Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin e ri “Llogaridhënia përballë Skandaleve Qeveritare”, në të cilin analizohet trajtimi i rasteve të dyshimeve për korrupsion brenda institucioneve publike. Raporti thekson se qeveria aktuale, në vend se të zbatojë parimet e qeverisjes së mirë dhe luftës kundër korrupsionit, ka shfaqur një qasje të kundërt, duke mbrojtur zyrtarë të dyshuar dhe duke vënë në pikëpyetje punën e institucioneve të drejtësisë.
Sipas IKD-së, parimet e “qeverisjes anti-korrupsion” nënkuptojnë që institucionet qeveritare duhet të veprojnë në mënyrë proaktive në parandalimin e korrupsionit. Kjo përfshin raportimin e rasteve, bashkëpunimin me organet e drejtësisë dhe ofrimin e përgjegjësisë publike kur ngritën dyshime. Mirëpo, sipas raportit, praktika e deritanishme e qeverisë ka qenë e kundërta: në vend që të promovojë transparencën, ajo shpesh ka mbrojtur zyrtarët e përfshirë, duke sulmuar institucionet hetimore dhe duke cenuar pavarësinë e tyre.
“IKD vlerëson se mungesa e llogaridhënies publike në rastet e dyshimeve për skandale qeveritare ka cenuar parimet e qeverisjes së mirë. Në vend të sqarimeve transparente dhe të plota për qytetarët, institucionet shpesh kanë heshtur ose i kanë relativizuar akuzat”, thuhet në raport.
Raporti paraqet një përmbledhje të rasteve të raportuara në media që kanë rëndësi të lartë publike, duke vënë theksin tek sektori i energjisë, prokurimi publik, rezervat shtetërore, diplomacia, administrata publike, bujqësia, kultura dhe infrastruktura. IKD thekson se të gjitha rastet janë analizuar duke respektuar parimin e prezumimit të pafajësisë, por se qeveria ka detyrimin të sigurojë transparencë dhe cooperim me organet e drejtësisë.
Ndër rastet e evidentuara përfshihen: dyshimet për keqpërdorime në tregun e energjisë, kontratat njëburimore, ndërhyrjet politike në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore, punësimet politike në ndërmarrjet publike, ndarjet kontestuese të subvencioneve dhe fondeve, si dhe dyshimet për konflikt interesi në projektet e mëdha infrastrukturore.
Sipas IKD-së, këto raste dëshmojnë një mungesë të theksuar të llogaridhënies, e cila rrezikon të minojë besimin e publikut në institucionet shtetërore dhe në sundimin e ligjit. Instituti konkludon se transparenca, bashkëpunimi me organet e drejtësisë dhe raportimi i sinqertë i rasteve të dyshuara janë elemente kyçe për rikthimin e standardeve të qeverisjes së mirë në vend.
