Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar synimin për të kandiduar edhe për një mandat të dytë në pozitën e presidentes. Në një intervistë për REL, Osmani deklaroi se qëndrimi i saj për të vazhduar misionin në institucionin më të lartë të vendit mbështetet edhe nga opinioni publik. Sipas saj, matjet e fundit tregojnë se rreth 81% e qytetarëve favorizojnë që ajo të rizgjidhet.

Ajo tha se pas formimit të institucioneve të reja do të nisë bisedimet me partitë politike shqiptare për të siguruar mbështetjen e nevojshme në Kuvend, ku presidenti zgjidhet me 2/3 e votave. “Do të bisedoj me të gjitha partitë shqiptare. Do të shohim nëse deputetët dëshirojnë të materializojnë vullnetin e qytetarëve”, theksoi Osmani, duke lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të angazhimit politik edhe nëse nuk merr votat për një mandat të ri presidencial.

Osmani paralajmëroi gjithashtu lajme pozitive në fillim të vitit të ardhshëm, duke nënvizuar punën që, sipas saj, ka bërë me shtetet që kishin ngrirë procesin e njohjes së Kosovës. Ajo deklaroi se ka arritur rikthimin e shumicës prej tyre, përveç një shteti. “Ato kanë qenë si njohje të reja,” tha Osmani.

Nga ana tjetër, kandidati fitues për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur se një nga hapat e tij të parë pas marrjes së mandatit të tretë do të jetë takimi me presidenten dhe më pas me opozitën, për të siguruar mbështetjen e nevojshme që Osmani të vazhdojë në post.

Sa është pozitive kjo?
Në aspekt institucional, një mandat i dytë mund të sigurojë vazhdimësi politike dhe stabilitet në raportet ndërkombëtare, sidomos në proceset e dialogut Kosovë–Serbi, integrimit euro-atlantik dhe forcimit të pozitës diplomatike të vendit. Mbështetja e lartë publike paraqet një avantazh moral dhe politik. Megjithatë, vendimtare do të jetë vullneti i deputetëve në Kuvend, pasi rizgjedhja kërkon konsensus më të gjerë, përtej rezultatit zgjedhor të partive. Prandaj, sfida kryesore mbetet krijimi i marrëveshjeve politike dhe gatishmëria e opozitës për ta mbështetur ose jo kandidaturën.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version