Selim Muqaj

(03.10.1977-26.04.1999)

Selim Muqaj ka lindur më 3 tetor 1977 në fshatin Lubizhdë të Hasit, nga babai Fejzullahu dhe nëna Drita.

Shkollën fillore “Pjetër Budi” e ka mbaruar në Lubizhdë më 1992, kurse të
mesmen – medresenë “Alauddin” paralelja e Prizren në vitin 1998, por, për shkak të rrethanave të luftës, nuk arriti t’i shtrohej provimit të maturës.

Kur më 12 prill 1999, në vendin e quajtur “Te Gurrat” në Lubizhdë, forcat serbe arrestuan mbi 100 shqiptarë, në mesin e tyre qe edhe Selimi. Të gjithë ata i dërguan në fshatin Kabash, ku i mbajtën tri ditë dhe, më pastaj, forcat serbe, një numër prej tyre i deportuan në Shqipëri, kurse për fatin e të tjerëve nuk dihej nga askush deri në shtator të vitit 1999, kur në një varrezë masive në fshatin Planejë, u gjetën trupat e shumë fshatarëve të vrarë të Lubizhdës dhe të fshatrave përreth, në mesin e të cilëve ishte edhe trupi i Selimit. Sipas bashkëbiseduesit tonë, z. Murtez Muqajt, Selimi³⁴ duket të jetë vrarë më 26 prill 1999.

Sikur u theksua, ai ishte varrosur në Planejë, por më 26.09.1999 është rivarrosur në “Varrezat e Dëshmorëve” në Lubizhdë.

Ka lënë pasardhës 2 djem.

——————————————————————

³⁴Shënimet për Selim Muqajn janë marrë më 26.06.2009 në shtëpinë e familjes së shehidit, nga xhaxhai i tij – Murteza Muqaj, dhe në prani të imamit të fshatit Gjonaj, Alush ef. Duraku e të sekretarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Rahovecit, Halit ef. Shala.

– Dosja e Selim Muqajt, që ruhet në medresenë e mesme “Alauddin” paralelja e Prizrenit, është parë më 30.06.2009, në praninë e koordinatorit të medresesë, Miftar ef. Ajdinit.

– Për Selim Muqajn, shih edhe: Zijadin Gashi, Dhuna dhe krimet serbe në shkollat e komunës së Prishtinës (mars-qershor 1999), botoi “Libri Shkollor”, Prishtinë, 2003, f. 103-104.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version