Kosova nesër, më 28 dhjetor 2025, shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, pas një periudhe të gjatë të krizës politike që pasoi zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Partitë politike nuk arritën të formojnë qeveri, çka çoi në bllokim institucional dhe, si rrjedhojë, në vendimin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani, që në fund të nëntorit të shpallë zgjedhje të reja. Procesi zgjedhor do të mbahet nesër, me pritshmëri të larta për pjesëmarrje dhe rezultate që priten të përcaktojnë qeverinë e ardhshme të Kosovës, raporton Anadolu.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në listën e votuesve janë të regjistruar 2.076.290 qytetarë me të drejtë vote, prej të cilëve 1.999.205 votojnë në Kosovë, ndërsa 77.085 në diasporë. Për këtë proces janë përgatitur 948 qendra votimi brenda vendit, si dhe pika votimi në mbi 20 shtete të ndryshme, përmes ambasadave dhe konsullatave, për t’ua mundësuar votimin kosovarëve jashtë vendit.
Në këtë garë marrin pjesë 24 subjekte politike të certifikuara, përfshirë 18 parti, 3 koalicione parazgjedhore, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat të pavarur. Totali i kandidatëve për deputetë të certifikuar nga KQZ është 1.146, të cilët synojnë një nga 120 ulëset e Kuvendit. Për formim qeverie duhen minimalisht 61 vota, pra shumica e thjeshtë parlamentare.
Fushata zgjedhore është fokusuar kryesisht në çështje që lidhen me ekonominë, arsimin, sigurinë dhe integrimin evropian, ndërsa vëmendje të veçantë kanë marrë partitë kryesore: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, LVV doli fituese me rreth 42% të votave dhe 48 ulëse, por pa arritur shumicën e nevojshme për qeverisje, duke shkaktuar ngecjen politike që solli zgjedhjet e reja.
Sipas legjislacionit të ri zgjedhor, qytetarët do të votojnë për një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë individualë brenda listave. Procesi pritet të monitorohet nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë misionet e Bashkimit Evropian, për të garantuar mbarëvajtjen dhe transparencën e votimit.
Zgjedhjet e nesërme konsiderohen vendimtare për zgjidhjen e krizës politike dhe formimin e një qeverie funksionale, ndërsa vendi pret rezultate që mund të ndryshojnë raportet aktuale të fuqisë në skenën politike.
