueshme për lexuesit e saj imperialistë dhe sionistë.

Sëfundmi hyri në skenë kolumnisti dhe podkasteri i Times, Ezra Klein, i cili së fundmi i kushtoi gati dy orë emisionit të tij për të analizuar nëse masakrat e vazhdueshme në Gaza përbënin “gjenocid”.

Gjatë gjithë kohës, ai ishte tërësisht i pavetëdijshëm se sa grotesk do të tingëllonte nëse rolet do të ishin të kthyera dhe palestinezët do të masakronin hebrenjtë me dhjetëra mijëra.

Edhe baza e të dhënave të klasifikuara ushtarake të vetë Izraelit tregon se 83 për qind e të vrarëve në Gaza ishin civilë, një raport viktimash “me pak paralele në luftën moderne”. A do të ishin ai dhe mysafiri i tij i ditur ende duke u grindur mbi dallimet midis “retorikës gjenocidale” dhe “qëllimit gjenocidal”?

Merrni në konsideratë kolegun e Klein, Bret Stephens, gazetarin gjenocidal, kolumna e të cilit pa fre më 22 korrik titullohej “Jo, Izraeli nuk po kryen gjenocid në Gaza”.

Ai argumenton se për t’u zbatuar termi, do të duhej të vriteshin shumë më tepër palestinezë. Sipas kësaj logjike perverse, shkatërrimi sistematik i jetës, kulturës dhe shoqërisë palestineze disi nuk llogaritet si gjenocid thjesht sepse numri i trupave nuk është ngjitur në një prag arbitrarisht më të lartë.

Fakti që grupet kryesore mjekësore dhe të të drejtave të njeriut kanë vërtetuar prej kohësh se numri real i vdekjeve është eksponencialisht më i lartë se shifrat zyrtare nga Gaza duket i parëndësishëm për mohimin e tij.

Ai shkruan:

Nëse qëllimet dhe veprimet e qeverisë izraelite janë vërtet gjenocidale – nëse ajo është kaq keqdashëse sa është e përkushtuar ndaj asgjësimit të banorëve të Gazës – pse nuk ka qenë më metodike dhe jashtëzakonisht më vdekjeprurëse? Pse jo, të themi, qindra mijëra vdekje, në krahasim me gati 60,000 që Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza… ka cituar deri më tani në gati dy vjet luftë?

Lexojeni përsëri. Sa më shumë, saktësisht – të lutem na thuaj – 10,000 më shumë, 100,000, një milion? Sa kufoma duhet të grumbullohen më lart? Sa më shumë palestinezë duhet të gjymtohen dhe të vriten masivisht, ose të vdesin urie, përpara se ky propagandist i rruar të denjonte të emërtonte atë që po bëjnë vrasësit izraelit?

Jo se dikush po pret që Stephens, Klein apo kushdo i lidhur me atë gjë të neveritshme të njohur si The Times të pranojë diçka përtej asaj që apologjitë e tyre për gjenocidin e Izraelit tashmë rrëfejnë. Këto mohime qëndrojnë si dëshmi e bashkëfajësisë, të ruajtura në mënyrë që bota të mos harrojë.

Që një barbarizëm i tillë jo vetëm të shkruhet, por të botohet, pa turp, ndërkohë që palestinezët durojnë atë që OKB e ka quajtur një “katastrofë humanitare me përmasa epike” dhe një “skenar të rastit më të keq” të urisë së imponuar në Gaza, vetëm sa ekspozon më tej thellësitë e bankrotimit moral të The Times.

Por kujdes: nëse thjesht do të guxonit të nxirrnit një fjalë për këtë, kujdestari i vetëshpallur i së vërtetës mund t’ju njollosë si “antisemit”.

Tregtarët e Gënjeshtrave

Skandali i mohimit të gjenocidit nuk kufizohet me The Times, The Wall Street Journal, Fox News, apo ndonjë numër tjetër tabloidësh të paturpshëm në shërbim të plotë të hasbarasë izraelite.

Është endemik. Islamofobi i njohur dhe sionisti i rilindur Sam Harris është rishfaqur me hakmarrje, duke mbështetur bombardimet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe duke brohoritur aleatët e tij izraelitë të vazhdojnë me projektin e tyre gjenocidal.

Ai vazhdon të demonizojë myslimanët, të fshijë faktin se Palestina është vendlindja e Krishterimit, dhe të fajësojë palestinezët thjesht pse janë myslimanë dhe pse përpiqen të çlirojnë atdheun e tyre nga pushtuesit e tyre të egër.

