Edhe pse situata në Siri mbetet e paqëndrueshme dhe ende e brishtë për shkak të tensioneve të vazhdueshme politike dhe sigurie, gjithnjë e më shumë refugjatë sirianë po kthehen nga Turqia në vendlindjen e tyre. Sipas të dhënave të fundit, mbi 400 mijë persona kanë marrë rrugën e kthimit, ndërsa Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) e konsideron këtë një shenjë pozitive në një periudhë të mbushur me pasiguri.

Ministria e Brendshme e Turqisë ka njoftuar se, që nga përmbysja e udhëheqësit sirian Bashar al-Assad në muajin dhjetor, në Siri janë kthyer gjithsej 411,649 refugjatë sirianë. Fluksi i rikthimit është intensifikuar veçanërisht gjatë muajve të verës, me afro 140 mijë të kthyer vetëm nga mesi i qershorit.

Megjithë këto shifra, Turqia ende strehojnë një numër të madh refugjatësh sirianë. Sipas statistikave zyrtare, aktualisht në vend ndodhen rreth 2.5 milionë sirianë, ndërkohë që kulmi i strehimit u shënua në vitin 2021 me 3.7 milionë refugjatë nga Siria.

Në krahasim me Turqinë, ritmi i kthimit të sirianëve nga Gjermania është dukshëm më i ulët. Të dhënat e Ministrisë së Brendshme gjermane tregojnë se deri në fund të korrikut, përmes programit të largimit vullnetar, janë kthyer vetëm 1,337 shtetas sirianë. Një zëdhënëse e ministrisë theksoi se Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) po monitoron nga afër zhvillimet në Siri, duke theksuar se situata mbetet shumë e paqëndrueshme.

Sipas një hulumtimi të emisionit investigativ ARD Panorama, numri i përgjithshëm i sirianëve që janë rikthyer nga Gjermania në atdhe është rreth 4,000 persona. Aktualisht, në Gjermani jetojnë afro një milion sirianë, shumica e të cilëve mbërritën në vitet 2014 dhe 2015, kur lufta civile ishte në kulmin e saj.

Për UNHCR, ky trend është i rëndësishëm. Drejtuesi i agjencisë, Filippo Grandi, ka deklaruar se deri më tani më shumë se dy milionë refugjatë sirianë janë kthyer në shtëpitë e tyre. Ai e cilësoi këtë si “një shenjë shprese mes tensioneve rajonale në rritje”, duke shtuar se “na duhen zgjidhje politike – jo një valë tjetër paqëndrueshmërie dhe dëbimesh”.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version