Ky artikull është shkëputur nga përmbledhja e librit “Teoria e Artit Islam: Koncepti estetik dhe struktura epistemike”, me autor Idham Muhamed Hanash. Kapitulli: Prezantim i teorisë dhe pikëpamjeve të artit islam.

Temat e tjera mund t’i gjeni këtu në këtë etiketë:

https://dijaonline.com/tag/teoria-e-artit-islam

Janë tri prirje parimore midis dijetarëve bashkëkohorë, lidhur me përkufizimin e artit islam. Prirja e parë është vështrimi i artit përmes një lupe të gjerë e cila mbulon të gjitha llojet e krijimtarisë, duke përfshirë edhe gjuhësinë, artin dhe të tjerat. Kjo prirje e vendos dijen, letërsinë dhe artin në të njëjtën kategori. Prirja e dytë për ta parë artin islam, e cila është paksa më e ngushtë sesa e para, përfshin çdo gjë që mbart një lidhje të drejtpërdrejtë me ndjenjën, ndjeshmërinë dhe përjetimin estetik, duke përfshirë muzikën, ritmin, arkitekturën, vizatimin dhe pikturën. Sa për prirjen e tretë, e cila është edhe më e përhapura në mesin e historianëve dhe kritikëve bashkëkohorë, ajo e ngushton përcaktimin e artit islam dhe përfshin vetëm shprehjen pamore të krijimtarisë islame në fushat e arkitekturës, veprave letrare; artet përkatëse në përdorim, si zejtaria dhe prodhimet e dizajnuara; si dhe krijimtaria estetike, fjala vjen, në ngrehinat arkitekturore, libra, dorëshkrime, vegla, orendi e artikuj të tjerë.

Kjo pikëpamje mbi artit islam krijon bërthamën epistemologjike të studimit të dorëshkrimeve, pikturave, ndërtesave, sendeve të rralla, si dhe mjeteve të tjera të prodhuara me kalimin e kohës, brenda përmbajtjes së qytetërimit islam dhe të afta për t’u përshkruar, renditur dhe shfaqur si vepra arti që mbartin vulën e kulturës dhe përkatësisë islame.

Pikëpamja e lartpërmendur estetike e artit islam dallon nga ajo që mund ta emërtojmë si pikëpamje arkeologjike e këtij arti në kuptimin pamor, metodik, si dhe natyrën e njohurive mbi të cilat përqendrohet. Një arkeolog i sheh ngrehinën arkitekturore, dorëshkrimet islame, apo prodhimet e tjera vetëm me një lloj kërshërie të lashtë, zanafillat e së cilës vlejnë të hulumtohen. E parë nga ky këndvështrim, vendndodhja më e përshtatshme e sendeve artistike islame është muzeu. Hulumtimi teorik i artit islam u shfaq, në fakt, si përgjigje e nevojës së arkeologëve, lidhur me të dhëna shkencore mbi mbetjet artistike islame nga këndvështrimi thelbësor, industrial, historik, shoqëror dhe ekonomik.

Ky punim e shikon artin islam si një lëndë studimi arkeologjike dhe trajton përparimin e tij si pjesë të studimit historik të artit në një kuptim më të gjerë. Njëkohësisht, i hap rrugën një zhvendosjeje epistemologjike e cila e shikon artin islam si një lëndë të prekshme që ka të bëjë me bukurinë e objekteve të rralla dhe të vjetërsuara, që e kanë pasur zanafillën te krijimtaria kulturore-artistike islame, duke anuar drejt një pikëpamjeje tjetër teorike që ka të bëjë me parimin, vegimin, metodën dhe teorinë. Kjo pikëpamje teorike mundëson themelin intelektual dhe kulturor për një shkencë kritike filozofike të bukurisë artistike islame, të cilën ne mund ta quajmë “shkenca e artit islam”, ose “estetika islame”, që vlerëson krijimin artistik pamor, në pikëpamjen e bukurisë dhe përdorimit praktik.

Një nga përfitimet më të dukshme të kësaj zhvendosjeje epistemologjike, është që studimi i artit islam tanimë mbështetet te një këndvështrim filozofik i cili ka prodhuar parime, teori, si dhe mënyra hulumtimi të fushave të ndryshme, që shërbejnë si themele për gjini, trajta, lloje dhe shkolla të prodhimit artistik islam.

