Forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë dislokuar që nga Mitrovica e deri në Graçanicë, në kuadër të një plani operativ të posaçëm, me qëllim të garantimit të sigurisë gjatë manifestimeve të Ditës së ‘Vidovdanit’.

Serbët kanë filluar të mblidhen fillimisht në Manastirin e Graçanicës, prej nga pritet të nisen drejt Gazimestanit, afër Obiliqit, për të marrë pjesë në ceremonitë fetare që mbahen në kujtim të Betejës së Kosovës.

Përreth Manastirit të Graçanicës janë vërejtur një prani e dukshme e policisë dhe trupave të KFOR-it, raporton Dija Online.

Policia e Kosovës ka përgatitur dhe aktivizuar një plan operacional gjithëpërfshirës që përfshin masa të shumta për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, menaxhimin e trafikut rrugor si dhe kontrollin kufitar në të gjitha rajonet e vendit.

Brenda këtij plani janë angazhuar njësi të specializuara të cilat do të qëndrojnë në terren për të ofruar siguri, për të parandaluar çdo incident të mundshëm dhe për të siguruar zhvillimin e qetë dhe paqësor të manifestimeve.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të shmangin çdo provokim, të respektojnë ligjet në fuqi dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë. Njëkohësisht, qytetarët janë informuar për mundësinë e devijimeve apo bllokimeve të përkohshme të qarkullimit, dhe u është kërkuar mirëkuptim i plotë për këtë situatë.

Share.

Comments are closed.

Exit mobile version