Sami Plakolli
(13.03.1970-11.04.1999)
Sami Plakolli ka lindur më 13 mars 1970 në fshatin Letanc të komunës së Podujevës, nga nëna Nazifja dhe babai Naipi. Shkollën fillore “Vëllazërim Bashkimi” e ka mbaruar në Podujevë, kurse të mesmen medresenë “Alauddin” të Prishtinës, në vitin 1989. Pas mbarimit të medresesë, ka punuar si udhëheqës i furrës private të bukës “Gentes” në Letanc.
Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu bashkua në muajin korrik 1998. Ushtrimet i kreu në Bajgorë, te komandanti i togut Rifat Maloku Shpati, dhe më pastaj u vendos në pikën e Kaçandollit te komanduesi Selim Haziri Bekria. Aty qëndroi deri në Ofensivën e Kaçandollit, në të cilën mori pjesë. Pas ofensivës, Samiu u dërgua në Majac, ku qëndroi për tri javë. Më vonë u kthye në Bradash, tek njësiti i “Bekrisë”.
Samiu mori pjesë në të gjitha ofensivat, si në Bradash, Llaushë dhe Dumnicë, në të cilat ishte gjithmonë me të vëllanë, Ganiun.
Ka qenë ushtarë aktiv në Bradash nën komandën e komandantit të togut Selim Hazirit (Bekria) në Brigadën 152 “Shaban Shala”. Bashkëluftëtarë të Samiut ishin Flamur Plakolli, Verdi Ejupi, Fisnik Hasani dhe vëllai i Samiut, Ganiu.
Samiu ka rënë shehid, bashkë me Hajdin Halitin, më 11 prill 1999 në vendin “Kodra e Dëshmorëve” (Ish-Golesh) në Orllan të Podujevës, ku u është ngritur edhe lapidari, në të cilin shkruan: “Heroizmi juaj është shembull i atdhetarisë dhe të tillë u ngritët në altarin e lirisë” Është varrosur në fshatin Turiçicë në “Varrezat e Dëshmorëve” afër komandantit legjendar Zahir Pajaziti.
Në shenjë nderimi për punën dhe sakrificën sublime, shkolla fillore e Letancit mban emrin e dy bijve të këtij fshati: Hyzri Talla dhe Sami Plakolli – “Hyzriu – Samiu”, kështu që emri i tyre u gdhend në përjetësi. Sami Plakollit³⁴ i janë dhënë post mortum mirënjohje të ndryshme. Ka lënë pasardhës 1 djalë e 1 vajzë.
————————————————————————————————————————————
³⁴ Shënimet për Sami Plakollin janë marrë më 18.06.2009 në shtëpinë e familjes së shehidit, nga vëllezërit e tij Gafurr e Shaban Plakolli dhe në prani të kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame të Podujevës, Idriz efendi Bilalli.
– Për Samiun, shih monografinë “Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Feniksët e Li- risë”, grup autorësh, botoi SHVLUÇK, Prishtinë, 2001, f. 87; Monografinë e autorit Skënder Zhitia, “Dëshmorët e UÇK-së – Zona Operative e Llapit”, Prishtinë, 2000, f. 175-176; Mr. Sc. Skënder Zhitia, “Ushtria Çlirimtare e Kosovës – Zona Operative e Llapit”, Prishtinë, 2008, f. 179, 283.