Ky këndvështrim filozofik ka sjellë teori të shumta, të përgjithshme dhe të veçanta, mbi artin islam. Këto teori të larmishme dhe të ndërlidhura përfshijnë elemente nga fusha të ndryshme të hulumtimit dhe kërkimit akademik, të cilat kanë të bëjnë me studime shoqërore-kulturore si dhe, deri diku, me shkenca ekzakte dhe të zbatueshme.

Mëse një teori është parashtruar për të shpjeguar anë të ndryshme të dukurisë artistike islame dhe lidhjet e tyre të ngushta me njeriun, shoqërinë, kulturën, historinë, pranimin e saj nga audienca. Secila temë studimi është e shoqëruar me nga një qëllim të caktuar, për përmbushjen e të cilëve duhen sajuar mjete të posaçme. Prandaj, fjala vjen, mjetet e nevojshme për studimin e lidhjeve midis artit islam dhe mbizotërimit të dokeve e zakoneve të shoqërisë që e prodhon (kultura e artit islam), janë të ndryshme nga mjetet që nevojiten për të hulumtuar lidhjen e artit islam si një veprimtari shoqërore me sistemin e përgjithshëm shoqëror që qeveris estetikën dhe anët vepruese të këtij arti (sociologjia e artit islam). Ngjashmërisht, këto dy lloj trajtash hulumtimi do të dallojnë nga studimi i lidhjes midis artit islam dhe ndikimit të tij të brendshëm, si tek artisti, ashtu dhe te shikuesi (psikologjia e artit Islam).

Kështu që, këto tema studimi, mundësisht edhe të tjera, janë të lidhura ngushtë dhe në mënyrë organike përbrenda asaj që ne mund ta quajmë “teoria e artit islam”. Një teori arti islam, në thelb, është e prirë të ndërtojë një kornizë shkencore, kategori epistemologjike, metodikë, formulime stilistike, si dhe qasje teorike e të zbatueshme për veprat artistike islame, por edhe dukurinë shoqërore, kulturore, fetare dhe filozofike që ato përfaqësojnë.

A mund të ketë art pa teori?

Qëllimi im kryesor në këtë libër është që të hetoj kufijtë epistemologjikë dhe metodikë që ndajnë studimet arkeologjike, historike dhe dokumentuese të arkitekturës dhe artit islam, nga njëra anë, dhe studimin e thellë filozofik, estetik dhe kritik të këtyre dukurive, nga ana tjetër.

Studimet arkeologjike, historike dhe dokumentet studimore të artit islam dhe artefakteve të tij janë të rëndësishme për aftësinë e tyre në vërtetimin e vlerave kulturore të veprave të artit islam dhe artefakteve të tij, në bazë të periudhës kohore nga e cila ato datojnë, megjithëse hulumtime të tilla i kushtojnë fare pak ose aspak vëmendje estetikës së veprës dhe vlerës së saj artistike. Ç’është e vërteta, hulumtimet historike të artit islam kanë qenë përcaktuese për zhvillimin e teorisë së artit islam, ngaqë i bëjnë jehonë mendimit të përgjithshëm në mesin e studentëve të artit islam, se një art i tillë nuk është asgjë tjetër, veçse një dukuri historike, ndikimet e së cilës janë përcjellë deri në kohën tonë “të pashoqëruara nga ndonjë filozofi apo jetëshkrimet e atyre që e kanë prodhuar, si dhe pa shpjegimin përkatës të llojit të teknikës”.

Ky përcaktim i sapo përmendur, në mënyrë të gabuar, sugjeron se veprave të arkitekturës dhe artit islam të cilat na janë lënë ne si trashëgimi, u mungon teoria themelore e filozofisë dhe estetikës.

Nëse një përcaktim i tillë është marrë në kuptimin e tij formal, fare mirë mund të na çojë te një tjetër besim i gabuar, përkatësisht, se nuk ka ekzistuar asnjë teori filozofike apo estetike islame, që në krye të herës. E vërteta është se disa studiues bashkëkohorë të artit islam kanë sjellë prova rreth kësaj të ashtuquajture mungesë të teorisë së artit islam, duke shkuar deri aty, sa të thonë se “qytetërimi arab islam nuk e ndjeu nevojën e prodhimit të një ligjërimi metodiko-teorik, lidhur me të bukurën, në të cilën pastaj të zhytemi duke shtjelluar themelet estetike të artit islam”.

