Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Kosovës për popullsinë e Gazës është nisur nga porti i Mersinit në Turqi.

Në një postim në rrjetet sociale, Kurti njoftoi se dërgesa, me vlerë rreth 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione ushqimi të ngrohtë, të destinuara për banorët që po përballen me nevoja të menjëhershme humanitare.

Ai theksoi se vendimi për këtë ndihmë ishte marrë që në muajin janar, por realizimi i saj u bë i mundur vetëm pas arritjes së marrëveshjes së fundit për paqe, nën udhëheqjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

“Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Kosovës që ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës”, shkroi Kurti. Ai shtoi se kjo dërgesë synon të kontribuojë, edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve, si dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.

Kryeministri gjithashtu shprehu mirënjohje për Turqinë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin në realizimin e operacionit humanitar. Ky veprim nënvizon rolin aktiv të Kosovës në ndihmën ndërkombëtare humanitare dhe përpjekjen e saj për të kontribuar në situata emergjente globale.

Dërgesa e Kosovës vjen në një moment kritik, kur banorët e Gazës përballen me mungesa të ushqimit, strehimit dhe shërbimeve bazë, duke treguar rëndësinë e ndërhyrjeve humanitare nga vendet mike dhe institucionet ndërkombëtare.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version