Harris ka ndërtuar një karrierë fitimprurëse mbi urrejtjen dhe injorancën e tij patologjike ndaj Islamit dhe myslimanëve. Dhe pikërisht kur dukej se ishte tërhequr në margjinat e Substack, ai rishfaqet për të tundur të njëjtat shpata të papjekura kundër myslimanëve, duke i fajësuar ata për gjenocidin që shokët e tij sionistë po kryejnë në Gaza.

Akoma më keq, Harris kurrë nuk ka pasur një mendim origjinal dhe thjesht ripërtyp pretendimin e lodhshëm se njerëzit anembanë botës po “ngacmojnë” Izraelin ndërsa injorojnë mizoritë diku tjetër.

Por kush thotë se bota po e shpërfill Sudanin apo katastrofat e tjera?

Apologjetë të tillë janë patologjikisht njëgjuhësh. Ata nuk lexojnë një gjuhë tjetër dhe nuk shikojnë përtej faqeve të tyre të ngushta. Në vend të kësaj, ata lëvizin nëpër iPhone-t e tyre, shohin rrjedhën e protestave në mbarë botën kundër gjenocidit të Izraelit në Gaza, dhe përqeshin: pse këta njerëz nuk shikojnë andej tutje dhe Izraeli mund të masakrojë më shumë palestinezë, për kënaqësinë e Harris dhe Stephens?

Tejkalimi i Dëshpërimit

Bota është e lodhur. Njerëzit e zakonshëm janë të rraskapitur duke parë e krejtësisht të pa ndihmuar atë se sesi Izraeli vret, gjymton dhe lë të vdesin urie palestinezët duke ja dalur me një pandëshkueshmëri totale. Nuk ka asgjë që dikush mund të bëjë përveçse të qajë në heshtje, të bërtasë me zë të lartë dhe të mbetet i dëshpëruar.

Për gati dy vjet, ne kemi qenë dëshmitarë të një gjenocidi të pamëshirshëm të kryer nga një lider psikopat i një shteti-garnizon psikopat. Të gjithë jemi të lodhur. Shqisat tona janë mpirë në një mënyrë të rrezikshme. Po na mbarojnë metaforat për të kuptuar të keqen që është Izraeli, avokatët e të cilit e kanë fshirë plotësisht fjalën turp nga leksiku i tyre.

Kjo nuk është një kohë për moralizime apo leksione se si t’i kundërvihesh egërsive vrastare të izraelitëve që kryejnë një gjenocid të transmetuar drejtpërdrejt. Deri tani, dëshpërimi moral është shndërruar në zemërim moral, dhe ai zemërim është bërë një forcë thellësisht rebele që të zgjon çdo mëngjes – në mënyrë të vendosur dhe sfiduese.

Bota është në prag të një rregulli të ri moral përtej metafizikës së trashëguar dhe sigurisë së Islamit, Krishterimit, Judaizmit dhe traditave të tjera fetare.

Për disa, besimi mbetet një burim force – siç ndodh për palestinezët në Gaza dhe për të tjerët në Liban dhe Jemen që rezistojnë në emër të tij. Për të tjerët, dëshpërimi e ka bërë më të vështirë pajtimin e besimit me mizoritë e kryera nën flamurin e tij – nga Izraeli që vulos të burgosurit palestinezë me Yllin e Davidit ose e gdhend atë në rrënojat e Gazës me buldozerë, te sundimtarët myslimanë që aleohen me Uashingtonin dhe Tel Avivin ndërsa palestinezët vdesin urie.

Si mysliman, jam thellësisht i neveritur me frikën e regjimeve myslimane, bashkëfajësia dhe heshtja e të cilëve i ka bërë ata partnerë në këtë gjenocid.

Por nga tradhti të tilla – të besimit, ndërgjegjes dhe vetë njerëzimit – del urgjenca e një rregulli të ri moral, të rrënjosur në luftën dhe sakrificat e palestinezëve dhe kauzën fisnike të çlirimit të tyre. Ekspozimi i mohimit të gjenocidit dhe përballja me mbrojtësit e tij është ajo që më jep forcë dhe më zgjon herët çdo mëngjes të mallkuar për të luftuar.

Të luftosh për kauzën palestineze është e vetmja rrugë e drejtë për të shpëtuar njerëzimin tonë të brishtë, me një ndërgjegje të qartë morale që na udhëheq rrugën.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version