Teoria dhe studimi i artit islam

Kjo endje e stërzgjatur në çështjet teorike dhe metodike, ka të ngjarë ta mundësojë studimin e teorisë së artit islam si një temë të vetme gjithëpërfshirëse, nëpërmjet tri qasjeve të ndërlidhura e, deri diku, të mbivendosura:

E para: Përmes një përpjekjeje për të themeluar një ngrehinë për këtë teori të mbështetur në përcaktimin më të thjeshtë të mundshëm të emërtesës “teori”. E përcaktuar kështu, një teori është një ide, vegim ose fushëpamje e renditur përreth një grusht parimesh dhe marrëdhëniesh të cilat na pajisin me një sqarim të organizuar lëndor të ngrehinës, përshkrimit dhe anës vepruese të një dukurie të caktuar.

Në përgjithësi, teoria përbën themelet e domosdoshme, parimet e përcaktuara dhe veprimin arsyetues të një fushe shkencore. Më saktësisht, një teori përfaqëson anën mendore të kësaj fushe. Në rastin e artit islam, teoria merret me ndikimin e dijes njerëzore dhe anën e saj krijuese në dukurinë artistike. Si e tillë, ajo që është emëruar “teori artistike”, ia siguron estetikës lëndën e mbështetur në njohuri.

Nga sa thamë më sipër, shprehja “teori e artit islam” mund të thuhet se bën fjalë për ide, mendime, pikëpamje dhe ardhmëri të ndërlidhura dhe të shtjelluara në marrëdhënie me trajtën përshkruese, strukturore dhe vepruese të dukurisë artistike islame. Teoria e artit islam qe zhvilluar nga estetistët dhe filozofët e hershëm të filozofëve myslimanë, si dhe u rishikua më vonë nga studiuesit brenda përmbajtjes së hulumtimeve akademike dhe zbërthimit të kësaj dukurie dhe rrënjëve të saj.

E dyta: Përmes një hulumtimi të gjithanshëm të përbërësve dhe tipareve përcaktuese të kësaj teorie, sipas këndvështrimit mendor, teorisë së dijes dhe trashëgimisë kulturore islame, që është i mbështetur në ide, mendime, këndvështrime dhe shpjegimet e gjetura në shkrimet arabo-islame, apo në përgjigje të pyetjeve rreth lidhjes së rëndësishme mes zakonores dhe bashkëkohores. Pyetje të tilla janë të lidhura, fjala vjen, me:

  • pikëpamjen e përgjithshme të artit islam
  • përkufizimin e artit islam
  • rrjetin e arteve islame të parë nga këndvështrimi i marrëdhënies me njohuritë në përgjithësi, si dhe me renditjen e tyre të veçantë si një burim dije
  • vlerat estetike dhe ato të përdorimit të artit islam
  • tiparet tërësore përcaktuese të artit islam, duke përfshirë kumtin rreth bashkimit dhe ndashmërisë, si thelbi epistemologjik i çfarëdolloj teorie artistike.

E treta: Studimi kritik i teorisë së artit që të zbatohet posaçërisht në artin islam, e cila u largohet hulumtimeve të përgjithshme epistemologjike dhe metodike.

Pra, bëhet fjalë për teorinë epistemologjike të artit islam, duke përfshirë arkitekturën islame apo bukurshkrimin arab, si për shembull, prejardhjen dhe burimet historike të artit islam, sociologjinë e artit islam, qëndrimin islam sa i përket arteve pamore, tipari, thelbi, si dhe marrëdhënia e tyre me artin islam, apo çështje të tjera që lidhen me artin islam dhe që mund të studiohen nga pikëpamja akademiko-estetike.

Nevoja e ngutshme e zhvillimit të studimit të artit islam

Teoria e artit islam, si në mënyrën e saj të veçantë, ashtu edhe në atë të përgjithshme, nevojitet të studiohet, zbërthehet dhe vërehet për të nxjerrë në pah zanafillën e vet. Për më tepër, kërkohet themelimi i një ngrehine kulturore të të gjitha fushave që kanë lidhje me artin islam, duke përfshirë shkencën gjuhësore, semantike, studimin e shenjave dhe vlerave, sociologjinë, komunikimin, si dhe disiplinën që, në lidhje me strukturën epistemologjike të këtij arti, mund ta emërtojmë si shkenca e elementeve të artit islam.

