Disa persona janë lënduar, përfshirë tre me djegie të rënda, pas një shpërthimi të fuqishëm që ka ndodhur në një pikë karburanti në pjesën lindore të Romës, sipas raportimeve të mediave lokale.
Ngjarja ndodhi në një pompë karburanti përgjatë rrugës Via dei Gordiani, ku shpërthimi ishte aq i madh sa u dëgjua në pjesë të ndryshme të kryeqytetit italian, duke shkaktuar panik dhe shqetësim te qytetarët.
Sipas informacioneve fillestare, shpërthimi ndodhi si pasojë e ndarjes së një pompe nga rezervuari që furnizonte një uzinë aty pranë. Si rezultat, tymi i dendur është bërë i dukshëm nga zona të gjera të qytetit, ndërkohë që autoritetet kanë rekomanduar shmangien e zonës për arsye sigurie.
Zjarrfikësit u thirrën fillimisht për të ndërhyrë në një incident me një kamion që kishte goditur një tub të gazit, por sapo mbërritën në vendin e ngjarjes, ndodhi një shpërthim i fuqishëm që përfshiu edhe një ambulancë që ndodhej tashmë në vend.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në disa ndërtesa përreth, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe një depo që gjendej pas pikës së karburantit.
Disa kalimtarë janë raportuar të jenë lënduar gjithashtu, ndërkohë që autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e sakta të incidentit dhe për të vlerësuar shkallën e dëmeve. Ekipet e emergjencës janë ende në terren për të siguruar zonën dhe për të ndihmuar të lënduarit.