Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, pas përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, ka nxitur rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës dhe gazit natyror, duke vënë kryeqytetet evropiane përballë një krize energjetike të paparë. Ngushtica, e vendosur midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit, përfaqëson një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë botërore, me rreth 20 milionë fuçi naftë që kalojnë aty çdo ditë.

Edhe pse ndërprerja nuk pritet të ndalojë plotësisht furnizimin e Evropës, ekspertët paralajmërojnë për çmime të larta dhe paqëndrueshmëri të vazhdueshme në treg. Vendet si Italia, Spanja, Greqia, Polonia dhe Belgjika varen në masë të konsiderueshme nga importet e naftës që kalojnë përmes Hormuzit, ndërsa furnizuesit kryesorë të BE-së për vitin 2025 ishin Norvegjia (14.6%), SHBA (14.5%), dhe Kazakistani (12.2%), me Arabia Saudite që kontribuonte me 6.8%.

Alternativat e Evropës janë të kufizuara. Tubacioni Lindje-Perëndim i Arabisë Saudite mund të transportojë deri në 5 milionë fuçi në ditë drejt Detit të Kuq, ndërsa tubacionet e Emirateve të Bashkuara kanë kapacitete më të vogla. Ridrejtimi i anijeve rreth Kepit të Shpresës së Mirë në Afrikë është një tjetër mundësi, por kjo rrit ndjeshëm kohën dhe kostot e transportit.

Evropa po përpiqet gjithashtu të forcojë furnizimet nga Deti i Veriut, përfshirë Norvegjinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, si dhe nga SHBA-ja dhe Afrika Perëndimore, përfshirë Nigerinë dhe Angolën. Afrika e Veriut, sidomos Algjeria dhe Libia, mund të ofrojë një burim të afërt, por paqëndrueshmëria politike rrit rreziqet.

Analistët paralajmërojnë se kriza e fundit nënvizon varësinë e Evropës nga lëndët djegëse fosile dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Edhe nëse mungesat e naftës nuk janë katastrofike, rritja e çmimeve të energjisë mund të ndikojë shpejt tek çmimet e karburantit, transportit dhe ushqimit, duke rënduar buxhetet e qytetarëve në të gjithë kontinentin.

Në këtë situatë, stabilizimi i tregut mbetet i lidhur ngushtë me negociatat midis SHBA-së dhe Iranit dhe rifillimin e lundrimit nëpër Hormuz, ndërsa Evropa kërkon rrugë emergjente për të shmangur një krizë energjetike më të thellë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version