Kujdes nga pushteti i qendrave të të dhënave
Nëse modelet e inteligjencës artificiale do të kishin një vendlindje, me gjasë do të ishte Ashburn, në Virxhinian veriore, fare pranë Washington, DC. Pasagjerët e vëmendshëm në ulje në aeroportin Dulles, mund të vënë re një grumbull ndërtesash me çati të bardha, të ngritura pranë rreshtave të lagjeve periferike. Ato janë qendra të të dhënave, pjesë e një kompleksi – më i madhi në botë – i cili vitin e kaluar gëlltiti më shumë se një të katërtën e energjisë së prodhuar nga kompania kryesore e energjisë elektrike e Virxhinias.
Frika për një ngadalësim ekonomik është e përhapur në Amerikë, ku normat e larta të interesit dhe kaosi i tarifave rëndojnë mbi pjesën më të madhe të ekonomisë. Por këto shqetësime nuk po e frenojnë ritmin marramendës me të cilin kompanitë po ndërtojnë infrastrukturën e nevojshme për Inteligjencën Artificiale (IA). Rreth një e gjashta e rritjes prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) real amerikan gjatë vitit të fundit ka ardhur nga investimet në pajisje kompjuterike dhe komunikacioni, përfshirë çipet dhe qendrat e të dhënave.[1] Duke shtuar përmirësimet në rrjetin elektrik për të furnizuar modelet e IA, plus vlerën e pronësisë intelektuale të vetë programeve kompjuterike, një vlerësim e çon kontributin e këtij bumi në rritjen reale të PBB-së në 40%.[1][2] Kjo është një shifër befasuese për një sektor që përbën vetëm pak për qind të PBB-së totale të Amerikës.
Zgjerimi i IA-së nuk është një bum investimesh i zakonshëm. Deri vonë, kompanitë e mëdha teknologjike e financonin pjesën më të madhe të tij nga fitimet dhe rezervat e tyre monetare. Tani, përmasat e ndërtimit janë tepër të mëdha edhe për këta gjigantë, ndaj ata po i drejtohen huamarrjes. Ata po ndërtojnë qendra të të dhënave me besimin se IA do të nxisë një rritje ekonomike shpërthyese, dhe rrjedhimisht kërkesën për fuqi kompjuterike, brenda pak vitesh. Ky proces nuk është si ndërtimi i shtëpive apo fabrikave. Është një treg me shpërblim të lartë, ku fituesi merr gjithçka, dhe ku shqetësimet e zakonshme si kostoja e huamarrjes janë të lehta, dhe joshëse, për t’u anashkaluar.[3]
Dhe pikërisht këtë po bëjnë kompanitë e mëdha teknologjike. Përballë vendosmërisë së tyre për të ndërtuar infrastrukturën e IA-së me çdo kusht, normat më të larta të interesit nuk përbëjnë ndonjë pengesë të madhe. As kostoja e energjisë elektrike: projektet për qendra të të dhënave në shkallë gigavati, që kërkojnë aq energji sa një qytet i vogël, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
Nëse historia e bumit të “dotcom” në fund të viteve 1990 shërben si shembull, kjo mani mund të vazhdojë edhe për shumë kohë.[4] Atëherë, shtrirja e teknologjisë së kushtueshme e nevojshme për ndërtimin e internetit vazhdoi për shumë vite, me një ndikim shumë më të mprehtë në PBB sesa ai që Amerika ka përjetuar deri më tani nga IA. Madje, entuziazmi i hershëm për IA-në ka qenë edhe më i madh se ai në rininë e internetit. Pavarësisht gjithë entuziazmit të epokës së Y2K-së, pakkush priste që uebi do të çonte në automatizim masiv apo në rritje ekonomike të paprecedentë. Të dyja këto janë tani parashikime mjaft të përhapura për IA-në në qarqet e Silicon Valley.
Problemi është se pikërisht sektori që po fuqizon kaq shumë rritjen ekonomike të Amerikës, po e rrudh pjesën tjetër të prodhimit të saj. Ndërtuesit e shtëpive, për shembull, nuk mund t’i lejojnë vetes të jenë të shkujdesur ndaj kostove më të larta të huamarrjes. Qendrat e të dhënave e kanë kufizuar gjithashtu pjesën tjetër të ekonomisë duke i mbajtur çmimet e energjisë të larta. Faturat mesatare të energjisë elektrike në Amerikë janë rritur me 7% deri më tani në vitin 2025, të paktën pjesërisht për shkak të tendosjes shtesë që qendrat e të dhënave i kanë shkaktuar rrjetit elektrik.
Vërtet, po të shikosh përtej IA-së, pjesa më e madhe e ekonomisë duket e plogësht. Konsumi real ka mbetur i pandryshuar që nga dhjetori. Ndërtimi i shtëpive ka rënë, ashtu si edhe investimet e biznesit që nuk lidhen me IA-në. Të dyja këto janë shumë të ndjeshme ndaj normave të interesit, dhe kështu veprojnë si tregues për prodhimin në përgjithësi.
Me fjalë të tjera, po ndodh një rishpërndarje në mbarë ekonominë: sektorët e ndjeshëm ndaj normave të interesit dhe energjisë po kontribuojnë më pak në rritje, ndërsa investimet në IA kontribuojnë më shumë. Dhe që ky kontribut të vazhdojë, kompanitë e mëdha teknologjike duhet të vazhdojnë të rrisin shpenzimet. Çdo ngadalësim në shpenzimet kapitale – për shembull, nëse kufizimet në disponueshmërinë e energjisë ose çipeve bëhen më të mprehta – do të nënkuptonte më pak mbështetje për rritjen e përgjithshme ekonomike.[5][6]
Nëse kjo do të ndodhte, do të kishte një anë pozitive: normat e interesit dhe çmimet e energjisë me gjasë do të binin gjithashtu, duke lehtësuar presionin mbi pjesën tjetër të ekonomisë. Megjithatë, historia mbart një paralajmërim. Pas bumit të “dotcom” erdhi një krizë e egër. Një rënie e ngjashme në investimet e IA-së do të hiqte një burim të madh të rritjes së Amerikës pikërisht atëherë kur pjesa tjetër e ekonomisë ka filluar të duket e brishtë. Nëse dëshira për qendra të dhënave ftohet, nuk është vetëm Ashburn që mund të jetë në telashe.