Duke u shkëputur nga e kaluara, ne tani mund ta mësojmë teorinë e artit islam duke u përqendruar në njohuritë estetike në lidhje me këtë art, më mirë se ç’mund të mësonim duke u përqendruar thjesht në faktet e ditura tashmë, të mbledhura nga ndarja e historisë në periudha politike. Kjo ka qenë një mënyrë veprimi përgjatë hulumtimeve tradicionale të artit islam, duke e datuar këtë apo atë vepër arti si të një periudhe të caktuar, për të mbërritur në përfundime të mëvonshme rreth artit në fjalë, mbështetur në përpunimin e datave dhe atyre që tashmë dihen lidhur me periudhën përkatëse.

Përdorimi për herë të parë i termit “art islam” e ka zanafillën në fillimet e shek. XIX e.r./shek. III p.h.. Sa i përket studimit të artit islam, ai mund të ndahet në tri periudha zhvillimi, si vijon:

E para: Periudha e parë përjetoi zbulimin e veprave të artit të mëkahershme. Kjo vazhdoi me përpjekjet për të vënë në dukje rolin që kanë luajtur këtë vepra nga ana kulturore dhe funksionale.

Artefaktet islame të prodhuara nga dora e njeriut qenë studiuar nga orientalistët me prapavija të ndryshme kulturore, të cilët i qasën hulumtimet e tyre me metodika të ndryshme, duke sjellë një lëmi synimesh me punën e tyre.

E dyta: Gjatë periudhës së dytë, hulumtimet akademike përparuan deri në shfaqjen e veçorive dalluese të artit islam si dhe njohuritë që ai ofronte. Kjo periudhë përjetoi përpjekje për më shumë hulumtime nga një sërë orientalistësh të cilët u vendosën në trojet myslimane, me qëllim studimin e artit islam. Një numër hulumtuesish arabë dhe myslimanë kanë studiuar në vendet e tyre, si në Egjipt, fjala vjen, të udhëhequr nga këta orientalistë, madje disa prej tyre u ngarkuan me detyra akademike, që të studionin artin islam në muzeumet dhe qendrat akademike perëndimore.

Kjo periudhë e dytë mund të shihet edhe si themelore, sa i përket shkencës së artit islam. Megjithatë, kjo disiplinë ishte e ngjyrosur gjatë gjithë kësaj periudhe me pikëpamje, mendime, ide dhe zbërthime të orientalistëve të cilët kanë qenë vazhdimisht paragjykues ndaj miratimit të vërtetësisë së artit islam dhe pasurinë si burim i njohurive të reja.

E treta: Periudha e tretë mund të përshkruhet si veprimtaria akademike pas-orientaliste. Si e tillë, ajo shërbeu për të ndrequr pikëpamjet e gabuara të orientalistëve, të cilat ushtruan një ndikim mohues në mënyrat e qasjes së artit islam. Kjo ndreqje mori trajtën e një zhvendosjeje epistemologjike dhe metodike nga qasja e bazuar historikisht, e cila prirej të ishte e njëanshme në favor të formave të artit sasanid, bizantin, koptik, etiopian etj., në kurriz të artit islam, duke synuar një qasje tjetër më vetjake që përfshin pasurimin estetiko-filozofik të dukurisë së artit islam.

Gjatë periudhës së tretë, e cila ende vazhdon, shumica e ideve, mendimeve, pikëpamjeve dhe analizave që dolën nga ajo që ne mund ta emërtojmë “estetika orientaliste”, u janë nënshtruar një rishikimi të rreptë. Ky rishikim ka përfshirë zbërthimin e temave dhe çështjeve themelore shqetësuese për artin islam, si për shembull ideja e artit islam dhe kufijtë e teorisë së dijes; zanafilla e artit islam dhe burimet e tij të vërteta dhe vetjake; vlerat fetare, teorike dhe zbatuese të lidhura me artin islam; pyetje që kanë të bëjnë me veçoritë kulturore dhe estetike të artit islam, të cilat mund të shërbejnë si themeli i teorisë së dijes dhe vatra e kuptimit për teorinë e artit islam në të dyja nivelet, atë të përgjithshëm dhe atë të përveçëm.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version