Tash e një kohë të gjatë, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndodhet në paraburgim nën një regjim të posaçëm vizitash. Sipas këtij regjimi, ai ka të drejtë të takohet vetëm me familjen e ngushtë dhe mund të zhvillojë deri në pesë vizita në muaj me miq ose të afërm të tjerë. Takimet monitorohen vazhdimisht dhe përfshijnë përgjim të plotë 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, me përkthyes të gjuhës shqipe.

Megjithatë, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar masa edhe më të ashpra, duke propozuar që Thaçit t’i ndalohen të gjitha vizitat nga tre vëllezërit e tij – Gani, Nazmi dhe Blerim Thaçi – si dhe nga 11 persona të tjerë, duke e çuar listën në gjithsej 14 emra.

Sipas dokumenteve që ka siguruar Klan Kosova, prokuroria argumenton se, pavarësisht masave aktuale për të minimizuar rrezikun e pengimit të drejtësisë, disa vizitorë të konsideruar problematikë kanë vazhduar ta vizitojnë Thaçin në Qendrën e Paraburgimit. Në kërkesën e ZPS thuhet:

“Për të qenë të sigurt, rreziku që Thaçi të përcjellë mesazhe të palejuara dhe udhëzime gjatë vizitave jo të privilegjuara nuk mund të eliminohet kurrë krejtësisht, as në Qendrën e Paraburgimit. Kjo është vërtetuar përmes shfaqjes së Hashim Thaçit në një thirrje me video te një i akuzuar tjetër, në shkurt 2025.”

Kjo thirrje video lidhet me Haxhi Shalën, një tjetër i akuzuar. Mbrojtja e Thaçit ka reaguar, duke e cilësuar kërkesën e prokurorisë të pabazuar dhe të paarsyeshme, sidomos pasi ZPS ka reaguar me vonesë për këtë ngjarje.

Avokatja Sophie Menegon ka deklaruar se në kërkesën e re të prokurorisë nuk ka asnjë fakt të ri dhe as shkelje të masave të vendosura që nga nëntori 2023. Ajo thekson se vetëm pesë nga 14 personat e listuar, përfshirë vëllezërit e Thaçit, e kanë vizituar atë pas vendosjes së këtyre kufizimeve.

Një prej tyre, sipas mbrojtjes, është mik i familjes:

“[E redaktuar] është mik i familjes. Ai e ka vizituar z. Thaçi pas nëntorit 2023. Meqë z. Thaçi lejohet t’i ketë vetëm pesë vizita jo të privilegjuara në muaj, takimet me miq të ngushtë si [E redaktuar] ia mundësojnë atij mbështetjen dhe përditësimin me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë.”

Një tjetër person në listë është pjesë e ekipit mbrojtës:

“[E redaktuar] është konsulent në ekipin mbrojtës të z. Thaçi në rastin për krime lufte. Në këtë cilësi, ai është i autorizuar që të shkëmbejë informacione konfidenciale me z. Thaçi. Që nga nëntori 2023, ai e ka vizituar si pjesë e vizitave të privilegjuara të Mbrojtjes dhe nuk ka zhvilluar asnjë vizitë jo të privilegjuar. Pra nuk ka asnjë bazë që të vendosen kufizime të tjera për të.”

Gjyqtarja e procedurës paraprake po shqyrton listën e ZPS dhe ka kërkuar informacion shtesë nga mbrojtja për një nga individët, përpara se të marrë vendim përfundimtar.

Në listën e propozuar për ndalim janë gjithashtu Artan Behrami dhe Vllaznim Kryeziu, të cilët përmenden në aktakuzën e dytë ndaj Thaçit për tentim-pengim të drejtësisë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version